Foto ilustruese

Suedia do të lejojë praninë e përkohshme të trupave të NATO-s

10 Qershor 2023, 19:46| Përditesimi: 10 Qershor 2023, 19:50

  • Share

Suedia do të lejojë trupat e NATO-s dhe armatimin e saj të vendosen në territorin suedez në baza të përkohshme si dhe do të rrisë nivelin e ndërveprimit të mbrojtjes suedeze.

Vendimi është marrë nga qeveria për shkak të “situatës serioze në pjesën tonë të botës” dhe synimi është forcimi i partneriteteve të mbrojtjes, shkruajnë kryeministri suedez, Ulf Kristersson dhe ministri i Mbrotjes Pål Jonsson në një artikull të publikuar në gazetën suedeze Dagens Nyheter.

“Përgatitjet mund të konsistojnë në vendosjen e përkohshme të pajisjeve dhe personelit të huaj në territorin suedez. Vendimi i dërgon një sinjal të qartë Rusisë dhe forcon mbrojtjen e Suedisë”, vazhdoi artikulli.

Qeveria suedeze shtoi se bazat e përkohshme do të jenë në vende me rëndësi strategjike si në provincën veriore të Norrbotten ose vendosja e sistemeve të mbrojtjes ajrore në jug.

Suedia është ende në pritje të miratimit të kërkesës së saj për anëtarësim në NATO. Suedia dhe Finlanda dorëzuan një kërkesë të përbashkët për anëtarësim në NATO vetëm disa javë pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Finlanda u bë anëtare e NATO-s në fillim të këtij muaji. Por kërkesa e Suedisë ende nuk është miratuar nga dy vende anëtare të NATO-s, Turqia dhe Hungaria.

Ankaraja ka akuzuar Suedinë për strehim të grupeve pro-kurde që ajo i konsideron terroriste, gjë që Suedia e mohon. Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg zhvilloi së fundmi bisedime në Stamboll me presidentin Rexhep Tajip Erdogan, ku siguroi liderin turk se Suedia kishte respektuar marrëveshjet që u arritën vitin e kaluar në samitin e Madridit. Stoltenberg tha se shpresonte se pranimi do të zyrtarizohej përpara samitit të korrikut në Vilnius. Përfaqësuesit turqë dhe suedezë janë planifikuar të takohen në ditët në vijim për të vazhduar negociatat.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?