Vjosa Osmani dhe Jens Stoltenberg

Stoltenberg viziton sot Kosovën dhe rajonin! Takim me Vjosa Osmanin

20 Nëntor 2023, 07:49| Përditesimi: 20 Nëntor 2023, 08:45

  • Share

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të vizitojë sot Kosovën (20 nëntor), në kuadër të një vizite në disa vende të Ballkanit. Stoltenberg do ta nisë vizitën në Ballkan fillimisht në Bosnje-Hercegovinë, ndërsa pasdite do të mbërrijë në Kosovë. 

Sipas agjendës, në Kosovë shefi i NATO-s do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe me komandantin e misionit paqeruajtës të aleancës në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutash. Vizita e Stoltenbergut në Kosovë vjen në kohën e tensioneve, por edhe paralajmërimeve për konflikte të mundshme.

Më 21 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të ndalet në Serbi dhe Maqedoni të Veriut. Në këtë të fundit, do të qëndrojë edhe më 22 nëntor.

Prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, janë pjesë e aleancës. Zyrtarët shtetërore të Kosovës kanë shprehur disa herë synimin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Vitin e kaluar, kryeministri i Kosovës, e ka përmendur se synon që vendi të anëtarësohet në programin e NATO-s, Partneriteti për Paqe. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur këtë vendim të Kosovës, ndonëse kanë tërhequr vërejtjen se për një anëtarësim të tillë duhet miratim i të gjitha vendeve të aleancës.

Nga 31 vende anëtare të NATO-s, Kosovën si shtet të pavarur e kanë njohur 27 prej tyre ndërsa katër (Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja) ende jo. Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Aktualisht, NATO-ja është prezente në Kosovë përmes misionit të saj, KFOR. Deri në nëntor të vitit 2023, pjesë e këtij misioni kanë qenë 4.687 trupa prej 27 vendeve të botës.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?