Milo Gjukanoviç

Sot Mali i Zi voton për Presidentin e ri teksa vendi gjendet në ‘udhëkryq’! Milo Gjukanoviç favorit

19 Mars 2023, 07:49| Përditesimi: 19 Mars 2023, 07:50

  • Share

Ditën e sotme Mali i Zi mban zgjedhjet presidenciale dhe voton për kreun e ri të shtetit. 7 janë kandidatët por favorit është sërish Milo Gjukanoviç.  Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që nga përmbysja e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç që ishte në pushtet më shumë se tre dekada, kur në gusht të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratët dhe lëvizja URA fituan shumicën në parlament. Zgjedhjet presidenciale po zhvillohen në një mjedis krize institucionale dhe politike, kur dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale u shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare për në qershor.

Në këto zgjedhje janë me të drejtë vote 542.154 qytetarë. Kandidatët në zgjedhje janë kreu aktual i shtetit dhe i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Milo Gjukanoviç, një nga liderët e Frontit Demokratik (DF) Andrija Mandiç, nënkryetari i Lëvizjes Evropa Tani (PES) Jakov Milatoviç, kryetar i demokratëve Aleksa Beçiq, deputet i Partisë Socialdemokrate (SDP), Draginja Vuksanoviç Stankoviç, kreu i Malit të Zi të Bashkuar Goran Daniloviq dhe influencuesi Jovan Radulović Jodžir.

Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 20:00. Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë. President i Malit të Zi do të zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të vlefshme të votuesve që kanë votuar. Nëse asnjë kandidat nuk merr numrin e duhur të votave, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet brenda 14 ditësh, pra më 2 prill. Në raundin e dytë marrin pjesë dy kandidatët që kanë fituar numrin më të madh të votave. Presidenti i vendit zgjidhet për pesë vjet.

Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme pasi së fundmi shihet si rrezik devijimi i Malit të Zi nga rruga europiane dhe mund të ketë pasoja të rrezikshme për të ardhmen e vendit.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më parë për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla si absurde. Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?