SPECIALE/ Për artin që derdhet mbi mëndafsh, me piktoren Violeta Kongo

11 Qershor 2022, 22:12| Përditesimi: 11 Qershor 2022, 22:23

  • Share

Violeta Kongo,  që u bë artiste ndryshe nga të tjerët, pa kryer ndonjë shkolle arti, falë talentit e dhuntive natyrale te saj, sot është një nga piktoret më në zë të vendit tonë. Në një intervistë ekskluzivisht për Report TV, artistja Kongo na rrëfen për veprat e saj dhe si punohet live piktura mbi mëndafsh, një nga zhanret më të dashura të saj.

*“Po të vizatoj mbi mëndafsh!

Jo një "ti", siç të shohin të gjithë,

por një "ti" siç të shoh unë.

Te lëvizjet e penelit, te ngjyrat që derdhen mbi mëndafsh, te dielli që ndriçon mbi sy,

te thellësia oqeanike ku lulon dëshira për t'u zhytur, për të eksploruar, për t'u mbrojtur...,

në të gjitha rastet je ti.

"Eh, kufijtë natyrorë duhen respektuar, sepse ata janë aty", thua ti.

E di! Por piktorit nuk i duhet modeli që sheh, por ai që percepton, ai që ndjen.

Unë të zgjodha ty nëpërmjet dashurisë tënde të paanë!
Të dielltë dhe të kaltër! “

Violeta Kongo rrëfen sekretet e transformimit të objektit artistik në një vepër arti.

Me delikatesë në sipërfaqen e bardhë të mëndafshit ajo pikturon aq bukur, duke qenë e aftë që artin piktorik ta kthejë në metafora artistike ku vibrojnë tingujt poetikë.

Shpeshherë veprat e saj shoqërohen edhe me ndonjë poezi përbri. Poezia e mësipërme është etyd për njërën nga veprat e krijuara.

Piktura dedikuar mikes së saj është një realitet që jetohet brenda përfytyrimit të artistes.

Duke i përthyer emocionet në ngjyra dhe krijesa aq të bukura që lodrojnë si fllad në sipërfaqe mëndafshi Violeta Kongo vjen me një profil të plot e të bukur në këtë zhanër piktorik. Ajo rrëfen edhe për veprat e tjera të punuara me bojë akriliku, të cilat prej vitesh duhet t’i bëjë me një vetësakrifikim që i vjen nga një alergji që ato i shkaktojnë, ndërsa bojërat speciale që ajo i përgatit dhe i shpik aty për aty me përzierje bimore, e kanë bërë të sjell një prodhimtari të lartë artistike.

Për emocionet që derdhen në mëndafsh, do të flitet përgjatë gjithë kësaj interviste, për të veçantën e artit të Violeta Kongos dhe botën e artistes që është dashuruar përjetësisht me artin.

*Sytë e planetëve strehohen në dëshirën e piktores Violeta Kongo  dhe lindin ëndrrat...

Ëndrrat shfaqen në një vepër arti, plot mister dhe sekrete të muzës. Violeta Kongo është një artiste që ke dëshirë ta përshkruash kështu, me gjuhën që ajo i përshkruan personazhet e saj pikturuar mbi mëndafsh.

*Piktura mbi mëndafsh ishte një zbulim i saj, që nisi si një trill estetik, siç tregon ajo, me një shall për vete fillimisht dhe pastaj iu bëri familjarëve. E magjepsur prej projektit imagjinar që kthehej lehtësisht në realitet artistja i dha krah ëndrrës për ta vazhduar... Në studion e saj e ndjekim punën live. Ne jemi në ankth, por jo artistja. Bojërat e ujit duket sikur përhapen me frymë e bëhen lule e dritë mbi mëndafsh.

Pasioni i krijimit u ndez nga brenda saj, ku përfshiu  çdo qelizë dhe çoi emrin e Violeta Kongos shumë larg, me vepra të prezantuara në galeritë dhe muzetë botëror të artit. Në ekspozitën e saj të çelur në Strasburg piktorja u prit me vlerësime të pazakonta nga kritikë e kuratorë arti. Por në këtë interviste duke e ndjekur artisten, do ta njohim mes aurorës së krijimit.

*Violeta Kongo është një grua që duket sikur mbart brenda saj gjithë universin e  grave me botë të pasur shpirtërore.  Një jetëshkrim për karrierën, edhe pse shumë e pasur, po na duket kaq i panevojshëm, kur e sheh artisten Violeta Kongo kështu  të mbështjellë me magjinë e krijimit. Jetëshkrimi i saj gjendet brenda tablove, pathyer përmes teknikave , gjinive e zhanreve të ndryshme. Shpirti dhe zemra e saj dedikuar artit do të çojnë në një botë fantastike, ku do të ndihemi të përkëdhelur nga fërfërima  e mëndafshit.

Ajo rrëfen se takimi me pikturën është një takim dashurie, ndërkohë që ne ndjejmë improvizimin e saj me këto  penelata kaq delikate, dhe mëndafshi i bardhë këtë herë të duket si një qelq që rrezikon të krisë, kur ajo punon para syve tanë. Mëndafshi i bardhë do të vazhdojë të përpijë idetë dhe fantazinë e pashtershme të Violeta Kongos dhe çdo artdashës do të dehje nga arti i saj, duke e shijuar veprën në ngjizje e sipër, në avuj ngjyrash e fërgëllima emocionesh.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?