SPECIALE/ Njerëzit e punës që sfidojnë motin e nxehtë

23 Korrik 2023, 10:33| Përditesimi: 23 Korrik 2023, 10:46

  • Share

Pavarësisht temperaturave të larta, shumë njerëz e shohin punën domosdoshmëri për të vazhduar zinxhirin e jetës së përditshme. I nxehti përvëlues ka nënshtruar shumë shtete anembanë botës.

Termometri ka thyer 3 herë rekordin brenda javës së parë të korrikut.

Rekordi i ri u vendos më 7 korrik, kur bota ishte për 0.31 gradë Celsius më e nxehtë sesa në gusht të vitit 2016, kur ishte vendosur rekordi i mëparshëm.

Efektet e valës së të nxehtit i ka ndjerë edhe Shqipëria. Pavarësisht thirrjeve të institucioneve dhe mjekëve për të bërë kujdes, banorët e Tiranës shihen të qarkullojnë në rrugë edhe orët e pa rekomanduara.

“Mirë është të dilet në mëngjes për ecje të lehtë dhe në darkë pas orës 19:00”, tha mjekja kardiologe.

Por banorët e kryeqytetit pretendojnë se i kanë marrë masat.

Ka edhe nga ata që janë të detyruar t’i ekspozohen diellit dhe nxehtësisë së tij.

“Quhem Ledjan Meçi. 31 vjeç. Punoj nga ora 6:00 deri në 14:00.”

Ledjani është karrocier. Nuk ka karrocë si ato të dikurshmet por një mjet që mban ngarkesa të cilat i transporton nga një vend në tjetrin me krahë e duke ecur rrugëve. Me këtë punë nuk mund ta shmangë diellin mbi kokë.

“Gjithmonë në këtë punë. Është shumë e lodhshme. Vapa ka kohën e vet. O me punua, o me qëndru në shtëpi. Vapë është po nuk kemi çfarë të bëj. Edhe në pikë të diellit punoj.”

Ishte 14 vjeç kur nisi të bëjë këtë punë. Eksperienca e 17 viteve i ka treguar se ia vlen kjo sakrificë pavarësisht se motit të nxehtë apo rrebesheve të shiut mbi kokë.

“Me këtë punë më doli leverdia. Në fillim e nisa me pak. Tani më njohin për njeri të mirë, jam i saktë  dhe kam arritur këtu.

Më shkon 600-700 mijë lekë në muaj. Jam i kënaqur. Bëj 20-25 rrugë, Më njohin bizneset. Është konkurrencë e madhe, por secili ka riskun e vet.

Duhet me e respektuar punën se e merr tjetrin ai. Për momentin këtë punë. Lodhje kam sa të duash. Ka dhe stres. Duhet ‘ti çosh gjërat fiks aty ku duhet.”

Pavarësisht vështirësive, 31 vjeçari nuk i thotë JO punës pasi ka edhe një familje për të mbajtur.

“Punë të tjera me 200-300 mijë lekë nuk ja vlen. Nuk mbahet familja ashtu si kanë shkuar çmimet”, tregoi Ledjani.

Për komandant Ilirin, nxehtësia është e pashmangshme dimër verë. Ai është trajnuar t’i bëjë ballë si të gjithë zjarrfikësit e tjerë.

Punon prej 17 vitesh në Shërbimin Zjarrfikës. Përtej vështirësive, ky është profesioni i jetës për të.

Nuk e nisi këtë punë me të njëjtën dashuri si komandant Iliri, 60 vjeçarja që la Korçën për Tiranën.

“Unë quhem Elida dhe jam 60 vjeçe. Ne kemi 22 vjet, bashkë me kunatën time në përpunimin e brumërave dhe kryesisht byrekun. Unë kam qenë ekonomiste dhe nuk e doja këtë profesion por gradualisht e fillova. Erdhëm nga Korça dhe çfarë të bëjmë thash hajt ta filloj njëherë. Na mësoi dhe koha”.

Këta nuk janë të vetmit njerëz që me punën e tyre sfidojnë çdo lloj temperature.

Janë edhe punëtorët e ndërtimit, punonjësit e ndërmarrjeve të shërbimeve, Policët rrugorë e ata të rendit, shitësit në tregjet e rrugëve, gazetarët e terrenit dhe shumë të tjerë që nuk kanë luksin t’i thonë jo punës, të domosdoshme për të vazhduar zinxhirin e përditshmërisë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?