Spitalet shqiptare
30 mln euro borxh

7 Nëntor 2013, 07:26| Përditesimi:

  • Share
TIRANE- Sipas një raporti të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, borxhi i spitaleve është mbi 4 miliardë lekë ose sa 1/3 e totalit të buxhetit vjetor për shërbimet spitalore. 88% e borxhit është vetëm për QSUT-në. Standartet dhe treguesit e perfomancës dhe cilësisë nuk janë miratuar që nga viti 2009. Ministria e Shëndetësië ka publikuar raportin për situatën financiare të shërbimeve spitalore. Sipas këtij raporti borxhi në, të cilin gjenden spitalet në Shqipëri kapin shifrën  e më shumë se 4 miliardë lekë (30 milonë euro). Borxhet rezultojnë në barna, materiale e shërbime të tjera mjekësore e jomjekësore si edhe në detyrimet për energji dhe ujë. Ko shumë është pothuajse e barabartë me programimin vjetor të vitit 2013 të buxhetit për zërin mallra dhe shërbime (602)  të shërbimit spitalor, ose e thënë ndryshe sa 1/3 e totalit të buxhetit vjetor për shërbimin spitalor.

Rreth 3.5 milardë lekë të totalit të këtij borxhi i përket QSUT-së. Nga borxhi 3.5 miliardë i QSUT-së, rreth 1.9 miliardë lekë (14 miliardë euro) janë vetëm produkte farmaceutike, ndërsa pjesa tjetër, mallra e shërbimë të tjera. Ndërkaq spitale të tjera me borxhe të mëdha janë SU “Shefqet Ndroqi” (101, 6 milionë lekë), spitali i Elbasanit (89 milionë lekë), spitali i Pogradecit (85 milionë lekë), Materniteti Nr. 2 (59,6 milionë lekë), spitali i Shkodrës (56 milionë lekë), etj. Shërbimi shëndetësor spitalor financohet nga ISKSH duke filluar që nga viti 2009 në zbatim të Vendimit 1661, dt. 28.12.2008, të Këshillit të Ministrave. Aktualisht, bën të ditur raporti i Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH ka kontraktuar 39 spitale, 4 prej të cilave janë spitale universitare, 11 spitale rajonale dhe 23 spitale në nivel bashkiak.

Tirana nuk ka spital rajonal. Financimi i shërbimit spitalor mbulohet nga transferta e buxhetit të shtetit, përjashtohet këtu Spitali Durrës. Sipas rapotit të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë këtyre viteve nuk ka ndryshuar asgjë në mekanizmin e financimit të spitaleve dhe buxheti i Spitaleve kaloi nga Ministria e Shëndetësisë në ISKSH duke mos pësuar asnjë ndryshim, përsa i përket lidhjes së këtij buxheti, me tregues të aktivitetit e të cilësisë së shërbimit spitalor. Ky raport vijon duke bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë deri më tani nuk e ka përbushur misionin e saj. Standartet dhe treguesit e perfomancës dhe cilësisë nuk janë miratuar si dhe nuk janë përgatitur protokollet e diagnozave dhe trajtimit për çdo shërbim, detyrime këto të cilat duhet të ishin realizuar që në vitin 2009 e në vazhdimësi.

Gjithashtu është vonuar së tepërmi procesi i akreditimit të institucioneve spitalore. Si rezultat i moskryerjes së këtyre detyrave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë ende funksionojnë spitale me shfrytëzim shtrati mjaft të ulët (nga 1-30%), të cilat nuk sigurojnë as nivelin minimal të shërbimeve bazë për popullatën, si për mungesë të profesionistëve ashtu edhe për mungesë të pajisjeve spitalore. Ky raport është depozituar nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Komisionin e Kuvendit të Shqipërisë për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, në përgjigje të kërkesës së Komisionit për “Dhënie informacioni nga Ministri i Shëndetësisë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në lidhje me financimin e shërbimit spitalor.”

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?