Për etnografët, arkeologët, gjuhëtarët e albanologët fiset shqiptare që jetojnë në Shqipëri dhe në Ballkan karakterizohen nga një gjuhë dhe kulturë e përbashkët. Që nga lashtësia, popullsia shqiptare rezulton me pasardhës të njëjtë në Ballkan.
Historianët dhe albanologët i përcaktojnë shqiptarët si popull autoktonë, të cilët gjatë të gjitha dyndjeve të popujve të tjerë e ruajtën tipin dhe karakterin e vet në mënyrë të theksuar.
Shpesh tezat e tyre duken hipotetike, por ato do të qëndrojnë me të dyja këmbët, falë mjeteve dhe instrumenteve të shkencës për t’i vërtetuar.
Akad. Ilia Mikerezi, drejtues shkencor i Qendrës kërkimore të bioteknologjisë dhe gjenetikës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë shpjegon arsyet se pse perspektivat e gjenetikës nё Shqipëri janë hapur vetëm në dekadat e fundit.
Përmes provës së ADN-së dalin dhe rezultatet e raporteve të popullatave në rajonin e Ballkanit.
Falë metodave më të fundit të biologjisë molekulare dhe metodologjive kompjuterike të specializuara është bërë i mundur hartimi i hartës aktuale gjenetike të popullatave që jetojnë në rajonin ballkanik.
Në një projekt të udhëhequr nga një grup studiuesish, u përfshinë në studim popullatat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, 10 popullata të tjera ballkanike, 12 popullata europiane dhe 2 aziatike.
Janë qartësuar afërsitë gjenetike midis popullsive shqiptare të Shqipërisë dhe Kosovës, duke u nisur nga llogaritja e distancave gjenetike.
Grupet kryesore më të hershme të popullatave në Ballkan rezultojnë popullatat shqiptare, maqedonase, greke dhe bullgare. Në grupin e mëvonshëm renditen popullata kroate, boshnjake dhe serbe, dhe në një distancë më të thelluar gjenetike renditen popullatat italiane, rumune dhe turke….