Xhelal Sveçla

Sveçla: Pres nga Policia dhe Prokuroria të dalin me raport për sulmin në Banjskë dhe rrëmbimin e policëve

20 Dhjetor 2023, 15:37| Përditesimi: 20 Dhjetor 2023, 15:40

  • Share

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sot në një konferencë për media ka folur edhe lidhur me hetimet që po bëhen në drejtim të sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë më 24 shtator, po ashtu edhe rrëmbimin e tre policëve që ndodhi më 14 qershor të këtij viti.

“Tashmë jeni njoftuar se Policia bashkë me Prokurorinë, e cila udhëheq hetimet janë duke bërë hetimet më të mëdha në historinë e Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.

Sveçla shtoi se pret që ditëve në vijim PK dhe Prokuroria të dalin me raport mbi gjetjet për këto dy raste.

“Shpresoj që shumë shpjetë do të dalin me rezultatet preliminare që është një ndër kërkesat që i kam adresuar Policisë dhe Prokurorisë, përmes PK-së, mbi gjetjet nga ky rast dhe nga ai i kidnapimit”, tha Sveçla.

Ai tha se përgjegjësit kryesor për hetimin e këtij rasti janë këto dy institucione ndonëse shtoi se edhe policia e KFOR dhe e EULEX-it janë duke bërë hetimet e tyre.

Sveçla shtoi se deri më tani nuk ka pranuar ndonjë raport nga ana e tyre lidhur me hetimet që kanë bërë, por tha se kanë bashkëpunim me ta.

“Ne në vazhdimësi ndajmë informata me ta, nuk e di kur apo a do të dalin me raport për hetimet e tyre. Në cilësinë e raportit nuk kam pranuar diçka, në cilësinë e informatave po shkëmbejmë informata përmes kanaleve zyrtare”, tha Sveçla.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?