Suzana Varvarica: Mio, piktori i
rrallë që vdiq nga dëshpërimi

23 Tetor 2012, 20:29| Përditesimi:

  • Share
Nëse ndodheni para një tabloje, me një peizazh diku nga Korça ku sundon një blu e veçantë, diçka midis blusë dhe violës, shiheni me kujdes në fund të tablosë, mund të jetë nënshkrimi “Vangjush Mio”. Mund të jetë një nga 30 veprat e tij që u shpallën të humbura në Galerinë e Korçës para pak kohësh. Ishte një skandal i madh, një humbje kolosale. Për këtë piktor, së fundi po shkruhet një monografi. Studiuesja Suzana Varvarica Kuka do të na rrëfejë disa linja mjaft ngacmuese të kësaj monograie dhe disa të fshehta nga jeta e artistit, do të rrëfejë mbi fillesat, të veçantën e artit të tij, detaje jetësore nga biografia, deri tek fundi tragjik. Mio u nda nga jeta në moshë mjaft të re, mbase nuk e përballoi dot sëmundjen e të birit dhe pafuqishmërinë e tij për ta ndihmuar, edhe pse zërin e ngriti deri tek Enver Hoxha, të cilin e njihte që nga liceu i Korçës.

Ishte një humbje dramatike ajo që ndodhi në Muzeun e Korçës. 30 piktura të një piktori të rangut të Vangjush Mios janë një humbje e madhe kombëtare?
-Ke shumë të drejtë. Këta lloj artistësh janë një fat i madh që i kemi pasur, dhe një fat shumë më i madh që kishim Vangjush Mion. Të arrish sot dhe të thuash që rreth 30 vepra të tij nuk janë për publikun, madje është diçka më tepër se kaq, pasi kjo është vjedhja e tretë që i bëhet veprave të Vangjush Mios, pra, kemi një sasi veprash që shkon rreth 50 të tilla të vjedhura të tij qysh pas 94-s e deri në ditët e sotme). Kjo është një humbje jashtëzakonisht e madhe për atë autor, edhe për kulturën tonë. Ne kemi aq pak artistë, duke e krahasuar me kombet e tjerë, dhe të mendosh se veprat e atyre artistëve gjenden në shtëpiza të bukura, ose vila të tilla, dhe i mbajnë disa individë, kjo është e dhimbshme. Nuk i kanë më galeritë, pra këtë sasi prej 50 veprash nuk i ka muzeu ose shtëpia muze Vangjush Mio në Korçë. Pse të mos ishin më muze, ku publiku që do të vijë më pas, brezat pas nesh të arrijnë ta njohin më mirë nga ne krijimtarinë e Vangjushit? Një sasi veprash të zhdukura, do të thotë të humbasësh periudha të caktuar nga vepra e tij.

Nuk e vë në diskutim, janë njerëz me shije ata që i kamë marrë në shtëpitë e tyre ose në ato vilat e bukura siç thua ti. Humbja më e madhe është se publiku s’do të jetë në kontakt me to, ndërsa studiuesit ose restauratorët në rast se ato dëmtohen nuk mund të kujdesen për to...
-Ke shumë të drejtë. Gjithkush që i ka ato duhet t’i ruajë si një vlerë të jashtëzakonshme. Mio është fillimtari i artistëve profesionistë dhe këtë e them me bindje. Duke shfletuar dokumentacionin e fillimshekullit të 20-të Mion e gjejmë një artist të kompletuar dhe profesionist, duke nisur që nga studimet e para të tij. Ai kreu dy shkolla shumë të mira. Në Bukuresht ishte një shkollë 200 vjeçare dhe kur shkoi Mio e kishte fituar statusin e një akademie të mirëfilltë. Studioi atje pesë vite, të cilët i takojnë krahasimisht një shkolle të mesme tonës. Më pas ai kthehet në Korçë. Hap atje ekspozitën e tij të parë dhe ky është një element shumë i rëndësishëm për kulturën e arteve pamore në Shqipëri. Ka po ashtu një çast tejet të rëndësishëm, kur ai hap studion e parë. Por shpejt vendos se duhet të vijonte më tej studimet, në një shkollë të një kapaciteti më të lartë. Studion në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe merr dy diploma, në fillim si restaurator dhe është një nga restauratorët e parë të shkolluar në shqipëri, dhe kjo ndodh në vitet ‘24-‘26, e më pas merr edhe diplomën si piktor.
Pra Mio vjen në Shqipëri, në dhjetëvjeçarin e tretë të shekullit të 20-të si një piktor profesionist. Shpeshherë më bëjnë pyetjen: pse e thekson ‘piktor profesionist’? Po të tjetrët nuk ishin? Ishin por Mio ka një përshtatje të kapacitetit të tij artistik më të ndryshëm se piktorët e tjerë të kohës së tij. Mion e bën të veçantë kjo, sepse ai doli të pikturonte në natyrë. Pra peizazhet e tij janë të bëra drejtpërdrejt nga natyra. Kjo është një veti e impresionistëve. Shpeshherë gjejmë si të thuash etiketimin Mio impresionist. Janë edhe disa elementë tjerë që e bëjnë Mion të tillë. Përveç kësaj Mio ka subjekte dhe temat e veta që lidhen kryesisht me peizazhin, paksa me portretin, apo edhe me nudot që ai krijoi në periudhën e Italisë.
Nuk njohim shumë nudo të krijuara pas ardhjes së tij në Shqipëri. Ka disa tentativa të bëjë disa të tilla. Disa janë të pambaruara. Por kemi disa vizatime që tregojnë se Mio mund të pikturonte shumë mirë, nudon, mund pikturonte shumë bukur portretin, por ai si të thuash “u thjeshtëzua” tek peizazhi.
Koço Ristani shkruan në kujtimet e veta diçka shumë interesante mbi mardhënien e Mios me peizazhin: "A di si dukej Mio kur dilte nga shtëpi e tij me biçikletën Herkuliana, një biçikletë e madhe për ne që ishim të vegjël aso kohe, dhe të cilën e ngarkonte me gjithçka që i duhej? Dukej sikur nuk do të kthehej më, aq shumë gjëra merrte me vete në biçikletën e tij".
Mion e shihnim gjithmonë në pasqyrimin e peizazhit të asaj kohe. Dhe sot ne shohim pasqyrimet e tij që janë fusha e madhe e Korçës, mali i Moravës, shohim personazhet të vogla, që janë vendosur po në këtë linjë të stilit impresionist. Ai nuk i jepte rëndësi figurës, por figura është aty, trajtuar njësoj si peizazhi, ka të njëjtën rëndësi trajtimi edhe në stil edhe në preokupimin e artistit, për të dhënë si të thuash klishetë e veta.
Mio qëndron në këtë lloj profesionizmi për atë shije që lë pas, e që publiku e pranon si një piktor të freskët e me dinjitet, një piktor që ka ditur ta vlerësoj pikturën, ka ditur të vlerësojë edhe atë ç'ka ka ditur të bënte. Mio nuk është ngatërruar shumë.

Që do të thotë...?!
-Po, do të thotë këtë që, dhe kur u ngatërrua në vitet ‘40 me ardhjen e komunizmit, kur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe artistëve u sugjeroheshin piktorëve dhe skulptorëve të trajtonin tema me klasën punëtore, tema të ndërtimit të Shqipërisë, sepse filluan të ndërtohen hekurudha, hidrocentrale, të thaheshin kënetat, Mio shkoi të pikturonte, por nuk arriti të krijonte vlera. Ai nuk arriti kurrë të krijonte si të thuash atë ndjesi që i shkaktonte kur pikturonte peizazhin, pra peizazhin që e zgjidhte vetë, të cilin nuk e kishte të stisur, nuk e kishte të porositur.

Ky artist i mrekullueshëm jetoi vetëm 66 vjet. Ai Vdiq në 57-n, por si ishte jeta e tij. Ishte një jetë e lumtur, një jetë me vuajtje me dhimbje që e reflektoi në veprën e tij? Në ç’formë e reflektoi?
-Ky fakt që ju thoni është shumë interesant. Por unë do të thoja që Mio ka pasur një jetë të dhimbshme nga momenti kur i sëmuret djali. Ai nuk gjeti forcë, nuk gjeti një mënyrë komunikimi me shtetin e kohës, që të ndihmonte familjen Mio. Pra ta ndihmonte këtë personalitet të artit shqiptar për kurimin e djalit të tij. Dhe siç e kanë të shkruar në dokumente familjare donte ta çonte djalin jashtë vendit për kurim. Ky është shqetësimi më i madh i Mios që nga dita kur sëmuret djali dhe derisa ai vdes. Por gjithë ky shqetësim, nuk është se raportohet, nuk është se pasqyrohet në krijimtarinë e Mios. Mio e shkruan mjaft qartë që gjëja më e rëndësishme që kam në jetë është arti dhe familja. Mio merrej me punët e familjes, por nuk e superonte sëmundjen e djalit. Ikte në natyrë. Ishte një ikje e butë në natyrë. Donte që të jetonte me veten, me natyrën.
Kur flet për ndërrimin e sistemeve vajza e tij reagon shumë egër, sepse thotë: "Babai im dhe mamaja vuajtën shumë se kishim vëllanë të sëmurë". Ky ishte shqetësimi, mendoj se kjo ishte turbulenca që kishte gjatë gjithë kohës, derisa edhe vdiq.

Në atë kohë ai kërkoi ndihmë nga shteti. Ai ishte njohur me Enver Hoxhën në Liceun e Korçën. Nuk pati mundësi të kontaktonte personalisht me të, ti kërkonte ndihmë? Ka dokumente që e dëshmojnë këtë?
-Ekzistonin letra për këtë lloj komunikimi. E bija thotë:"Babai i shkroi direkt Komitetit Qëndror, në atë kohë dhe Enver Hoxhës, sepse e njihte. Kanë qenë të dy pedagogë në Liceun e Korçës, madje kanë pasë miqësi të jashtëzakonshme me njëri-tjetrin, sepse Mio vërtetë nuk mori pjesë në luftë por anonte për prosporitetin dhe çlirimin e atdheut në kohën e Luftës së Dytë Botërore".
Pra dëshmohet nga e bija se Mio shkroi disa letra, por nuk mori kurrë përgjigje. Edhe njerëz që sot jetojnë e pohojnë faktin që Enver Hoxha nuk i ktheu kurrë përgjigje për punën e djalit të tij. Kur Enver Hoxha shkonte në Korçë dhe ndiqte shfaqjet e Teatrit të Korçës, Mio punonte si skenograf dhe kostumograf për këtë teatër. Por kur vinte momenti i mbylljes së shfaqjes dhe Enver Hoxha hypte në skenë për të takuar të gjithë trupën,sipas adetit, Mio mbyllej në studio dhe shihte punën e tij, duke pritur largimin e ish mikut të tij të vjetër në moshë të re. Ai nuk u ngjit kurrë ta takonte, t’i jepte dorën. Ishte një lloj revolte që bënte familja Mio përkundrejt qeverisë së asaj kohe.

Si çdo monografi edhe juaja kërkon dokumente, dëshmi, etj. Në çlinja keni punuar?

-Për të bërë një monografi të një piktori duhet patjetër të drejtohesh në disa linja. E para, ka qenë imazhi, natyrisht i veprave të artit dhe imazhi i vetë artistit. Pra, imazhin e veprave të artit e kam marrë në disa burime, si ç’ është Galeria e Korçës ku nuk arrita të merrja të gjitha për faktin se ekziston vjedhja, më shtëpinë muze në Korçë, në shtëpinë e vet Vangjush Mios, në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe në disa koleksionistë, të cilët njihen si blerës nga vetë familja Mio. Por ka dhe një burim tjetër të imazhit që Mio e ka lënë vetë nëpërmjet aparatit të tij fotografik, sepse miqësia e tij me fotografin Kristaq Sotiri në Korçë ka qenë tepër e ngushtë, madje e përmend disa herë edhe e bija Roza. Dilnin të dy bashkë, njëri për të fotografuar, e tjetri për të pikturuart dhe shpesh herë me ta ka qenë dhe Hoxha, gjë të cilën e dëshmon vet ai në kujtimet e shkruara. Ndërkohë në këto pikniqe pune edhe Mio fotografonte, sepse Kristaqi i kishte mësuar disa teknika fotografimi. Dihet që Mio kishte një aparat shumë të mirë në shtëpi dhe ka një sasi prej 500 xhamash, të cilat Mio i ka fotografuar vetë. Aty sheh të fotografuar familjen, pikturat, peizazhet që pikturonte, etj. Pra ky është burimi i dytë i imazheve. I treti i burim i rëndësishëm, që të bësh një monografi të tillë, janë dokumentet e shkruara. Jam bazuar shumë në shkrimet mediatike të viteve të para të shekullit XX e deri në ato '50. Më kanë ndihmuar shumë gazetat e Korçës, me shkrimet e tyre dhe të tjera deri deri në vite 57, ku shkrimet pas vitit '44 sundohen nga demagogjia. Më është dukur shumë me vlerë gazeta Minerva, e cila ka tekste të jashtzakonshme.
Burim tjetër është e bija Roza, dhe arkitekti Pirro Thomo, i cili ka restauruar shtëpinë e vjetër të Mios e më ka ofruar fakte të mirëfillta për ndërtimin e kësaj shtëpie, sesi gjatë restaurimit të saj, të kryer prej tij, zbuloi se është një nga shtëpitë më të vjetra të këtij qyteti në shekullin e XIX. Ai, ndërsa pastronte faqe muri, ka gjetur fletë librash të shkruara dhe datën kur është ndërtuar shtëpia.
Megjithatë duhet thënë se është e vështirë të shkruash monografinë e një artisti në Shqipëri, pasi nuk ka shumë materiale të shkruara nga vetë ai. Po ashtu periudha e viteve të komunizmit është shumë e vështirë, ka dogmë, ideologji. Nuk gjen shprehje estetike. Në këto kushte, në Shqipëri është sakrificë të shkruash për një artist që nuk jeton më.

Monografia ka përfunduar apo jo..kur do të botohet?
-Po është gati për botim, por duhet ende edhe pak kohë që të bjerë në duart e lexuesve.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?