Sulmet e Berishës ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, Gështenja: Inkurajojmë punën e drejtësisë! Çaça: 'Bombat' që hidhen në politikë do kenë efekte, pritet tërmet më i madh

22 Nëntor 2023, 22:13| Përditesimi: 23 Nëntor 2023, 07:31

  • Share

Ndonëse Sali Berisha shumë prej sulmeve të tij ndaj drejtësisë i ka artikuluar në selinë blu, krahas deputetëve që kanë të njëjtën linjë me atë të PD zyrtare, edhe ato që janë në “grupin” e Gazment Bardhit, duket se nuk e mbështesin në këto deklarata. Kështu la të kuptohej deputeti opozitar Lefter Gështenja në emisionin “Repolitix” në Report Tv me gazetarin Denis Minga. Gështenja tha se inkurajojnë drejtësinë të kryejë punën e saj.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të Pd ka qenë deklarata e Bardhit. I jemi bashkuar të gjithë. Pra e kam thënë dhe nuk i fshihem. Kam thënë drejtësinë e inkurajojmë në punën e saj”, tha Gështenja.

Por ai u kundërshtua nga analisti Plator Nesturi. Ky i fundit i shtroi pyetjen se cilat deklarata duhet të merren parasysh duke theksuar se deputetët e Foltores i bashkohen qëndrimit të Berishës.

“Foltorja mban tjetër qëndrim… Kë të marrim për bazë. Ose këta të shprehen se nuk ka vlerë ajo që thotë foltorja”.

Avokati Përparim Çaca duke komentuar zhvillimet e fundit, tha se kemi një tërmet në politikën shqiptare që sipas tij nuk mund të jetë i fundi.

“Grupi parlamentar me anë të kryetarit ka mbajtur një qëndrim zyrtar. Është shumë i madh ky grupo që nuk është as andej as këtej. Duam apo nuk duam ka një tërmet në botën politike. Po flasim për reformë të kësaj qeverie që e ka trumbetuar të suksesshme. Të gjithë këta bomba që hidhen në skenën politike do kenë efektet e veta edhe mbi formacionet politike. Mund të ketë edhe një tërmet më të madh”, shtoi ai.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?