Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Stabiliteti financiar në kohë lufte i vështirë, Sejko: Duhet koordinim i mirë i politikave fiskale e monetare

11 Janar 2023, 16:10| Përditesimi: 11 Janar 2023, 16:12

  • Share

TIRANË- Politikat monetare dhe fiskale duhet të koordinohen për të mbajtur nën kontroll inflacionin, i cili ka qenë një nga shqetësimet kryesore ekonomike të vitit 2022. Ky është apeli i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i cili mori pjesë në forumin dy ditor për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një aktivitet i përvitshëm i "Euromoney" që mbledh së bashku figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së - për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe kryesisht në ato të rajonit lindor dhe juglindor të saj.

Guvernatori Sejko ishte i ftuar si diskutant në panelin me temë “Politika monetare: një përshpejtuese fiskale, ndryshimet e papritura monetare – kufizimi i pasojave negative”, së bashku me Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut; z. Koba Gvenetadze, Kryetar i Bordit dhe Guvernator i Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë; z. Mihály Patai, Zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare të Hungarisë.

Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2022, duke e rritur normën bazë të interesit nga minimumi historik prej 0.5% në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij.

Ai u shpreh se detyra e bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të ekonomive bëhet më komplekse, në prani të goditjeve të huaja të ofertës, si rritja e çmimeve në tregun e huaj, goditje e cila buroi nga agresioni i papritur ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe që kërcënoi stabilitetin e çmimeve kudo në botë.

Guvernatori theksoi nevojën e koordinimit ndërmjet politikave monetare dhe fiskale. Në tërësi, këto politika duhet të jenë në koordinim me njëra–tjetrën, duke synuar kontrollin dhe kthimin në objektiv të inflacionit, me një kosto sa më të ulët mbi aktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst, konsolidimi fiskal në Shqipëri ka shkuar në linjë me normalizimin e politikës monetare. Megjithatë, brenda hapësirave të saj, politika fiskale ka pasur një rol parësor për zbutjen e ndikimit të goditjes në ekonominë shqiptare.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?