Suksesi i Inva Mulës,në
Rusinë e  nënës së saj!

17 Dhjetor 2013, 07:20| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Diva  e muzikës, Inva Mula ka dhënë një koncert të jashtëzakonshëm në Moskë, (Rusi), duke u rikthyer me sukses  në vendin e nënës së saj, Nina Mula, një nga  sopranot më të njohura shqiptare, emrin e së cilës e mban sot, vajza e vogël, e artistes së madhe e cila këndon prej vitesh në sallat më të njohura të botës. Këtë herë Inva Mula, këndoi  në një nga sallat me prestigjioze te Moskës, në sallën që mban emrin e dirigjentit të famshëm rus Svetllqnov, e shoqëruar nga Orkestra  Kombëtare Fizarmonike  e Rusisë nën drejtimin e maestro Vladimir Spivakov, ku ajo është duartrokitur nga një publik i zgjedhur që kish mbushur sallën.

“Inva Mula, një artiste me një përvojë të jashtëzakonshme, me një bagazh të pasur operistik dhe  me një zë  të rrallë, interpretoi në skenën e  Sallës së Madhe që mban emrin e dirigjentit të famshëm rus Svetllqnov në  Shtëpinë  Ndërkombëtare të Muzikës në Moskë , me maestro Vladimir Spevakov, Drejtues artistik dhe kryedirigjent i i Orkestrës Kombëtare Filarmonike të Rusisë e përbëre nga 100 muzikantë si dhe President  i Shtëpisë Ndërkombëtare të Muzikës, një kompleks modern arkitektonik ”, shkruante pas koncertit, Olga  Kolpakova  njohëse e mirë e shqipes e cila ka studiuar në  Uiversitetin e Prishtinës.

Në shkrimin e saj shkruar në gjuhën shqipe, Kolpakova,  përkthyese e Kadaresë, përshkruan se, “salla e madhe ishte mbushur  jo vetëm  me publik rus që çmuan talentin e vërtetë të Inva Mulës, por dhe nga  dashamirës të shumtë të Shqipërisë,  përfaqësues të trupit diplomatik në Moskë,  nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë ne  Federatën Ruse, Sokol Gjoka, përfaqësues të  Ambasadës Franceze, Italiane. Gjermane etj. Në sallë ishin të pranishëm dhe studentët që vazhdojnë shkollimin në Rusi por edhe shqiptarët me banim të përhershëm e të përkohshëm në Moskë”. “Inva pati një sukses të jashtëzakonshëm.

Duartrokitjet të shoqëruar me brohoritjet Bravo, vazhduan  gjatë dhe pas çdo arie interpretuar nga Diva e muzikës. Ato vazhduan sidomos pas skenës nga akti i tretë i operës Lucia di Lammermur (Il Dolce suono) të Gaetano Doniceti , të njohur në interpretimin e Invës pas filmit të Luk Bessonit  “Elementi i pestë  si dhe aries së Margaritës nga opera Faust të Sharl Gunos”,  vijon artikullin e saj  Olga  Kolpakova, autore e shumë librave dhe artikujve shkencore, e cila ka punuar në ambasadën e  Rusisë në Tiranë dhe aktualisht ka emisionin e saj në gjuhën shqipe në Radio Moska.

Koncerti
Duartrokitjet e brohoritjet janë shtuar kur  Inva  Mula këndoi në fund të koncertit, romancën e bukur të kompozitorit të famshëm rus Sergej Rahmaninov, “ Këtu ndihem mirë” /Zdesj horosho/  në gjuhën ruse. Përqafime me maestro Vladimir Spevakov, puthje dore,  përshëndetje të përzemërta me solistët e Orkestrës janë shoqëruar nga duartrokitje të gjata të publikut në sallë që u ngrit në këmbë gjatë kësaj mbrëmje për ti dhuruar shumë lule në fund të kësaj mbrëmje. “Kalova emocione të jashtëzakonshme të cilat do të më shoqërojnë gjatë.

Ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, shprehu  sopranoja e njohur e cila vlerësoi bashkëpunimin me Orkestrën Kombetare Filarmonike të Rusisë e duartrokitur nga publiku, veçanërisht kur maestro Spivakov mori në duar violinën e tij  Stradivari. Koncerti në  Moskë  i Inva  Mulës ishte paralajmëruar prej kohësh. Afishet me portretin e Invës  ishin vendosur në skaje të ndryshme të Moskës dhjetë milionëshe. Kanale të ndryshme të Radios dhe të Televizionit në rubrikat kulturore dhe muzikore lajmëruan  për koncertin e këngëtares shqiptare. Por e prisnin Invën dhe miqtë e saj – muzikantë të shumtë rusë, ndër të cilët edhe violinisti e dirigjenti i mirënjohur Vladimir Spivakov me bashkëshorten e tij. 

Ftesa
Vladimir Spevakov, violinist e dirigjent i shquar, drejtues  artistik i orkestrës së famshme  "Virtuozet e Moskës"  ishte i pari që e ftoi Inva Mulen  në Rusi. Ishte  dhjetor i vitit 1997 kur ajo këndoi në sallën e famshme  të Konservatorit të Moskës i cili mban emrin e të madhit  Pjoter Ilic Çajkovski. Inva Mula, e kujton shpesh këtë mbrëmje jo vetëm për arsye që në sallën e madhe u mblodh ajka politike dhe artistike e Moskës, nga çifti Elcin dhe anëtarët e qeverisë ruse e deri tek muzikantet e njohur rusë, por edhe për emocionet e veçanta që ajo provonte kur në radhën e parë shikonte fytyrat e prindërve  të saj, Ninës dhe Avniut, artistë me  diploma të shkëlqyera të Konservatorit  Çajkovski. Dhe ai koncert pati një  jehonë te jashtëzakonshme, ndërkohë që u realizua  ëndrra e vjeter e babait të saj, Avni Mula, që shihte vajzën e tij në skenën e famshme të Konservatorit Çajkovski ku dikur kishte kënduar me një sukses të madh ai vetë.

Por emocione të mëdha do të ketë provuar edhe nëna e Invës e cila preku suksesin e Invës, në kryeqytetin e atdheut të saj.  “Inva Mula jeton sot me një ritëm aktiv dhe lëviz  shume  nëpër botë, këndon në skenat më të famshme të metropoleve botërore. Inva Mula përfaqëson kulturën shqiptare” shkrua, Olga  Kolpakova. Ajo shton se, “në programin e koncertit në Moskë pas emrit e saj shkruhej në kllapa Shqipëri-France. Unë si ruse do të doja ta shtoja në mes Rusinë , sepse kur shoh sytë e Invës shoh një copë të kaltër të qiellit rus. Një autor shqiptar, e quati Inva Mulën një ikonë të artit shqiptar në  botë. Dhe neve, rusëve, kjo ikone na pëlqen shumë ”, përfundon mikja e Shqipërisë shkrimin e saj. Suksesi i Inva Mulës, në Rusinë e  nënës së saj , nuk përfundon këtu.. !!! Në dhjetor të 2014 , adhuruesit rusë të muzikës do të kenë kënaqësi ta dëgjojnë sërish  zërin manitës të Inva Mules në Gala-Koncertin me rastin e inagurimit të godinës së re të  teatrit te Helikon-Operas në Moskë me ftese të mikut të saj Dmitrij Bertman.
 
 Shkrimi u publikua sot (17.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?