SPAK kërkon pronat e Ervin Matës dhe Erzen Breçanit, nis mbledhja e provave

27 Nëntor 2023, 13:09| Përditesimi: 27 Nëntor 2023, 16:48

  • Share

Hetimi pasuror i nisur nga Prokuroria e Posaçme ndaj grupit kriminal të Erzen Breçanit, djalit të tij Eralbit, të kërkuarit Ervin Mata dhe personave të tjerë të përfshirë në trafik droge, grup kriminal e krijim kushtesh për vrasje, po vijon me mbledhjen e të dhënave për bizneset dhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme. Përveç emrave të 11 personave të përfshirë direkt në hetim, 4 nga të cilët janë arrestuar dhe 7 që janë në kërkim, SPAK tha se po verifikon pasurinë e familjarëve të tyre dhe të këngëtares Elvana Gjata e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj bankare nga Ervin Mata.

Ky i fundit ka kryer biseda në Sky ECC për trafikim droge në disa episode ndërkohë që nuk rezulton të ketë në emër të tij ndonjë biznes. SPAK po verifikon emrat e familjarëve ndërkohë Erzen Breçani rezulton i lidhur me dy kompani. Subjekti HEC DRITA ENERGY, me administrator Eralbi Breçani, i përgjuar direkt në biseda për trafik kokaine dhe transaksione financiare, është themeluar në 23 shtator 2019 me objekt aktiviteti ndërtimi, shfrytëzimi dhe administrimi i Hidrocentralit “DRITA”, deri tek shitja e energjisë.

Punimet në Lumin e Gashit, Bashkia Tropojë, janë bërë me leje ndërtimi të dhënë nga KKT, në datë 12.07.2019. Veprimet e fundit të HEC, janë kryer më 23 korrik 2023, dhe që prej datës 15 mars 2022 subjekti është i pezulluar. Subjekti ka dalë me humbje që nga viti 2019, deri në vitin 2022 duke raportuar aktivitet negativ. Ligjërisht mbetet e paqartë me çfarë janë përballuar humbjet e HEC-it ndërkohë që në faqet 84 dhe 85 të dosjes së SPAK, Erzen Breçani është përgjuar teksa bisedon me djalin e tij për shuma që i nevojiteshin nga 300 deri në 500 mijë euro për përballimin e shpenzimeve, madje, në një bisedë, tregon se kishte edhe probleme me pagat e punëtorëve.

Në faqen 87 SPAK citon Erzen Breçanin t’i thotë djalit se i duhen 300 mijë euro për turbinat dhe e pyet nëse do të vonohen paratë në mënyrë që ti thotë administratorit Fatbardh Breçani të marrë kredi. Kompania që ka në pronësi HEC-in që po ndërtonte Erzen Breçani është shoqëria e sigurisë Breçani R.O.S.P, e themeluar më 6 prill 2005. Kjo e fundit ka si objekt të aktivitetit shërbimin e ruajtjes dhe i sigurisë fizike të personave dhe objekteve dhe transportimin e vlerave monetare e sendeve të çmuara. Administrator i saj është Fatbardh Breçani, vëllai i Erzen Breçanit, i cili rezulton i punësuar aty, sipas verifikimeve që SPAK ka kryer në sistemin e Tatimeve.

Nga viti 2012 deri në vitin 2019, ky subjekt ka bilanc pozitiv ndërkohë që për vitin e kaluar në bilanc ka një fitim prej 36 milionë lekë. Disa nga të ardhurat e kompanisë në periudhën 2019-2023, janë krijuar edhe përmes pagesave nga buxheti i shtetit, siç është shërbimi për kamera sigurie në Fakultetin e Shkencave Pyjore, 98 mijë lekë në shtator 2023, ruajtje objekti tek Klubi Tirana në vitin 2021, për pagesën 99 mijë lekë, dhe zhvendosje kasaforte për Shkollën e Magjistraturës, në mars 2020, kundrejt pagesës 120 mijë lekë.

Më herët në vitet 2012-2013, kompania Breçani R.O.S.P ka përfituar 17 pagesa nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për shërbimin roje private objekti. Kjo shoqëri rezulton pjesëmarrëse në tendera dhe procedura të tjera publike për ruajtje dhe shërbime sigurie në disa institucione të tjera shtetërore.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Emigrant: 28/11/2023 09:00

    Saimir tahiri u denua pse dy persona thane kam kusheririn qe na mbron apo dicka e till Po brecani sa do debohet pse foli me te birin

    Përgjigju
  • gori pogrdec: 27/11/2023 14:25

    bravo bush se asgje sdo ju bejne thjeshte formalitete sa te justifikojne europen albanistan hesapi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?