Subvencioni i grurit, ‘digjen’ mbi 10 mijë fermerë në Lushnjë, mbollën tokat me farën e vet, duhej fatura për aplikimin

16 Dhjetor 2022, 17:57| Përditesimi: 16 Dhjetor 2022, 18:07

  • Share

Rreth 12 mijë fermerë të Lushnjës e Divjakës aplikuan për të përfituar subvecionin për grurin në vlerën e 30 mijë lekëve për hektar. Por në ditën e fundit të aplikimit, rezulton se 10 300 fermerë u skualifikuan dhe vetëm 1700 janë përfitues. Fermerëve iu kërkuan 4 dokumente: NIPT-i, kontrata noteriale për tokat me qira ose certifikatë pronësie, faturë fiskale për plehrat kimikë dhe faturë fiskale për blerjen e farës së grurit. Pikërisht kriteri i fundit dogji fermerët, pasi shumica prej tyre nuk e kanë blerë farën e grurit, por e kanë siguruar nga fermat e tyre.

“Kërkojnë dokumentet, unë i dorëzova. Për farën e grurit nuk kisha faturë se farën e grurit e kisha nga prodhimi i vjetshëm. Ndërsa faturën për plehrat kimikë e dorëzova”, tha një fermer.

“Unë faturën e  grurit nuk e kam! Po e fituam mirë, po nuk e fituam s’di ç’të them. Për një hektar grurë që kam mbjellë, po bredh lart e poshtë për të plotësuar letrat”, tha një tjetër.

Drejtori i Agjencisë Rajonale së Ekstensionit Bujqësor në Lushnje tha se 16 dhjetori ishte afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit dhe në këtë pikë shumë aplikante nuk ia dolën të shpallen fitues.

“Një pjesë e fermerëve i kanë mbjellë tashmë tokat me farën e vet, por për të bërë të zbatueshëm udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë duhet patjetër fatura fiskale për blerjen e farës së grurit. Kjo ka bërë që shumë fermerë të digjen për këtë vit”, tha Ferdinant Shani drejtor i AREB Lushnjë.

Kujtojmë se në korrik të këtij viti, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca njoftoi vendimin e qeverisë për të mbështetur prodhuesit e grurit në vend, për shkak se lufta në Ukrainë solli rritje të çmimit të drithëra të importit. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?