Studimi/ “Fenomeni Blushi”, a është
vërtetë politikani-shkrimta

13 Dhjetor 2013, 05:30| Përditesimi:

  • Share
STUDIMI/ - “Të jetosh në ishull”, “Otello-Arapi i Vlorës”, “Shqipëria”, janë tre romane të politikanit Ben Blushi që dolën në dritën e botimit brenda një harku të shkurtër kohor prej 4 vjetësh (2008-2012). Çështja, nëse është vërtetë shkrimtar ky politikan i ri dhe ende i panjohur në letrat shqipe, u bë objekt i një debati që përfshiu opinionistët mediatikë dhe studiuesit e letërsisë. Ben Blushi u përfol për retorikën e rrëfimit, nëpërmjet së cilës ka dekoduar simbolet më të njohura kombëtare, krenarinë për atdheun, Kanunin e Lekë Dukagjinit, figurën e Ali pashë Tepelenës, etj. Pas këtyre debateve studiuesi i njohur i letërsisë shqipe, Behar Gjoka, autor i studimeve prestigjioze “Poetika e Budit”, “Proza e Kutelit”, “Martin Camaj, shkrimtaria e tij”, “Kadare i rilexuar”, etj., nis kërkimin kritik profesional në shtjellat e shkrimit letrar të Ben Blushit.

Duke e parë fenomenin Blushi sipas një këndvështrimi të ri metodologjik, Behar Gjoka ka nxjerrë në dritën e botimin librin më të ri studimor. E titullon thjesht “Fenomeni Blushi”, një titull paksa provokues që ngacmon të dyja skajet e qenies së Ben Blushit si politikan dhe shkrimtar. A kanë vlera letrare tre romanet e shkrimtarit politikan Ben Blushi? Pikërisht kjo është përgjigjja që marrim në librin e ri të Behar Gjokës, i cili përveç kësaj na jep në dorë edhe kodet sesi duhet parë dhe perceptuar një tekst letrar jashtë paragjykimeve dhe provokimeve jashtëtektuale të retorikës letrare.

“Blushi, duam apo nuk duam, është një pikë interesante e shkrimit letrar, që ka tërhequr vëmendjen e lexuesit të shumë fushave, dhe unë po rrekem të them se kjo nuk është vetëm pse ai është në politikë, ose që herë pas here duket edhe në gazetari, të cilën më parë e ka pasur fort për zemër, por se ka këto elementë të tekstit, të rrëfimit, të stilit të përveçëm, që e bëjnë atë pjesë të letërsisë moderne dhe postmoderne. Blushi me të tre këto tekste, pra me romanet e tij është një pikë preferenciale e marrëdhënies unike të lexuesit me letërsinë shqipe”, shkruan Gjoka.

Si studiues me mendje të hapur, Behar Gjoka duket se e vlerëson shumë marrëdhënien e shkrimtarit me lexuesin, “marrëdhënie unike”, citon ai. Nisur nga kjo, lë gjithmonë një tezë të hapur gjatë vlerësimit të tri veprave të Ben Blushit, ku shkruan se: “Megjithatë mbetet krejt i hapur debati se cili do të jetë kulmi i shenjës letrare që ai do të lërë në letërsinë shqipe”.

Studiuesi Gjoka e koncepton si një fenomen të letërsisë së sotme shqipe rastin e shkrimtarit Blushi. Për të kuptuar thelbin e këtyre veprave Gjoka ka studiuar origjinën e frymëzimit letrar të shkrimtarit-politikan. Duket se detajet që kanë ndezur fantazitë e shkrimtarit Ben Blushi, kanë provokuar edhe debatet e para. Këtë më mirë e shpreh studiuesi Gjoka: “Ne edhe pse e lexojmë tekstin, përgjithësisht kemi parasysh Blushin si politikan dhe gazetar dhe pavarësisht këtyre rrethanave, pra e lexojmë duke e paragjykuar, në bëmat dhe mungimet e këtyre aspekteve”. Këtë marrëdhënie delikate studiuesi Gjoka e ka argumentuar pa mohuar ndikimet në veprën e Blushit si politikan dhe gazetar, duke u shprehur se nga këto rrethana Blushi ka mundur të përftojë vetëm një vlerë: “Informacionin dhe qëndrimin që mban ndaj kohës dhe historisë”.

Këtu lexuesi e ndan mendjen se kaq mjafton, ndërsa ndjekim Gjokën me një varg argumentesh për vështrimin e thellë dhe perceptimin estetik të tekstit letrar, gjë që në fushën e studimit të letrave shqipe ende nuk është kthyer në traditë. Kështu që studiuesi Gjoka, pasi shmang konkluzionin përfundimtar për cilësinë letrare, gjë për të cilën i lë radhën kohës dhe lexuesit, nuk heziton të pohojë se “Fakti që ndalem te romanet  Blushit, do të thotë se kanë një vlerë, sepse në gjykimin tim shënojnë një pikë ndryshimi, një pikë kthese në marrëdhënie me letërsinë, mbase një përmbysje të nevojshme, për të riformuar etikën e letrares. Letërsia shqipe, më në fund nuk është kërkim drejt temave të mëdha, që tregon që po ikim realisht prej modelit të soc-realizmit.

Pra, me pluse dhe minuset që mund të ketë nganjëherë vepra, studiuesi na lë të kuptojmë edhe arsyen pse botoi një libër për “fenomenin Blushi”. Nuk ka pikë dyshimi, po t’iu referohesh argumenteve në këtë libër studimor, se tashmë Blushi do të jetë një gur i rëndë në ngrehinën e letërsisë moderne shqipe. Temat e kërkimit letrar për veprën e Ben Blushit përfshijnë ndër të tjera: praninë dhe rolin e mitikes në këto romane; pamundësinë e leximit të letërsisë si histori, retorikën e rrëfimit, parodinë e universit letrar, shenjat postmoderne të tekstit, etj.  

STUDIUESI GJOKA, VLERESIMET PER ROMANET

Fragmente nga libri “Fenomeni Blushi”

 “Të jetosh në ishull”
“Pjesë  e këtij keqkuptimi (ku teksti letrar i kërkohet të plazmohet sipas mentalitetit të kohës), me gjasë më tepër duhet thënë të një keqleximi, krahas veprave të Sabri Godos, Ismail Kadaresë, në një kuptim është bërë edhe Blushi, me të tre romanet, por veçanërisht debati historik dhe antihistorik, ngjau me romanin e parë me tekstin “Të jetosh në ishull”. Mbase pikërisht kjo rrethanë e debatit dhe kundërshtisë vjen edhe prej faktit se Blushi ka dëshmuar për një mani dhe parapëlqim për t’u marrë me mitiken dhe historiken, gjithnjë si një rrekje për ta dekoduar atë, por edhe si një makth për t’u çliruar prej saj, si me thënë prej adhurimit të panevojshëm, duke ndërfutur kështu tipologjinë shprehëse të postmodernes, si ironi intertekstuale, që shpalohet sidomos me ngjyresat e hapësirës së gjerë intertekstuale”   
 
“Otello, Arapi i Vlorës”
“Romani i dytë i Ben Blushit, me titull jo pak provokues dhe lodërtar, madje edhe me tepër paradoksal dhe absurd, “Otello Arapi i Vlorës”, sërish edhe njëherë tjetër, ka vënë në qendër të hapësirës së vetë tekstologjike, në shtjellimin e fabulës dhe karaktereve, fatin e arbënorëve/shqiptarëve, që gjendet pikërisht në këtë pikë të horizontit. Pikëvështrimi autorial i fatit (të mbrapshtë në jo pak shekuj) të shqiptarëve, kudo qoftë ata mbijetojnë, bazuar këtu vetëm në materien e romanit, lidhet ngushtësisht dhe njëkohësisht me shumë aspekte dhe gjasa të komunikimit me botën: gjeografike, fetare, historike, qytetëruese....
Prekja në rrafshe që tashmë nuk përbëjnë tabu në jetën e qenies njerëzore, siç është morali dhe amoraliteti, është një anë tjetër e pranishme në hapësirat e tekstit të këtij romani, që e dallon nga tekste e tjera të jo pak prozatorëve dhe shkrimtarëve të bashkëkohësisë”  
 
“Shqipëria”
Realiteti i prezantuar qysh në nisje të romanit, që na vjen me titullin Zoti dhe Lekë Dukagjini, që ngre siparin e një dialogu të befasishëm dhe paradoksal, mbi sipërmarrjet absurde të shqiptarëve, në këtë rast të Lekë Dukagjinit, që është kthyer në një simbol të dyzuar të pranisë së të drejtës zakonore shqiptare, qysh në hershmëri, si dhe për një pjesë të përfillshme, po kaq rrethana e kësaj marrëdhënieje shihet si kryeshkaku i gjakmarrjes. ....Në fakt thellon paradoksin sidomos atëherë kur niset për të zbuluar tiparet dhe mungesat e shqiptarëve: “natyrisht që shqiptarët krenohen se gjatë gjithë jetës së tyre nuk sulmuan askënd, nuk morën armët për të pushtuar asnjë popull tjetër, nuk zaptuan asnjë centimetër toke sesa kishin, por në këtë pikë historia dhe morali ndahen, sepse historia ka treguar se kush sulmon fiton, ndërsa morali mbetet i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm, për të kthyer një popull në shtet dhe për ta shtuar dhe zbukuruar farën e tij, (faqe 145).”
 
Shkrimi u publikua sot (13.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?