Strategjia për goditjen e krimit
Haki Çako takon ekspertët e FBI 

8 Nëntor 2017, 14:24| Përditesimi:

  • Share
Prej pak ditësh ndodhen në Shqipëri dy përfaqësuesit e FBI-së që do të asistojnë në luftën kundër krimit të organizuar trafiqeve, terrorizmit dhe korrupsionit. Sot Jack Liao dhe Mark Newhouse kanë zhvilluar një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako.

Gjatë takimit me dy përfaqësuesit e FBI-së, atasheun e FBI, Jack Liao dhe Mark Newhouse, agjent special i FBI-së, i specializuar për hetimin e krimit të organizuar, u vlerësua me nota shumë pozitive bashkëpunimi mes FBI-së dhe Policisë së Shtetit.

Në takimin mes Çakos dhe agjentëve të FBI është diskutuar për strategjinë për goditjen e grupeve kriminale në Shqipëri. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Policia e Shtetit, në takim u konfirmua vullneti i zyrtarëve amerikanë për të ndihmuar policinë shqiptare kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë specifike kundër krimit financiar, transfertave të paligjshme dhe aseteve të ardhura nga aktivitete kriminale.

Drejtori i Përgjithshëm Çako falënderoi zyrtarët e FBI-së dhe u shpreh se eksperienca e tyre do të shërbejë për orientim drejt rrugëve më të mira për të goditur dhe vënë përpara përgjegjësisë grupet e strukturuara kriminale.

Më pas zyrtarët e FBI-së janë takuar me Drejtorin e Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, Idajet Faskaj. Takimet e këtij delegacioni do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar. Ministri Xhafaj u shpreh sot se përpos dy agjentëve të FBI në Tiranë do të vijnë edhe ekspertë nga Gjermania dhe Italia. 

[gallery]24593[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?