Rakip Suli

SPAK i dërgon fletëthirrjen, Rakip Suli do merret në pyetje të mërkurën

30 Tetor 2023, 15:48| Përditesimi: 30 Tetor 2023, 16:36

  • Share

Hetimet për Bashkinë e Kamzës kanë vënë në lëvizje me veprime konkrete Prokurorinë e Posaçme duke i dërguar fletëthirrje Rakip Sulit. Kryebashkiaku i Kamzës duhet të paraqitet të mërkurën paradite (1 nëntor) në orën 10:00 në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’u marrë në pyetje.

Pas kallëzimit për veprat penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK regjistroi procedim penal për bashkinë e drejtuar nga Suli. Gazetarja e Report TV Keti Banushi raporton se nga hetimet ka rezultuar se ka disa raste të abuzimeve me kompensimet e fondit të rindërtimit.

Deri tani nga 10 kallëzues janë thirrur 4 prej tyre, ndërsa 6 të tjerë do pyeten këtë javë. Banorët e Kamzës u paraqitën të martën e kaluar (24 Tetor) në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë deklarimet e tyre për kallëzimin e depozituar në SPAK pak javë më parë ndaj kryebashkiakut.

Në emër të banorëve të Kamzës, më 11 shtator Partia e Lirisë dhe këshilltarët e koalicionit Bashkë Fitojmë në Kamëz, kallëzuan penalisht në SPAK, kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli. Duke iu referuar raportit të KLSH-së pas kontrollit në këtë bashki, por edhe njoftimit dhe zhvillimit të mbledhjeve të këshillit online, ata kërkuan ndjekje penale për të zgjedhurin socialist për disa akuza si shpërdorim detyre, korrupsion dhe shkelje e barazisë në tendera.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?