Ilir Meta

Sot një vit Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e mazhorancës për ta shkarkuar si President, Meta: Kuvendi falsifikoi dokumentet, SPAK ende asnjë hetim

16 Shkurt 2023, 18:53| Përditesimi: 16 Shkurt 2023, 19:08

  • Share

TIRANË- Ilir Meta ka risjellë në vëmendje nismën që mori Kuvendi, vetëm me votat e PS, për ta shkarkuar atë nga posti i Presidentit. Një vit më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Kuvendit ndërsa sot Meta shkruan se Prokuroria e Posaçme ende nuk ka nisur hetimet për denoncimin që ai ka bërë për Kuvendin se ka falsifikuar frimën e ish-kryetarit Gramoz Ruçi.

Në një postim në ‘Facebook’, Meta shkruan se Kuvendi i ‘Rilindjes’ ka arritur që të falsifikojë firmën, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që më datë 3 mars të marrin pjesë në protestën e thirrur nga Berisha për të mbrojtur demokracinë.

"Një vit më parë "Rilindja" humbi betejën e saj të paturp për të shkarkuar Presidentin e Republikës në Gjykatën Kushtetuese. "Rilindja" në këtë mënyrë i kishte humbur të gjitha betejat e saj me Presidentin e Republikës edhe në Komisionin e Venecias. Ndërkohë edhe sot e kësaj dite nuk ka një reagim nga SPAK se ç'bëhet me denoncimin e Presidentit të Republikës një vit më parë kur po ky Kuvend i "Rilindjes" që shihni sot falsifikoi firmën e ish-Kryetarit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese kundër Presidentit.

Falenderoj të gjithë ekipin tim gjatë detyrës si President i Republikës, në veçanti të gjithë qytetarët për përkrahjen e tyre dhe sidomos popullin e 2 Marsit që u ngrit në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës. Në 3 Mars le të gjëmojë më fort zëri i popullit në mbrojtje të demokracisë, më i vendosur se kurrë për të realizuar Ndryshimin e Madh që po afron", shkruan Meta. 

Ilir Meta akuzon Kuvendin se aso kohe ka falsifikuar dokumentet për shkarkimin e tij nga posti i Presidentit. Sipas Metës, Kuvendi për të qenë brenda afateve ka falsifikuar datën por edhe përmbajtjen e urdhrit të ish-kryetarit Gramoz Ruçi. Sipas Metës, urdhri që Kuvendi depozitoi si provë Kushtetueses mbante datën 5.5.2021, në faqen e Kuvendit të Shqipërisë urdhri që u publikua mbante datën 06.052021 dhe më pas edhe në Kuvend u votua me këtë datë. Pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e mazhorancës, Meta iu drejtua SPAK me një padi kundër Kuvendit se ka falsifikuar dokumentet.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?