Samiti i Parisit/ Kryeministri Hoti dhe Presidenti Vuçiç debat në 'barikada' (VIDEO)

10 Korrik 2020, 08:59| Përditesimi: 10 Korrik 2020, 14:43

  • Share

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, zhvilluan sot një video konferencë më kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi ishte paraparë të mbahej në Paris, por duket se gjerat ndryshuan edhe për shkak të pandemisë së COVID-19-tës.

Video konferenca e sotme pasoi takimet e ndara të presidentit francez Emmanuel Macron, fillimisht të martën me kryeministrin Hoti dhe të enjten me presidentin Vuçiç.

Sipas mediave në Kosovë, Kryeministri Hoti ka prezantuar tri parimet kryesore: integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe s’mund të jetë pjesë e negociatave, rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë Hoti ka thënë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të ketë si rezultat final edhe njohjen e shtetit të Kosovës në OKB. Ai ka kërkuar gjithashtu se duhet të zgjidhet edhe fati i personave të pagjetur dhe të vendoset drejtësi për të gjitha viktimat e të gjitha formave të dhunës që janë ushtruar nga Serbia gjatë luftës dhe se vetëm mbi bazën e këtyre parimeve dhe synimeve, Kosova është e gatshme që të vazhdojë dialogun.

Nga ana tjetër, pas takimit presidenti Aleksandër Vuçië mësohet të ketë thënë se ai është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por nuk pranon ultimatume. Sipas mediave në Serbi, Vuçiç ka thënë gjithashtu se qasja e shqiptarëve është totalisht joreale, teksa kërkojnë çdo gjë, duke e lënë Serbinë pa asgjë.

Hoti dhe Vuçiç të dielën në Bruksel do të ulen përballë njëri tjetrit në takimin e parë mes palëve që nga vjeshta e vitit 2018 në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Takimi i së dielës, sipas zyrtarëve të BE-së “do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit, ndërsa u shprehu mbështetjen përpjekjeve evropiane, duke shfaqur shpresën se video konferenca e sotme do të sigurojë edhe liberalizimin e vizave për Kosovën.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Zyrtarët evropianë thonë se rifillimi i bisedimeve do të hap një periudhë të re me më shumë shpresa për një marrëveshje përfundimtare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, por normalizimi i marrëdhënieve është kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve.

Komento

Komente

  • Historia: 10/07/2020 11:20

    Sa herë që samitet apo kongreset bëhen në Paris e Londër e hajnë shqipëtarët, përherë kështu kaqenë. Pse duhet të jetë ndryshe këtë herë?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?