Laboratori i kokainës në Fier/ Në pritje të letërposorisë nga Kolumbia, zgjaten me 3 muaj hetimet! U sollën 430 kg kokainë e perzier me pleh kimik

9 Gusht 2023, 12:48| Përditesimi: 9 Gusht 2023, 17:30

  • Share

Thasët me pleh kimik erdhën nga Kolumbia në portin e Tivarit në Mal të Zi, me destinacion final Frakullën e Fierit. Por, informacionet e SPAK dhe policisë ishin se brenda tyre ishin përzyer jo pak, por rreth 430 kg lëndë narkotike kokainë.

Operacioni u zbërthye orët e mbrëmjes së 24 nëntorit të 2022 dhe në pranga ranë 10 persona, në mesin e tyre edhe Viktor Cervanaku, ish-kryetar i komunës Frakull, dhe 5 të tjerë në kërkim.

Tashmë kur po bëhen 9 muaj nga zbulimi i sasisë së madhe të kokainës, SPAK i kërkoi Gjykatës së Posaçme zgjatje me 3 muaj të afateve të hetimit, me pretendimin se është në pritje të letërporosive të nisura në drejtim të Kolumbisë, përgjigjet e të cilave akoma nuk kanë mbërritur.

SPAK u ka kërkuar autoriteteve kolumbiane informacione më të detajuara të nisjes së sasisë së madhe të drogës. Kërkesa u mor parasysh nga gjykata, e cila vendosi zgjatje të hetimeve edhe më 3 muaj.

Porosia e plehut kimik me kokainë brenda ishte bërë në emër të vëllait të ish-kryekomunarit Viktor Çervanaku, Zenel Çervanaku, ndërsa të përfshirë ishin edhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.

Banesa e ish-kreut të komunës Frakull nuk do të shërbente vetëm për mbajtjen e plehut kimik të përzier me kokainë, por edhe për ndarjen e tij, duke ngritur kështu një laborator të specializuar kimik.

Në kërkim është edhe shtatasi kolumbian i cili kishte mbërritur në vendin tonë për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik, proces që shqiptarët nuk mund ta bënin dot.

Të arrestuarit kundërshtuan të kenë pasur dijeni për kokainën dhe kërkuan ekspertim, rezultati i së cilës konfirmoi se në thasët me pleh kimik kishte 485.5 kg lëndë narkotike.

Në operacionin e 24 nëntorit 2022 ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policies dhe për këtë arsye u vendos ndërhyrje.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?