Stano konfirmon letrën e deputetëve evropianë e amerikanë për Borrellin

8 Gusht 2023, 20:26
  • Share

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të përbashkët të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka pranuar një letër nga dhjetëra përfaqësues politikë evropianë dhe amerikanë, të cilët kanë kërkuar nga Brukseli dhe Uashingtoni që të ndryshojnë qasjen e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë, ka konfirmuar zëdhënësi i Brukselit, Peter Stano.

"Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë korrespondencën që Përfaqësuesi i Lartë (Borrell) merr nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse akterët përkatës i shkruajnë atij, ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse. Ne nuk bëjmë korrespondencë përmes mediave", tha Stano në një deklaratë për media.

Pesëdhjetë e gjashtë deputetë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar përmes një letre “ekuilibër dhe proporcionalitet në ndërveprimin me Kosovën dhe Serbinë”.

Megjithatë, Stano rikujton se politikën e jashtme të BE-së e bëjnë 27 shtete anëtare njëzëri dhe se ka bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në.

Duke konfirmuar neutralitetin në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i BE-së thekson se institucionet e Brukselit e vlerësojnë angazhimin e palëve në dialog “në bazë të meritave të tyre individuale dhe raporteve para shteteve anëtare”.

"BE-ja u ka dërguar kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit. Bashkimi Evropian po monitoron me kujdes nëse Serbia i përmbush kërkesat e saj dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mosrespektimit të këtyre kërkesave”, tha tutje Stano.

Në muaj qershor Brukseli vendosi masa ndaj Qeverisë së Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave ndërkombëtare lidhur me shpërkallëzimin e situatës në veri të vendit.

Një muaj më vonë Kosova pranoi të ndërmarrë disa hapa, të cilat Brukseli i vlerësoi si “hap në drejtimin e duhur”, por thuhet se masat do të hiqen vetëm kur të plotësohen të gjitha kërkesat./ RTKLive

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?