‘Sulmi’ i Bardhit e Nokës ndaj Açkës, Ngjela: Do shohim shumë raste të tilla! Opozita në gjendje jo të mirë psikike, ka humbur shpresat për pushtetin

18 Janar, 17:30| Përditesimi: 18 Janar, 21:59

  • Share

Avokati Spartak Ngjela në një lidhje “skype” për emisionin “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, duke komentuar situatën e djeshme në komisionin e ‘Medias’ ku deputetët Gazment Bardhi e Flamur Noka u përplasën me Flutura Açkën, tha se kjo situatë erdhi si pasojë e gjendjes jo të mirë psikike të opozitës.

Ngjela u shpreh se raste të tilla ndodhin kur opozita humbet shpresën se mund të marrë pushtetin dhe shtoi se do të ketë edhe më shumë raste të tilla.

“Opozita është në një gjendje jo të mirë psikike. S’kemi si e shpjegojmë ndryshe. Kur opozita humbet shpresën ndaj pushtetit fillon humbja e ekuilibrit dhe kjo i çon në agresivitete me nivel të ulët. Kjo është aksiomë në krimet politike. Gjithmonë opozita bie në një gjendje të rënduar mendore nëse humbet shpresën edhe pasi kanë kaluar 10 apo 12 vjet pa marrë pushtetin dhe do kemi më shumë raste të tilla”- tha Ngjela.

Mes të tjerash, avokati theksoi se opozita do të vazhdojë të humbasë ekuilibrin hap pas hapi dhe se për raste të tilla mund të ketë edhe procese gjyqësore. Sipas Ngjelës, deputetët e opozitës duhet ta kuptojnë se një sjellje e tillë i largon ata gjithmonë e më shumë nga marrja e pushtetit të qeverisjes.

“Parlamenti e ka humbur luftën politike. Këta janë në gjendje mendore jo të qartë për kohën. Kanë pasur mangësi në koshiencën politike por kriza ua nxorri në pah. Nuk kanë fuqi t’i rezisztojnë gjatë një humbje të thellë. Ekuilibri do vazhdojë të humbasë hap pas hapi. Kam 4 raste të tilla nëpër parlamentet e opozitave që kanë humbur Këtu do shikoni procese gjyqësore, por a do kenë mundësi të kuptojnë se ajo rrugë nuk i sjell dot në pushtet po i largon njëherë e përgjithmonë? Nuk e di, duhet ta shikojnë me vëmendje”- shtoi avokati.

Sa i takon debateve për Reformën Zgjedhore, Ngjela tha se ka disa pika të dobëta në këtë ligj duke nënvizuar si një prej tyre faktin që janë partitë politike ato të cilat numërojnë votat e qytetarëve duke lënë mundësi për manipulim. Ai tha se nëse kryeministri Edi Rama arrin të bëjë të mundur votën e lirë për qytetarët, do të ketë mundësi të hyjë në histori. 

Ora 18:03
Argita Malltezi në krye të PD? Ngjela: Nëse Berisha dënohet, nuk lë dot as ‘testament politik’

 

I pyetur nëse Argita Malltezi mund të jetë e zgjedhura e Sali Berishës në testamentin e tij politik për Rithemelimin, avokati Spartak Ngjela tha se ish-kryeministri do humbasë besimin për të bërë testament të tillë nëse dënohet me vendim të formës së prerë nga GJKKO për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’.

Në një lidhje skype për “Studio Live” në Report Tv, avokati tha se në rast të një vendimi të tillë, ky do ishte largimi zyrtar i Berishës nga politika.

“Berisha nuk mund ta konsiderojë veten si testator, pa dalë vendimi i gjykatës. Është politikan me besim të lartë ndaj vetes, nuk mund ta analizojmë si psikik por ka besim tek vetja. Do t’i ikë besimi për të bërë testamentin atëherë kur të dënohet me vendim të formës së prerë të gjykatës, se nuk do jetë më deputet. Ky është largim nga politika. Kjo është në rast se dënohet. Unë nuk e kam parë dosjen e tij, por edhe nëse do e kisha parë, nuk mund të flisja sepse jam avokat jo akuzator”- tha avokati.

Ndërsa sa i takon mundësisë që vajza e Berishës, Argita Malltezi ta pasojë atë në krye të Rithemelimit, Ngjela tha se është brenda normës politike duke nënvizuar se ka shembuj për ‘parti familjare’.

“Brenda normës politike është, ja ku i ke grekët. “Parti familjare”, nuk është vetëm këtu, ja ku e ke grekun familjare 4 breza. Kjo është një gjë normale, nuk e ndërron dot sepse del me vota, kundërshtarët nëse kanë ndonjë gjë për këtë lëvizje duhet t’i drejtohen elektoratit kur vjen votimi të mos japin votën”- argumentoi Ngjela.

Ora 17:47
Reforma Zgjedhore, Ngjela: Ja kush është 'thembra e Akilit', Rama mund të hyjë në histori si triumfues nëse arrin t’u japë këtë të drejtë shqiptarëve

 

Të nesërmen (19 janar) në orën 11:00 është caktuar mbledhja e parë e komisionit bipartizan të Reformës Zgjedhore. Avokati Spartak Ngjela nëpërmjet një lidhje skype për ‘Studio Live’ tha se kjo reformë është domosdoshme por ceku mes të tjerash, se ka edhe disa pika negative. Sipas tij 'thembra e Akilit' është debati se kush do t'i numërojë votat. 

“Është domosdoshmëri, ka 3-4 pika negative që nuk i takojnë demokracisë. Ato pika kanë lejuar që partitë që marrin pushtetin ose e mbajnë gjatë ose bëjnë abuzim me shoqërinë sepse kanë të sigurta zgjedhjet. Më kryesorja është që kush do t’i numërojë votat, partia që është në garë? E kuptoni ku jemi? Partitë janë në garë dhe numërojnë votat. Pra një parti e re që mund të dalë për të eleminuar partitë e tjera, nuk e bëjnë dot. Këto janë 2 parti që nuk kanë optikë për kohën”- u shpreh Ngjela.

Ndërsa tha se duhet që partitë të mos kenë në dorë numërimin e votave, Ngjela nënvizoi se nëse kryeministri Edi Rama u jep shqiptarëve të drejtën absolute për votën e lirë, do të hyjë në histori në mënyrë triumfuese.

“ Duhet të marrim shembuj nga shtete klasike. Anglia nuk e pranon votimin elektronik, i ka me dorë siç i kemi ne tani, por votimin e numërimin nuk e drejtojnë partitë, kjo është thembra e Akilit, kush e ka institucionin e KQZ, cili institucion do t’i ketë numëruesit e votave. Rama nëse u jep të drejtën absolute shqiptarëve për votën e lirë, hyn në histori triumfalisht. Nëse nuk e kupton këtë dhe e cilëson më shumë qënien e tij kryeministër në një anije që nuk di se ku po shkon... Kryeministrat e mëdhenj kanë hyrë në histori duke kapur një udhëkryq të rrezikshëm dhe e kanë zgjidhur. Ky është udhëkryqi ynë, nuk numërohen votat, manipulohen. Duhet të kemi një institucion kushtetues të nivelit të lartë të kontrolluar deri në nivelin e fundit, marrë nga shtetet perëndimore në mënyrë që të fillojmë edhe ne procesin e votës së lirë. Pyeteni Ramën, po e kuptoi dhe e bëri, hyn në histori”- nënvizoi avokati.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?