SPECIALE/ Veterineri në pension refuzon të lë punën në Baldushk: Zgjohem që në 5 të mëngjesit, nuk është çështje lekësh, por fermerët kanë nevojë

Fatmir Lloçi jeton në njësinë administrative Baldushk të Bashkisë Tiranë. Të gjithë jetën ia ka kushtuar veterinarisë. Edhe pas 46 vitesh në këtë profesion ai ndjehet i dobishëm për bashkëfshatarët e tij. Sot është pensionist, megjithatë ditët e tij janë të mbushura me punë.

Report Tv e ka ndjekur në rutinën e tij. Zgjohet në 5 të mëngjesit e me motorin e tij shkon kudo që e thërrasin. Dikush ka lopën e sëmurë, një familje tjetër shqetësohet për tufën e gjelave të detit, të tjerë duan të dinë për shëndetin e bagëtive të tyre.

Edhe pasi i ka dhënë përgjigje me vizitat mjekësore banorëve të Baldushkut, ai nuk ndalon. Në tokat e tij ka mbjellë arrorë, pemë frutore e perime të ndryshme. Do të donte që jeta të gjallërohej e fshati të mos shpopullohej nga të rinjtë. Mungesa e moshës së re e ka ndalur ritmin e zhvillimit të Baldushkut dhe fshatrave përreth sipas Fatmir Lloçit.

Me shembullin personal ai kërkon t’u thotë të gjithë atyre që e duan apo kanë lindur në fshat që të mos e braktisin, por të punojnë tokën e të parëve sepse e ardhmja nuk do t’i zhgënjejë.

“Ngrihem që në mëngjes. Bëhem gati dhe iki. Që në 5-6 të mëngjesit iki punoj. Tani kam ardhur tek një fermer i cili ankohet se lopën e ka të sëmurë. Quhem Enver Fatmir Lloçi. Në dhjetor të 1974 kam filluar punë në krye-kooperativën e Baldushkut. Me detyra të ndryshme. Në vitin 2015 dola në pension në këtë profesion. Kam punuar 46 vjet deri tani dhe akoma vazhdoj punoj. Ka nevojë, por dhe plotësoj nevojat. Punoj dhe nuk rri kot. Deri sa të kem fuqi. Po nejte kot je i humbur. Mjekim lopësh, pulash. Vaksinime.

Në Baldushk, Petrelë, Vaqar punoj. Kur kanë nevojë. Natën, ditën. Në çdo orë të natës lëviz. Nuk është puna e lekut, por kanë nevojë. Është një profesion që është vetëm për të jetuar. Mjeti kryesor i imi është motoçikleta për arsye se makina ka vende që nuk futet, por edhe shpenzimet më të larta. Këtë kam përdorur gjithmonë si mjet. Në Baldushk mbarështohen deri në 30 mijë gjela deti. Jua bëjmë shërbimin siç duhet që të marrë fitim. Të gjithë njerëzit që jetojnë në fshat duhet të merre me blegtori. Lopët jemi në një fazë që ka një zbritje të theksuar.

Këtu në Baldushk jo shumë, por në rrethe të tjera ka ulje të theksuar të numrit të lopëve. Bëj thirrje që çdo njeri mos ta heqë blegtorinë se është jeta. Përveç punës si specialist në kohë të lirë punoj dhe tek baçja, ku kam perime. Por dhe pemë frutore. Kam tre puse për vaditje që kanë kushtuar 10 milion lekë. Ka pas ardhur ujë por tan nuk vjen më. Jam jashtëzakonisht krenar sepse i kam bërë me djersën time dhe gruas time. Prodhim mashallash”, tregon ai për Report Tv.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • LORA: 24/10/2022 21:37

    Respekt per punen dhe produktin e veterinerit Enver Lloçi.Keta jane njerzit e mire, qe me punen e tyre rrezatojne vetem forcen e shembullit. I uroj te jete perhere me shendet per pune te dobishme ne blegtorine e rrethinave te Tiranes.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?