Stuhi dhe përmbytje në Vlorë
e Durrës, pezullohet lundrimi
|

4 Shkurt 2012, 16:53| Përditesimi:

  • Share
TIRANE-  Moti i keq vazhdon të përfshijë gjithë vendin. Por ndërsa veriu është mbuluar nga bora, reshjet e  të cilës janë shoqëruar me erëra të forta dhe temperaturat e ulëta, pjesa tjetër e vendit që prej mbrëmjes së djeshme është përfshirë nga shtrëngata shiu. Në Durrës dhe Vlorë shtrëngatat kanë shkaktuar probleme dhe përmbytje. Eshtë pezulluar lundrimi në portin e Durrësit e të Vlorës  Ndërsa tragetet e linjës Bari- Durrës, që kishin për tu nisur mbrëmë janë nisur, mëngjesin e sotëm, 7-8 orë me vonesë. Stuhia detare parashikohet të vazhdojë gjithe ditën. Shtrëngata shiu dhe në Tiranë, Fier, Gjirokastër, Lezhë.

PERMBYTET DURRESI
Reshjet e dendura të shiut që kanë filluar sot në orët e para të mëngjesit kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve kryesisht në kryqëzimet rrugore të Durrësit. Përmbytjet e disa rrugëve në hyrje të qytetit, në zonën e Plazhit si dhe në lagjet 1, 15 dhe 18 kanë vështirësuar trafikun normal të automjeteve. Vështirësi kanë patur edhe kalimtarët. Rrjeti i amortizuar i sistemit të kanalizimeve në disa nga lagjet periferike e ka rënduar edhe më tej situatën për një pjesë të familjeve që banojnë në zonën e plazhit dhe Shkozetit. Një ekip me specialistë nga bashkia dhe prefektura po ndjekin në terren situatën e krijuar, raporton atsh.

STUHIA NE PORTIN E DURRESIT
Tragetet e linjave Durrës- Bari dhe anasjelltas janë nisur me vonesa disa orëshe nga portet përkatëse. Stuhia detare dhe era e fortë me drejtim nga juglindja e ka bërë pothuajse të pamundur nisjen e trageteve mbrëmjen e së premtes drejt portit të Barit. “Nga tre tragete që ishin për tu nisur, vetëm njëri, targeti “Rigel” është nisur mbrëmë në orën 23:00 ndërsa dy tragetet e tjera, “Riviera Adriatika”, dhe “Ankara” janë nisur sot në mëngjes në orën 06:00. “ bën të ditur kapitein i kapitenerisë së portit të Durrësit, Hysni Ruçi I cili sqaron se e njëjta situatë meteodetare është për të dy brigjet.

“Dy tragete që vijnë nga Bari dhe që kishin për tu nisur mbrëmë, janë nisur sot në mëngjes në orën 06:00. Stuhia detare dhe reshjet e shiut pritet të vazhdojnë gjithë ditën duke penguar lundrimin e anijeve të tonazhit të vogël dhe të motopeshkatoreve. “Era fryn në drejtim të jugut me shpejtësi 30 milje, dhe një det me dallgë mbi 6 ballë”- na informon zoti Hysni Ruçi.

SARANDE, PARALIZOHET LUNDRIMI

Tre tragete udhëtarësh, të linjës ndërkufitare detare Sarandë-Korfuz , nuk janë lejuar ditën e shtunë të lundërojnë në det për shkak të motit të keq që ka mbizotëruar gjatë 48 orëve të fundit në jug të vendit.
Burime zyrtare nga kapiteneria e portit të Sarandës, thanë për ATSH-ës, se, “për shkak të dallgëzimit të detit që ka shënuar 6.6 ballë, tragetet “Kaliopi”, “Riviera” e “Delfini” nuk janë lejuar të lundërojnë drej ishullit grek të Korfuzit dhe anasjelltas”.
Zyrtarët e kapitenerisë thonë se situata e paralizimit të lundrimit të trageteve të linjës ndërkufitare pritet të vazhdojë deri nesër në mbasdite, pasi sipas sinoptikanëve, gjatë gjithë ditës së sotme rreshjet e shiut do të shoqërohen me stuhi. Terminali i portit të Sarandës çdo ditë përpunon mesatarisht 300 udhëtarë, kryesisht emigrantë që jetojnë dhe punojnë në zonat ndërkufitare në kufirin Shqipëri-Greqi.

VLORE, PERMBYTJE, PEZULLOHET PUNA NE TRAGET
I gjithë qarku i Vlorë është përfshirë nga shtrëngata shiu. Era ka fryrë e fortë dhe deti me dallgë. Reshjet e dendura të shiut parashikohet të vazhdojnë gjatë gjithë ditës. Burime të Kapitenerisë së Portit thonë se lëvizja e trageteve Brindizi- Vlorë është pezulluar, është pezulluar dhe lundrimi i peshkaraxheve e anijeve të vogla.
Disa rrugë të qytetit janë përmbytur nga uji, ndërsa ka pasur probleme dhe sa i përket furnizimit me energji.
 Kjo tablo sinoptike, që është rrjedhojë e pëfshirjes së rajonit në një zonë me presion atmosferik të ulët, do të shoqërohet me një rritje graduale të vlerave të temperaturave. Sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Jugperëndim, me shpejtësi nga 4-6 deri në 8-10 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 10-12 gradë celcius dhe ato minimale nga 6-8 gradë celcius. Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.

FIER, SHTRENGATA SHIU, FRYHET GJANICA E VJOSA 
Në Fier furtuna me rrebeshe shiu dhe erëra të forta, kanë vazhduar gjithë natën dhe vazhdojnë duke përkeqësuar situatën në rrjetin e arterieve rrugore që përfshijnë qarkun e Fierit. Lumi Gjanica dhe Vjosa janë fryrë tejmase duke përhapur frikë te banorët që kanë banesat pranë këtyre dy lumejve. Shefi i Qarkullimit Rrugor, Gëzim Gostujani, ka thënë për atsh-në, se janë përcaktuar segmentet më problematike, janë ngritur njësi shërbimi shtesë të cilat patrullojnë në këto segmente dhe në pikat hyrëse-dalëse të qytetit, ku trafiku është edhe më i rënduar. Sipas tij, një tjetër pikë ku është përqëndruar puna e rrugorëve është aksi rrugor që lidh rrugën nacionale Fier-Tiranë me hyrjen e qytetit dhe ai i komunës së Mbrostarit. Kjo për shkak se pritet të fillojë operacioni për nxjerrjen e 6 vagonave me karburant, që kanë dalë nga shinat dhe kanë bllokuar rrjetin hekurudhor që nga data 30 dhjetor 2011.

(sg/aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?