Politikë

Statuti i partisë/ Basha e Kadilli sërish ‘përballë’, nesër komisioni statutor në PD zgjedh mes propozimeve

13 Korrik 2021, 21:00| Përditesimi: 13 Korrik 2021, 19:21

  • Share

Lulzim Basha dhe Fatbardh Kadilli vihen sërish përballë njëri tjetrit. Këtë radhë jo për post, por për mënyrën sesi ata konceptojnë reformimin e partisë. Të mërkurën, grupi i ngritur në Partinë Demokratike do të vendosë në peshore propozimet për ndryshimet statutore, e bashkë me to, idetë reformuese të Bashës e Kadillit. 

Ndonëse parashikojnë ndryshime në cdo qelizë të partisë, si një mënyrë demokratizimin e mëtejshëm të partisë,  propozimet e Bashës dhe Kadillit ndryshojnë shumë nga njëra tjetra.

Kështu ndryshimi më i rëndësishëm është propozimi i Kadillit për sanksionimin në statut të kufizim të mandatit të kryetarit të partisë në 4 vjet në rast të humbjes së zgjedhjeve, propozim ky që nuk preket aspak nga Basha.

“Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH”, tha Basha.

"Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katër vjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve; Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës", tha Kadilli.

Krejtësisht të kundërt janë propozimet e tyre edhe sa i takon propozimit të sekretarëve. Kadilli nga njëra anë i heq kompetencat kreut të partisë dhe kërkon që të këto organe drejtuese të miratohen nga një strukturë e re, Këshilli i të urtëve, teksa kufizon në 5 numrin e Sekretariatëve, ndryshe nga Basha që synon t’ë shtojë numrin duke  lënë pa limit sekretarët.

"Këshilli i të Urtëve zgjedh:  Administratorin e Përgjithshëm, me funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm; Sekretariatin për Etikën; Sekretariatin për Zgjedhjet në Parti; Sekretarin për Organizim dhe Burime Njerëzore; Sekretariatin për Çështjet e Statutit; Sekretariatin për Administrimin e financave të partisë", thotë Kadilli.

“Është rikonceptuar Sekretariati Ekzekutiv i Partisë, duke hequr numrin limit të sekretarëve funksional në përbërje të tij. Ky rregull është shtrirë edhe për Degët e Partisë.”, shton Basha.

Por që të dy, Basha e Kadilli bashkohen në një pikë, në hartimin e listave të kandidatëve për deputetë, dhe kandidatët për kryebashkiakë, për të cilën vulën duhet ta japë kryetari i partisë. Të gjitha këto propozime do shqyrtohen në mbledhjen e së mërkurës së komisionit për ndryshimet statutore në PD.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?