Elisabeth dhe Jean – Paul Champseix

Stalinizmi shqiptar, në sytë e mprehtë të dy francezëve që jetuan në Tiranën e viteve ’70-të/ Vështrim kritik, rreth librit ‘Bulevardi Stalin, Nr. 57’

15 Dhjetor 2022, 07:44| Përditesimi: 15 Dhjetor 2022, 07:45

  • Share

Kur çifti Elisabeth dhe Jean – Paul Champseix (Shanse) erdhën në Shqipërinë e viteve ’80-të si mësues të gjuhës dhe letërsisë frënge, natyrisht që e kishin lexuar librin e Pierre Gilliardit i cili, shumë dekada më parë, kishte shkuar në Rusi, me të njëjtën detyrë, ku e kishte njohur nga afër përvojën e urryer paradoksale komuniste të pushtetit të Leninit. Ata, sido që të ishte, qenë përgatitur shpirtërisht për realitetin e trishtuar që do të gjenin këtu. Por kurrë nuk do ta kishin besuar se ky realitet, do ishte akoma më i hidhur se ai i Bizantit, për të cilin W. E. H. Lecky, më 1869-ën, te libri i tij “Hystori of European Morals”, vëren se: “Historia e perandorisë është një rrëfim monoton intrigash… helmimesh, komplotesh plot mosmirënjohje dhe vrasje të pafundta”. Jo or jo! I paskeshin rënë në qafë pa të drejtë Luigjit të XIV – të, ‘Mbretit Diell’ që, vërtetë sundoi plot 54 vjet nën slloganin autoritar “Shteti jam unë!” dhe në statujën e Jupiterit në kopshtin e Versajës vendosi fytyrën e vet, ama koha e tij, mirë a keq, hyri në histori si “Shekulli i Artë.”

Kurse Shqipëria e diktatorit Enver Hoxha që, shtriu telat me gjemba anë e kënd, duke e kthyer të gjithë vendin në burg, që i shpronësoi, i pushkatoi, i varfëroi dhe i tmerroi derisa, i shndërroi në skllevër shtetasit e vet të rreckosur, u mbylli gojën atyre, u kufizoi mendimin dhe i bëri hipokritë në emër të krijimit të njeriut të ri, gënjeshtrës më të madhe që ishte artikuluar ndonjëherë, a mund të quhej tjetërsoj, veçse “Koha e Mjerimit”?

Ne edhe na gënjenin, se aq e kishim mundësinë e njohjes dhe të krahasimit. Por jo ata dy francezët e mirë e të mençur që vinin nga zemra e perëndimit demokrat, të begatë, të qytetëruar e të kulturuar. Gjithmonë e kanë vizituar të huaj Shqipërinë dhe shumica i kanë shprehur me shkrim përshtypjet e tyre.

Ne edhe na gënjenin, se aq e kishim mundësinë e njohjes dhe të krahasimit. Por jo ata dy francezët e mirë e të mençur që vinin nga zemra e perëndimit demokrat, të begatë, të qytetëruar e të kulturuar. Gjithmonë e kanë vizituar të huaj Shqipërinë dhe shumica i kanë shprehur me shkrim përshtypjet e tyre.

Kurse teksa lexon librin e këtyre pedagogëve, sepse të krijohet një boshllëk brenda vetes dhe të rishfaqen skena nga absurdi i madh i asaj kohe të cilat jo vetëm të bëjnë të skuqesh, por edhe të kërkosh përgjegjësitë e tua që, lejuam të përkuleshim deri në kufijtë e të pabesueshmes dhe si naivë besuam në broçkullat e kriminelëve injorantë komunistë.

Këtë syleshllëk e ka shpjeguar fare mirë përkthyesi i Stalinit, Valentin Berezhkov i cili, te libri i tij me kujtime, arrin në përfundimin se: “Kam qenë një vjeç e gjysmë, kur u shemb Perandoria Cariste. Nipi im po mbush aq, kur u shemb perandoria sovjetike.

Mos dhëntë Zoti të përjetoi dhe ai ato që iu desh të kalonte brezi im…!” Se këtu te ne, jo vetëm rruga ku ata banonin mbante emrin e atij njeriu të urryer, jo vetëm statuja e tij dominonte dhe sfidonte mendjet e qytetarëve, por dhe ideologjia që ai eksperimentoi me popullin e tij, mbisundonte dhe zbatohej pa vrasjen më të vogël të ndërgjegjes, për dëmet që sillte.

Kuptohet lehtë se autorët e kanë dashur vendin tonë, popullin shqiptar dhe e kanë ndier veten misionarë të përparimit. Por ata nuk kanë mundur t`i mbyllnin sytë para zymtësisë zherminaliste, para hipokrizisë të njerëzve, me të cilët i lidhte puna apo që rastësisht takonin kudo që shkonin.

Si të mos u bënte përshtypje survejimi i përhershëm dhe shpesh qesharak nga ana e Sigurimit të Shtetit? Si të mos i shqetësonte syçelësia e drejtuesit politik të fakultetit ku ata jepnin mësim dhe ajo e virgjëreshave vigjilente, siç i quanin ata sekretaret e rinisë.

Kudo, ata njerëz miqësorë, të etur për biseda, diskutime e debate, rrethoheshin vetëm nga dyshime, aq sa deklarojnë: “Nuk ia arrinim dot të largonim mosbesimin e të tjerëve dhe pas një farë kohe, njeriu e ndien veten të poshtëruar në kërkim të kontakteve me të tjerët. Nuk na ngelej tjetër: ose ta shpërfillnim këtë vend ose, ta zbulonim me mjetet tona pa e ndryshuar vetveten”. Dhe ata zgjodhën dhe e realizuan më së miri këtë rrugën e dytë që paradoksalisht shmangu edhe atë të parën; shpërfilljen.

Të kufizuar siç ishin, pa kontakte me të tjerë, pasi askush nuk u hynte dhe askush nuk i ftoi ndonjëherë në shtëpi, kuptohet nga frika, ata me një shqisë të çuditshme dhe me një mendjemprehtësi të rrallë, arritën të shohin gjithçka dhe të analizojnë çdo fenomen e ngjarje të sotme, të retrospektivës apo dhe të perspektivës.

Mure dhe rrugë të mbushura me parulla, ngado fusha të mbjella me bunkerë, rast e pa rast fjalime pompoze e parada “suksesesh”, gazeta, radio dhe televizorë mbushur me propagandë që flisnin për skamjen e vendeve borgjeze e revizioniste dhe lumturinë e shqiptarëve, luftë lirisë së ndërgjegjes dhe të besimit, kthimit të objekteve të kultit në reparte ushtarake dhe magazina zarzavatesh, një arkitekturë mizerabël, radha të pambarim për diçka sa për të mbajtur shpirtin gjallë, mungesa gjithmonë në rritje, pa rrugë e pa komunikacion bashkëkohor, kufizime nga më të pabesueshmeve deri edhe te filmat e literatura, ku autorët e huaj përzgjidheshin me saktësi ponti fikësh.

Plenume me shpallje armiqsh që s`mbaronin kurrë dhe që përfundonin me koka të prera si dikur në Francën e Robespierit, vrasje djemsh të rinj për tentativë kalimi kufijsh, dhe vite të gjata burgimi për një fjalë goje – ja aspektet mbi të cilat pikturohej në sytë e tyre vendi ku qenë caktuar të punonin për gjashtë vite me radhë.

Kur kalonin në rrugë, si mund të mos u binte në sy habia e përgjithshme dhe zilia e kalimtarëve për këpucët që këta të huaj kishin veshur, apo shikimi i përvuajtur i fëmijëve që kërkonin ndonjë stilolaps a çamçakëz. Është e kuptueshme, se në të gjithë këtë mozaik karikature, do zgjedhësh si mjet përshkrimi edhe ironinë edhe sarkazmën, ndaj shpesh duke lexuar nuk e mban dot të qeshurën. Edhe pse është për të qarë.

Të mbetet në mendje rasti i punonjësit të ambasadës italiane që fëmijë dhe ushtarë bashkë i kërkonin llogari se ç`donte tek ajo gëmusha, ku ai i ziu kishte defekuar nga halli dhe i duhej birit të ulkonjës të justifikohej me gjuhën e Dantes se nuk kishte bërë ndonjë spiunllëk apo ai i sigurimsave që natën teksa ruanin pallatin ku banonin të huajt, mbulonin kokën dhe rrëmonin për ndonjë leckë në kazanët e plehrave kapitaliste. Të gjitha këto e plot e plot të tjera, çifti francez i dallonte menjëherë, kurse udhëheqësit tru mykur komunistë vazhdonin me kokëfortësi të bënin sikur s`i shihnin.

Ka nota keqardhjeje dhe pikëllimi kur ata tregojnë sesi ushtarët, vrasin teksa peshkonte bashkatdhetarin e tyre Zhan – Mari Maselen, organizator i kompanisë Club Mediterranee të Korfuzit. “Vetëm disa kilometra e ndajnë vendin ku ndodhet klubi, i cili ka për moto kënaqësinë, dhe Shqipërinë psiko – të ngurtë që pret ndonjë sulm me pushkën në sy.

Është e natyrshme që takimi mes këtyre dy botëve të krijojë shkëndija.” Ndesh në libër përshtypje për ciganët, pakicat në jugë, kosovarët dhe problemin kombëtar, vëllezërit Popa që shënuan çarjen e parë të “Titanikut” shqiptar, por më së shumti aty zenë vend marrëdhëniet dhe mentalitetet e studentëve, se me ta i lidh profesorët direkt puna.

Ata janë të etur për dije, të kulturuar, kureshtarë, por ende të pa përgatitur për ta parë të vërtetën në sy dhe për të menduar si të pavarur. Edhe kur flasin, ata ruhen dhe duan të komunikojnë pa pasur të tjerë aty rrotull. Pyetjet që bëjnë janë interesante dhe tregojnë pakënaqësinë e tyre. “Studentë – pohojnë autorët – duan të konsiderohen si evropianë. Vuajnë kur marrin vesh se vendi i tyre për shumë të huaj është një pikëpyetje e madhe në hartë”.

Por ata njohin intelektualë tërësisht evropianë si: Vedat Kokona, Misto Treska, Jusuf Vrioni, Tedi Papavrami e deri tek Ismail Kadareja, analiza e veprës të të cilit ze në këtë libër me shumë të drejtë, një vend të rëndësishëm, pasi është ashtu sikurse thotë shkrimtari ynë i njohur, Visar Zhiti:

“Gjithmonë sipas meje, në Shqipëri ka ndodhur “fenomeni Kadare”, i pangjashëm në letërsinë e vendeve të tjera, i çuditshëm, i bukur dhe qëndrestar. Letërsia e Kadaresë vërtetë bashkëjetoi gjatë me diktaturën, të dyja në kulmin e fuqive të veta, por nuk u bë e saj e as u mposht prej saj. U bë vlerë ndryshe, mbivlerë, për të gjithë shqiptarët, ushqim i vërtetë shpirtëror, dhe arriti të çajë izolimin, duke u bërë dhe pjesë e kulturës botërore, sipërane, nga më e mira”.

Njohës të mrekullueshëm të letërsisë, autorët e shohin veprën e Kadaresë dhe anti komunizmin e tij me gjakftohtësi dhe pa anësi, për të mos thënë me admirim për talentin gjenial dhe prirjen absolute ndaj perëndimit. Ata me kënaqësi shkruajnë: “Paradoksi është i madh: në Shqipërinë e mbyllur anti perëndimore dhe shumë nacionaliste, është suksesi i tij jashtë vendit, më saktë në Francë, që do e bënte Kadarenë në krye të herës shkrimtar kombëtar”.

Dhe eseja e gjatë mbi Kadarenë mbyllet me analogjinë që ai bën me nënkuptim me Eskilin, i cili: “… thellë vetvetes e ndiente se Greqinë e kishte të tërën mbi shpatulla dhe, sado që të shkumëzonte, sado që të lëvizte supet me tërbim; atë nuk e shkundte dot kurrë. Ishte e thënë që ta mbartnin njeri – tjetrin nëpër mijëvjeçarë. Ai Greqinë dhe Greqia atë. E ndiente se kjo ishte një lidhje fatale, por kishte në atë fatalitet edhe zi, edhe dritë, edhe brengë, edhe lumturi, edhe humbje, edhe ringjallje…”!

Me përjashtim të faktit se ai nuk kishte lindur rreth 25 shekuj më parë në Eleuzinë dhe nuk kishte marrë pjesë në betejat e Maratonës dhe Salaminës a nuk ngjet tragjizmi dhe lirizmi madhështor i Eskilit me vetë veprën kolosale të Kadaresë? A nuk ka ai rolin e padiskutueshëm të ndërgjegjësimit të njerëzve për domosdoshmërinë e ndryshimit të madh? Të atij ndryshimi ku na çoi kopjimi i carizmit stalinist rus që po sipas Berezhkovit, erdhi dhe iku me faqe të zezë, njësoj si këtu te ne:

“Varfëria, dëshpërimi, radhët e pafundme për gjërat më të domosdoshme, humbja e besimit në “të ardhmen e ndritur”, boshllëku, mungesa e plotë e shpresës, si dhe frika, që mbushën shpirtrat e njerëzve, të gjitha këto shpërthejnë jashtë në skajet më të ndryshme të ish B.R.S.S. – së nëpërmjet çehres së frikshme të dhunës dhe në çdo çast rrezikojnë të kthehen në luftë të përgjithshme vëllavrasëse civile”.

I vetmi nxitim i autorëve, për mendimin tim, është cilësimi i të ndjerëve: Dritëro Agollit, të cilit nuk ia mohojnë talentin, si ‘Cerber’ dhe Alfred Uçit, si inkuizitor i estetikës! Ata mbeten dy nga intelektualët tanë të shquar që, asnjëherë nuk kanë shfaqur hezitim në dëshirën e sinqertë që: Ismail Kadareja e meriton çmimin ‘Nobel’. Dhe ka një domethënie shumë të madhe fakti që kohë më parë, vetë Presidenti i atëhershëm i Francës, i akordoi Kadaresë tone, çmimin më të lartë.

Ne të gjithë i jemi mirënjohës Francës, ashtu sikurse duhet t`i jemi mirënjohës dhe të vlerësojmë zyrtarisht punën plot përkushtim e largpamësi të çiftit francez. Elisabeth dhe Jean – Paul Champseix për sa bënë gjatë kohë qëndrimit në atë apartamentin e ngushtë të “Bulevardit Stalin”, në Shqipërinë e asaj kohe dhe për këtë libër me të vërteta tronditëse që, kurrë nuk duhen harruar.

Se sot që gjërat kanë ndryshuar për të mire, edhe ne pa frikë se do të na keqkuptojnë si dikur atë sekretarin e partisë, mund t`u themi me plot gojën atyre: “Tani keni marrë tamam hije shqiptari!”/Memorie.al

A.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Silvia: 15/12/2022 11:37

    Bulevardi Stalin - il paradosso albanese di non una sola mentalità orientale di schiavizzarsi ma anche profondamente antidemocratico e anti libertà humana e anti morale biblico (il monoteismo più vecchio è più bello della humanita)! Totale mancanza di identità e di dignità davanti alla storia albanese una delle più belle e più antiche di Europa!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?