Sylvinho

Sylvinho tur në Evropë, takim 'kokë më kokë' me Brojën dhe yjet e Kombëtares

15 Shkurt, 15:50
  • Share

Kombëtarja 'ndez motorët' për Europianin 2024. Kuqezinjtë kanë siguruar tanimë dy miqësore në muajin mars. Si fillim, në Parma të Italisë djemtë tanë do përballen me Kilin më 22 mars, teksa tre ditë më vonë luajnë kundër Suedisë në Stockholm.

Stafi i ekipit nuk ka mbetur me kaq, duke kërkuar për kundërshtar edhe në fundin e majit apo në fillimin e qershorit, pak ditë para nisjes së Euro 2024 (14 qershor - 14 korrik).

Tanimë trajneri Sylvinho ka në plan një tur në Evropë, për të folur me lojtarët e ekipit. Mësohet se braziliani do udhëtojë drejt Anglisë përpara miqësoreve, ku do ketë një takim "kokë më kokë" me Armando Brojën.

Sylvinho do jetë në "Old Trafford" për ndeshjen mes Manchester United - Fulham, e programuar më 24 shkurt. Duket se veç një takimi me Brojën, trajneri do diskutojë nga afër edhe me trajnerin e Fulham, Marco Silva, kjo për gjendjen dhe formën e sulmuesit.

Pas udhëtimit në ishull, Sylvinho pritet të drejtohet për në Spanjë, aty ku do flasë me Myrto Uzunin, Ivan Balliun dhe Keidi Baren. Më pas një tjetër takim me legjionarët në Turqi, ku nuk përjashtohet edhe Rey Manaj, sulmuesi më në formë i ekipit për momentin.

Katër muaj larg nga "Gjermani 2024", tanët kanë nisur nga puna. Kujtojmë se në Euro 2024, kuqezinjtë u shortuan në grupin B dhe kanë kundërshtar Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?