SPECIALE/ Gjelosh Gjokaj, Pikasoja i Ballkanit rikthehet me 73 vepra në Tiranë

22 Prill 2023, 20:07| Përditesimi: 22 Prill 2023, 20:33

  • Share

Gjelosh Gjokaj shqiptar etnik i Malit të Zi është vlerësuar si Pikasoja i Ballkanit. Të dy mjeshtrit Gjokaj dhe Pikaso kanë secili “Guernikën” e vet, por janë natyrshëm kaq të ndryshëm në madhështinë e tyre, të ndryshëm në stil, në ngjyra në grafikë.

Në 90- vjetorin e lindjes për herë të parë vjen në Tiranë, një nga koleksionet më mëdha të maestro Gjelosh Gjokajt, që përmban 73 vepra të viteve 1961 deri në 2013, të mbledhura me përkushtim nga nipi i tij Sead Gjokaj.

Kryeministri Edi Rama u dha të pranishmëve se me Gjelosh Gjokën ka pasur një marrëdhënie miqësore edhe profesionale.

Edi Rama e cilëson Gjelosh Gjokën një nga ata artistë, ku nuk merret vesh ku mbaron jeta e përditshme e njeriut dhe ku fillon piktura, sepse të dyja bashkë jetonin të ndërthurura me njëra-tjetrën.

Takojmë Ena Bulkun. Ena Bulku, Drejtore e Qendrës për Hapje dhe Dialog na thotë se Gjelosh Gjoka, i la trashëgimi artit shqiptar dhe atij europian qindra piktura dhe punë të ndryshme grafike, duke u bërë një ndër piktorët më të mëdhenj të botës shqiptare.

“Kënga për Kadinjacen”, vepra korife e kësaj ekspozite, që kritikët e artit e vlerësojnë po aq sa “Guernika” e Pikasosë, është përfunduar në vitin 1981.

E kapërcen hapësirën epike të simbolikës së “Guernikës” duke fluturuar drejt universeve të një filozofie ngadhënjyese, të koduar në çdo detaj”. 

Duke udhëtuar në hapësirat e ekspozitës, Ena Bulku na rrëfen fragmente të krijimtarisë dhe veprave të Gjelosh Gjokës që zbulojnë relacionin e krijuesit me vendlindjen e tij, ngjyrat dominuese, stilin, simbolet, përjetimet e artistit në të gjitha hapësirat globale dhe universale.

I lindur në fshatin Milesh të Tuzit, pas diplomimit në Akademinë e Arteve në Beograd,  Gjelosh Gjokaj u bë i njohur në mbarë botën, me dhjetëra ekspozita ndërkombëtare, koleksione muzeore dhe shfaqje.

Nga viti 1963 deri në vitin 1969 ai jetoi në Prishtinë, dhe sot cilësohet si babai i artit grafik të Kosovës”.

Emigroi në Romë, ku jetoi dhe punoi deri në vitin 1983.

Më pas Augsburgu i Gjermanisë u bë rezidenca e tij kryesore deri në vdekjen e tij në vitin 2016.

Takojmë Sead Gjokën. Ekspozita e Gjelosh Gjokajt do të qëndrojë përgjatë gjithë muajit prill e hapur në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD).

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?