SPAK nuk kapi 4 personazhet më të kërkuar të botës së krimit/ Eksperti Softa: Operacioni u dekonspirua, të përgjohen celularët e policëve

20 Maj 2022, 14:22| Përditesimi: 20 Maj 2022, 14:40

  • Share

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ishte i ftuar në Report Tv në emisionin "Sot Live në Shqipëri" nga Andi Kapxhiu për të folur për ngjarjet kriminale që janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit.

SPAK ka goditur dje 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje, pagesa qindra mijëra euroshe për ekzekutime etj.

Mes të ndalurve në kuadër të megaoperacionit të SPAK është edhe Leonard Palushi, ish-shef policie në Elbasan, aktualisht polic në Lezhë. Sipas burimeve, Palushi shiste informacion te grupet kriminale dhe dekonspironte aksionet. Për këtë arsye, Softa thekson se është e rëndësishme që çdo punonjësi policie t'i përgjohet telefoni.

Sa i përket faktit që Talo Cela, Ervis Martinaj, Suel Cela, Florenc Capja, katër personazhet e botës së krimit nuk janë kapur, Softa thotë se mund të jetë dekonspiruar operacioni pasi mënyra e dhënies së informacionit në ditët e sotme është e sofistikuar.

"Kemi dyshime të arsyeshme. Kreu i SPAK thotë se e kishim lokalizuar por nuk e gjetëm. Është mundësia e dekonspirimit. Këtu përfshihen shumë struktura dhe forca, vetë komisariatet e zonave ku kanë vepruar dhe punonjës nga më të thjeshtët deri tek më të specializuarit, janë shefat e komisariateve dhe vartësit e tyre që kanë përgatitur një plan masash për të krijuar një operacion dhe mundësia e dekonspirimit është.

Aq më tepër që sot mënyra e dhënies së informacionit është e sofistikuar. Janë aplikacionet, radiot e koduara të cilat përdorin frekuenca të vecanta të cilat rrisin ose ulin shpejtësinë për të mos u identifikuar. Kjo është një nga ato arsye përse çdo punonjësi policie duhet t'i përgjohet telefoni. Në momentin që je punonjës policie, për hir të dyshimeve që kemi, tregon se janë të përfshirë dhe pse të mos përgjohet telefoni. Nuk është privatësi kur ke një detyrë të tillë", tha Softa.

A.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Redi: 21/05/2022 03:59

    Shume e sofistikuar eshte. Sidomos kur rri ne shpine e ish kreut te bashkise apo bredh me meqinen e rij

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?