SPECIALE/ Në Lin, vendbanimi më i vjetër në Evropë

29 Korrik 2023, 20:28| Përditesimi: 29 Korrik 2023, 20:38

  • Share

Në bregliqenin e Ohrit 5800- 6000 mijë vjet para Krishtit kanë qenë ndërtuar shtëpitë prej druri. Një e dhënë e rëndësishme historike jo vetëm për Shqipërinë por mbarë Evropën. Kërkimet për të nisën 10 vite më parë nga ekipi i arkeologjisë nënujore në Institutin e Arkeologjisë.

Të dhënat e para u morën nga peshkatarët e zonës për sitin arkeologjik me shumë vendbanime në liqenin e Ohrit. Ndërsa publiku shqiptar u informua për herë të parë në vitet 70-80 nëpërmjet emisioneve televizivë të TVSH.  Në atë kohë u zhvilluan ekspedita të kryesuara nga gazetari Xhemal Mato. Në dokumentarët e realizuar, ai ftonte edhe arkeologë e specialistë të fushës si Moikom Zeqo e Neritan Ceka të cilët edhe e kanë eksploruar në fund të viteve ‘70 e në fillim të viteve ‘80. 

Por në atë kohë për shkak dhe të pamundësisë për të shkuar më tej në rezultate dhe të dhëna mbi vendbanimin palafit në Lin, çdo gjë ndaloi, për të rinisur në vitin 2019.

Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Bernës, filluan kërkimet në disa sondazhe brenda dhe jashtë liqenit, ku u identifikua dhe prezenca e palafitit, mbi të cilin nuk dihej shumë.

Zbulimi i bërë dukej shumë i rëndësishëm. Arkeologët kërkuan siguri mbi datimin përpara se ta publikonin informacionin historik. Puna vazhdoi në tre vitet e fundit me shtimin e kampionaturave me qëllim verifikimin e saktë të datës së palafitit.

Në krye të këtyre kërkimeve arkeologjike janë arkeologu i njohur Ardian Anastasi dhe zvicerani Albert Hafner, Drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin e Bernës. 

Arkeologët për rreth këtij vendbanimi, konstatuan dhe një gardh rrethues i cili ishte i përbërë me trungje të trashë të pemëve, si një aspekt për të mbrojtur vendbanimin nga faktorët e jashtëm. Kjo metodë e mbrojtjes së vendbanimit është e para e këtij lloji e gjetur në Ballkan.

Mbi shtresën kulturore dhe mbi gjetjet e tjera përpos palafitit hedh dritë Prof. Ilir Gjipali  arkeologu shqiptar në fushën e Prehistorisë. Ai thotë se përreth vendbanimit më të vjetër në Evropë, janë gjetur copa qeramike e cila tregon zhvillimin e asaj kohe të Shoqërisë.

Nëpërmjet materialeve të mbledhura, tregohet edhe roli i gruas në atë shoqëri, që sipas prof. Gjipalit ka pasur një rol shumë të rëndësishëm dhe kryesor për vetë kohën.

12 zhytës profesionistë arkeolog dhe studiues kanë intensifikuar kërkimet brenda në liqenin e Ohrit që prej muajit qershor 2023 ndryshe nga një vit më parë kur kërkimet arkeologjike po zhvilloheshin në tokë këtë herë arkeologët janë përqendruar vetëm nën ujë. Ndërsa kërkimet arkeologjike për sitet LIN 1, LIN 2 dhe LIN 3 pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?