Kuvend/ Debate për amnistinë dhe taksimin e profesioneve të lira! Jo interpelancë me Ramën për emisionin e RAI! Miratohen 4 pr/ligje

2 Maj, 07:42| Përditesimi: 2 Maj, 22:21

  • Share

Kuvendi u mblodh këtë të enjte në një seancë maratonë teksa u përfshi në debate të forta për kërkesat e opozitës për interpelanca dhe çështje të rendit të ditës.

Këtë herë, molla e sherrit ishin kërkesat për interpelancë, që në radhët e opozitarëve janë shtuar. Kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi në nisje se një kërkesë për interpelancë e PD-së zyrtare do të pranohet dhe se ministri i Drejtësisë shpejt do t’i përgjigjet Lulzim Bashës mbi dyshimet se rreth 100 të dënuar për korrupsion nga GJKKO  përfituan nga amnistia penale.

Përplasjen më të ashpër e prodhoi interpelanca e refuzuar për Rai3, e kërkuar me kryeministrin Rama nga Gazment Bardhi. Ky i fundit, duke grushtuar edhe foltoren, i kërkoi llogari socialistëve përse kryeministri nuk vjen në Kuvend t’i përgjigjet opozitës. Sherri për interpelancën u ndërpre nga një protestë surprizë e përfaqësuesve të Diasporës, që në brenda seancës plenare shpalosën një pankartë dhe hodhën letra të bardha në drejtim të deputetëve me thirrjen “Duam të votojmë”. Garda ndërhyri duke i nxjerrë jashtë.

Më pas seanca vijoi me interpelancat e thirrur nga Ervin Salianji me ministrin e Brendshëm Taulant Balla dhe deputetes Ina Zhupa me ministren e Arsimit.

Ministri Balla tha se kriminaliteti është ulur dhe Shqipëria është kthyer në një nga vendet më të sigurta për turistët. Në replikë me Ballën opozitës i kujtoi kohën kur nën qeverinë Berisha vlera e kanabisit në Lazarat ishte dy herë më e madhe se buxheti i shtetit.

Kuvendi u përfshi në debate dhe sa i takon tatimit 15% dhe 23% i profesionistëve të lirë, në bazë të fitimit të tyre. Nga foltorja e Kuvendit Jorida Tabaku, kërkoi shpjegime nëse do ju njihen shpenzimet profesionistëve siç parashikon ligji, ndërsa përgjigjen e mori nga socialisti Erion Braçe.

 Në fund të seancës me votat e mazhorancës u votuan ligji për  “Albcontrol”, ndryshimet në ligjin për zhvillimin e territorit. Me votat edhe të opozitës është miratuar ratifikimi i protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore si dhe ligji për shtetësinë, pas ritkhimit në Kuvend nga Presidenti. Kuvendi miratoi gjithashtu zgjedhjet e Petrit Ahmetit si kryetar i bordit të Entit Rregullator të Energjisë, si dhe anëtarët Lorenc Kosta dhe Artur Llakaj.

Ora 21:20
Kuvendi miraton 4 pr/ligjet e rendit të ditës, miratohet edhe ligji për shtetësinë e Albcontrol! Votohet kryetari i ERE dhe 2 anëtarë

1714679920_kuvendd.JPG

4 pr/ligje që ishin në rendin e ditës të seancës së sotme plenare janë miratuar nga Kuvendi. 75 vota pro u miratua projektligji “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”. Sot u miratua me 75 vota pro edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar. Kuvendi miratoi me 98 vota pro  edhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës”.

Gjithashtu sot Kuvendi miratoi me 98 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore”. Opozita dhe mazhoranca janë bashkuar edhe për ligjin për shtetësinë. Kuvendi miratoi me 94 vota pro Dekretin nr. 295, datë 24.10.2023, “Për kthimin e ligjit nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”. Kuvendi miratoi edhe propozimet që Komisioni përgjegjës ka paraqitur në raport. Kuvendi votoi edhe për zgjedhjen e Petrit Ahmeti si kryetari i bordit të Entit Rregullator të Energjisë. Kuvendi gjithashtu zgjodhi me 74 vota pro Maksim Shulin si anëtar i bordit të Entit Rregullator të Energjisë.

Ora 19:32
Spiropali akuza opozitës për drejtësinë: Jeni me dy standarde; Armiqtë në litar, shokët e partisë të lirohen menjëherë

1714404479_spiropali.jpg

Ministrja e Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, theksoi gjatë fjalës së saj, se rruga e Partisë Socialiste me atë të opozitës është e ndarë sa i përket reformës në drejtësi. Spiropali tha se opozita e mallkon drejtësinë si organizatë kriminale.

“Edhe sot dëshmuat se sa e ndarë është rruga jonë sa i takon drejtësisë. Lundra juaj që po merr ujë, ka humbur edhe GPS-në. Paradite në revolucionin me orar te bashkia e Tiranës i kërkoni SPAK-ut të arrestojë Veliajn, në darkë te rrugica e doktorit, Oerd ju mallkoni SPAK-un si organizatë kriminale.

Për të mos folur për gardistët e kuq që shoqërojnë Sali Berishën si të pandehur në dyert e SPAK-ut dhe bërtasin poshtë SPAK-u dhe po të njëjtët gardistë të kuq, kur shkon kryetari i bashkisë, bërtasin me të madhe; në burg qeni! Kujt ia shisni këtë standard të drejtësisë.

Armiqtë në litar, shokët e partisë të lirohen menjëherë. A kemi rënë dakord që duhet të kemi një sistem drejtësie ndryshe që nuk është i kapur dhe bën drejtësi, me standarde dhe proces ligjor, për të gjithë njësoj nga ai me cigare me hashash e deri te ai që ka qenë kryeministër e kryetar Parlamenti ai tjetri. Molotovët që ju hidhni nuk janë të mjaftë të mbushni të gjithë hendekun politik, moral dhe strategjik që ju keni me ne dhe PS-në.

Gjithë fajin e ka ai në ballkon. Përpiquni të keni arsye. Ju dhe humbja jeni një binom i pandashëm, nuk mund t’ua përmendësh fjalën disfatë sepse jeni njësoj si ai binomi kur thua Partia Demokratike ke thënë Saliu. Për kulturën tonë ende të vjetër të qasjes ndaj drejtësisë, ka një ndjesi të përgjithshme hakmarrjeje, represioni që e frymëzoni ju dhe mediat e paguar prej jush qoftë në shoqëri dhe politikë dhe disa segmente të drejtësisë”, tha Spiropali.

Ora 18:36
'Ministri më i ndershëm i të gjitha kohërave ka qenë Erion Braçe', deputeti i PS 'shpërthen' në të qeshura

Socialistet dhe demokratët në Kuvend përveç debateve kanë shkëmbyer edhe batuta me njëri tjetrin. Një rast i tillë ishte mes deputetit të PS, Erion Braçe dhe demokratit Bujar Leskaj.

Pas fjalës së Braçes, ka replikuar Leskaj, i cili tha se kjo qeveri e ka të shkruar në ballë “keqqeverisjen, demagogjinë dhe korrupsionin'.

Me ironi Leskaj tha se “ministri më i ndershëm i kësaj qeverie ka qenë Erion Braçe”. Kjo ka bërë që deputeti socialist të shpërthejë në të qeshura, pasi nuk ka mbajtur asnjherë post ministri.

"I dashur Erion, kjo qeveria juaj dhe të gjithë ju të tjerët të qeverisë e ka të shkruar në ballë, keqqeverisje, demagogji dhe korrupsion.

Çfarëdo të thoni ju dhe të bëni dhe ministri më i suksesshëm në këtë qeveri, më i ndershmi i të gjithë kohorëve ka qenë një: Erion Braçe, kjo nuk diskutohet.

Po ministri më i zoti në këtë qeveri zonja kryetare e di kush është? Është ai Fuga që është bërë si ajo dora e padukshme që thoshte Smithi, që amplifikon propagandën dhe demagogjinë tuaj.

Ne kur vijmë diskutojmë për ligje, ne themi nene ta caktuara, ne bëjmë akuza konkrete, ju thoni fjalë të përgjithshme. E megjithatë i dashur Erion, qeveria juaj, keqqeverisje, demagogji dhe korrupsion", tha Leskaj

Ora 17:22
'Do t'i shkul veshët!' Shehaj debaton fort me Ulsi Manjën për Aministinë Penale! Ministri: Me ty merrem të enjten! Sponsorizon portale që çojnë ujë në mullirin e shteteve dashakeqe

Debat mes deputetit Arben Shehaj dhe Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja ludhur me amnistinë penale.

Shehaj akuzoi Manjën se ka gënjyer kur deklaroi se nga

Ministri e qeveria kanë gënjyer në mënyrë më të pamoralshme opinionin publik. Tre javë më parë deklaroi se nuk do të përfitojë asnjë i korruptuar, më pas thotë SPAK thotë kanë përfituar. Ti Manja mos e vrit mendjen se nuk e pret njeri dorëheqjen. Unë jam hajdut?! Ti liron të korruptuarit?! Do të thuash që nuk është e vërtetë? Je burrë, jep dorëheqjen. Erdhe këtu dhe gënjeve, mashtrues, jep dorëheqjen. Nuk të vjen mirë që gënjeve këtu. Të pëlqen të gënjesh.

Manja nuk dëgjohet pasi ka mikrofonin të mbyllur por nga karrigia i bën me dorë se do të të shkul veshët.

Agron Shehaj: Do më shkulësh veshët mua ti, ministër i Drejtësisë që liron të korruptuarit. Gënjen e nuk ka cfarë thotë.  

Në replikë Ministri Manja nga foltorja e kuvendit tha se do jepte përgjigje javën tjetër, jo vetëm për amnistinë penale por dhe për atë (Shehaj) personalisht duke e akuzuar se sponsorizon portale që publikojnë lajme dashakeqe për Shqipërinë 

Tani që amnistia mori 116 vota na del si kalorës i luftës kundër korrupsionit, kur në fakt ky shtet duhet të merret me ty, se je njeriu evazor më i madh në vend që sponsorizon portale e shkrime që çojnë ujë në mullirin e shteteve dashakeqe të Shqipërisë. Nuk do të jetë e largët dita që fytyra jote prej ëngjëlli e kalorësi të madh të demokracisë e luftës së korrupsionit në këtë vend të dalë ashtu sic është në të vërtetë. Për amnistinë do të jap përgjigje sot një javë ty e të gjithë atyre që tërë këto ditë jeni bashkuar për të manipuluar opinionin publik. Kjo është pse reagova nga vendi se e dua Shqipërinë më shumë se të tjerët. Do të marrësh përgjigje të enjten, por kujdes kur herë tjetër kur drejton gishtin ndaj ministrit të Drejtësisë dhe Ulsi Manjës personalisht. Se kur unë me Asllan Dogjanin luftonim me bandat e krimit të organizuar për të vendosur shtetin zotrote ndërtoje jetën tënde për shtatëpalë qejfe. Do të jap përgjigje sot e java për aministinë e punën me të cilën merresh ti. 

Agron Shehaj: Unë prita përgjigje e më tha flasim të enjten. Por ti nuk e mohon dot. Ke thënë që nuk përfiton dot asnjë I dënuar nga GJKKO. Thashë të vërtetën. Të korruptuarit kanë dalë e ti nuk e mohon dot.

 

Ora 16:08
Debate në kuvend për pr/ligjin për shkrirjen e Albcontrol! Opozita: Po shkrihet për shkak të gjyqit me Bechettin! Qeveria: Do jetë ent publik

Është shoqëruar me debate diskutimi mbi projektligjit në Kuvend për shkrirjen e Albcontrol SHA, dhe krijimin e një enti publik Albcontrol. Ky vendim për Partinë Demokratike është lëvizje fshihet procesi gjyqësor me biznesmenin italian Françesko Beketi. Ndërsa qeveria thotë se ndryshimi i statusit bëhet pasi bie ndesh me konventën e Eurocontrol.

Lefter Gështenja: Po shkelen ligjet. Albcontrol sh.a., “prishet pa kaluar në likuidim” dhe besoj se është  ne shkelje te ligjit për shoqëritë tregtare.

Emilia Koliqi: E vërteta është se llogaria e Albcontrol në Eurocontrol është bllokuar nga arbitrazhi dhe po bëhet kjo artificë për të ligjëruar financimin e Albcontrol me fonde të buxhetit.

Edmond Spaho: Arsyeja është se po na marrin paratë, na kanë marrë  65 mln euro, le të thotë zv kryeministrja zero

Belinda Balluku: Ka dy arsye, biem ndesh me konventën e Eurocontrol, nuk mund të jete SHA sepse duhet të paguaj tatim fitim, dhe kjo kompani nuk mund të krijoj fitim, ndaj po e ndryshojnë formatin dhe po e kthejmë në publik buxhetor. E dyta kompania si sha ka  qenë në varësi në Ministrisë së Financave dhe e cila nuk ka ekspertizë në këtë fushë, dhe komprometohet siguria, dhe kalon nga financa tek infrastruktura si ministri e linjës.

Ora 13:39
Balla replikë me Nokën: Ministër kanabisi! Si ka mundësi Flamur sulmon gjithnjë kryeprokurorët dhe ambasadorët amerikanë?

 

Ministri Balla replkoi në seancën plenare me deputetin e Rithemelimit, Flamur Noka, teksa ky i fundi sulmoi shkollën e Magjistraturës dhe kreun e kësaj shkolle Arben Rakipi duke e cilësuar si ish-spiun të sigurimit të shtetit. Balla i kërkoi Nokës të kërkojë falje dhe të mos sulmojnë më kryeprokurorët dhe ambasadorët amerikanë. Ministri Balla, tha se kriminaliteti është ulur dhe Shqipëria është kthyer në një nga vendet më të sigurta për turistët. Opozitës i kujtoi kohën kur nën qeverinë Berisha vlera e kanabisit në Lazarat ishte dy herë më e madhe se buxheti i shtetit.

Krye-zëvendës-lider, siç të quan nën/krye-zëvendës-lider Gjekmarkaj, çke që hyn në detaje? Pse hyni në detaje dhe në diskutim shifrash?

Nuk kishe ardhur, se ishe duke fjetur në mëngjes, kur u kujtova kolegëve të tu një shifër që ua përmendi kolegu Shalsi, që është shifra më domethënëse që ju  duhet të mbyllni gojën njëherë e për gjithmonë, dhe që ju për këtë çështje nuk mund të flisni kurrë.

Shifrën që ta ka lexuar zotrote  kur ti ishe në zyrën që unë mbaj sot, krah për krah me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Komandanti i Guardia di Finanza-s, Bastioni, në 5 gusht 2013. Dhe po ta rilexoj: “Në Lazarat lënda narkotike mund të arrijë në 900 ton. Ndërsa nga vlera e shitjes së saj, mund të përfitohet  4,5 miliard euro. Kemi bërë fotografi nga lartësia që dëshmojnë realitetin në Lazarat”.

Dhe për ta bërë më të kuptueshme për ty  nëse i referohemi buxhetit të shtetit 3,3 miliard dollarë, dhe me kursin e këmbimit, i bie fiks ajo që tha z. Shalsi, që tha: “Buxheti i shtetit në kohën kur e mbyllët ju, që s’keni për t’u kthyer më kurrë, ishte dy herë më i vogël në vlerë, se sasia në vlerë e kanabisit që kultivonit dhe shisnit ju!”

Por, do të kisha shumë dëshirë të flisja për ofruesin e shërbimit të lundrimit ajror “Albkontrol”, sepse nëse ne kemi një pasaportë realisht europiane “Albkontroll-i” është “Made in Europe” 100%. Është ajo që jemi anëtarë të BE, por nuk do flas për këtë sepse edhe për shkak të viteve që kam në këtë sallë më bëri përshtypje sulmi i radhës që ju bë një institucioni tjetër të drejtësisë.

Në rastin në fjalë, halli ua do të sulmohet, nuk e di për cilin hesap, i kam disa dyshime, por për kë hesap e keni që po sulmoni Shkollën e Magjistraturës. Por deri më sot, të paktën unë kam 20 vite, nuk kishte ndodhur që njëra prej palëve politike të sulmonte Shkollën e Magjistraturës. Arsyeja pse nuk ka ndodhur është se që prej vitit 1997 - 1998, kjo shkollë, që ne e kemi pranuar të gjithë në thonjëza “çedimi sovraniteti”, sepse Shkollën e Magjistraturës, ua kemi besuar atyre që janë partnerët tanë më të rëndësishëm. Që nga 1997-1998, mos gaboj, certifikimin ose sekretimin e procesit ia kemi besuar OSBE-së. I kemi thënë OSBE-së që duhet të jeni ju. Aty janë projektet e shumta, mirënjohje, taksapaguesve amerikanë, përmes të cilëve Ambasada Amerikane është prezente në projektet e veta të mbështetjes, sepse në fund të fundit aty është burimi i magjistratëve, aty është Këshilli i Evropës dhe plot partnerë të tjerë.

Është një proces që zhvillohet me një pajisje digjitale, përmes një skantroni, një proces që është qartësuar siç kam ndjekur unë, në publik, e ke ndjekur edhe ti. Pra është qartësuar dhe nuk ka asnjë problem. Procesi ka vazhduar normalisht, pajisja kur ka marrë faqet nuk ka marrë një faqe të fundit, është ribërë vlerësimi, kanë dalë të gjithë. Asnjë prej atyre që janë aty nuk kanë ankesa. Pse ankohesh ti? Pastaj shkohet tek halli se duhet gjetur një copë baltë edhe pastaj duhet gjetur se kush duhet goditur.

Dëgjova këtu, që godisnit drejtorin e shkollës, juristin e nderuar Arben Rakipi. Këtu kuptova se kush është halli. Flamur, kam vetëm një pyetje, si ka mundësi që ti si kryezëvendës-lider, riprodhon por me gabime në formë dhe në përmbajtje, gjithë baltën që ka prodhuar, ish-lideri yt, në arrest shtëpie?!

Nga 1992 e deri më 2024, “babai” yt politik i ka sulmuar me radhë. Ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Maksim Haxhia, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Ina Rama. Dhe tani po sulmoni Prokurorin e Përgjithshëm Olsi Çela dhe drejtuesin e SPAK Altin Dumani.

Ju nuk të lini fare hapësirë që t’ju mbrojë dikush, sepse jeni konsekuentë. Nuk keni lënë asnjë Prokuror të Përgjithshëm me përjashtim të Adriatik Llallës, për arsye që nuk po i ndaj këtu.

Këtu pastaj qershia mbi tortë. Njëlloj, siç keni sulmuar gjithë prokurorët e përgjithshëm, keni sulmuar të gjithë ambasadorët amerikanë. Nga i pari te i fundit! Me përjashtim të Rajersonit, i cili iku shpejt. E filluat me Mariza Linon, pastaj kaluat te John Withers, pastaj te James Jefrey, Marci Ries e me radhë, pastaj te Arvizu, Donald Lu e Juri Kim dhe presim tani ambasadorin e radhës që sapo ka kaluar në Senat, që të vijë e të filloni të njëjtën këngë!

Tani, si ka mundësi që ju sulmoni edhe Prokurorin e Përgjithshëm, edhe ambasadorin amerikan?! Si ka mundësi, o Flamur? Ngrije kokën pra!

Dhe vini merrni fjalën këtu në mëngjes dhe kërkoni përgjegjësi, një pjesë të cilat s’na takojnë, kur fjalë për sulm ndaj një magjistrati, si ai që ka ndodhur të dielën në Shkodër, për të cilin unë kam thënë që është një test për Policinë e Shkodrës dhe që sapo të konkludohet, bashkë me prokurorinë është diçka që duhet ta zbardhim domosdoshmërisht, që maskarenjtë të mos marrin hov kundër drejtësisë së re që po lind në gërmadhat e drejtësisë së vjetër. Por ka ardhur koha që disa prej jush t’i thërrasin mendjes. Secili prej atyre magjistratëve, nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, te Prokurori i Përgjithshëm, te z. Rakipi e të gjithë me radhë, janë familjarë në radhë të parë. Dhe ç‘punë keni ju t’u hyni këtyre njerëzve me “libër shpie”? Ti je i fundit që mund të thuash për historira “sigurimi” o Flamur! Të lutem. I thua ti Arben Rakipit “sigurims”! Po jo, mos e bëj këtë gjë, se po u hapën ato të shkreta letra, aman, s’dihet si del!

Në këtë sallë, Dashi, në këtë sallë, ju e dini edhe si ka funksionuar, fare mirë, shumica, kanë qenë një çik këtej Dashi, e di fare mirë. Megjithatë, ne i kemi bërë përpjekjet tona dhe mos e harroni, ju e keni premtuar, ne e kemi bërë realitet edhe pjesën e hapjes së dosjeve.

Kështu që, Flamur, tërhiqi mbrapsht ato që the, kërkoi falje Shkollës së Magjistraturës, mund të ketë qenë ndonjë ëndërr e mbetur në sirtar për ty, por ti zgjodhe doktorin dhe si ai doktori tjetër, s’e bërë kurrë profesionin!

Ora 10:56
Bardhi përplaset me Erion Braçen: O gore, mbylle gojën! Mos më acaro nervat që në mëngjes

Gazment Bardhi është përplasur në Kuvend me deputetin e PS-së, Erion Braçe pas tensioneve në foltore me kryeparlamentaren Lindita Nikolla ku i kërkonte fjalën të parashtronte kërkesën për intepelancë me Ramën për RAI. 

Pasi e mori fjalën, Braçe  i tha që t’i kërkonte falje për mënyrën se si iu drejtua Lindita Nikollës. Kreu i Grupit të PD-së iu drejtua me fjalën “gore”, duke i kërkuar që të mbyllë gojën.

“Kërkoj falje unë kur ka reflektim nga kryetarja e Kuvendit, ka edhe nga ana jonë. Po pra po, a ka mundësi ta mbyllësh gojën ti aty tani, gore, aty na acaron nerva që në mëngjes”, i drejtohet Gazment Bardhi.

Në fund të fjalës Bardhi i kërkoi falje Nikollës, ndërsa të njëtën gjë kërkoi dhe nga ajo. 

Bardhi: Ndjesë për gjuhën e përdorur. Edhe ju duhet të kërkoni ndjese që na vonuat 1 orë.

Ora 10:38
Tensione në Parlament/ Bardhi ngulmon për interpelancë me Ramën: Më jep fjalën! Godet me grusht foltoren, ndërhyn Garda

Gazment Bardhi është përfshirë në një debat me kryeparlamentaren Lindita Nikolla, pasi kjo e fundit nuk i dha fjalën për të parashtruar kërkesën e tij për interpelancë me Ramën për emisionin e RAI. Bardhi i ra foltores me grusht, ndërsa e bllokoi atë derisa mori fjalën.

Nikolla: Të kam dhënë vërejtje.

Bardhi: Më jep të drejtën të shpjegoj atë që parashikon rregullorja e Kuvendit.

S’po marr asnjë porosi. Kam rregulloren.

Ora 10:35
Kërkojnë interpelancë me Ramën për Rai, opozita: Përse nuk vjen në Kuvend t’i përgjigjet opozitës, po zgjidh hallet ndërkombëtare

 

Opozita kërkon në Kuvend kryeministrin Edi Rama për interpelancë lidhur me emisionin RAI për Shqipërinë. Gazment Bardhi dhe Asllan Dogjani kërkuan Ramën në Kuvend, ndërsa me ironi deputeti Dogjani tha se Ram apo zgjidh hallet ndërkombëtare dhe ka harruar se është kryeministër.

“Nuk mund të mashtrohet opinioni publik në një seancë që ka qenë publike. E hëna është e dedikuar për zgjedhësit, nuk zhvillohet interpelancë. S’ka pasur asnjë informim lidhur me kërkesën për interpelancë urgjente. Nuk ka pasur asnjë votim të seancës që rrëzonte kërkesën për interpelancë. S’ka pasur as njoftim nga kryetarja e kuvendit, as ftesë që të shpjegoj kërkesë për interpelancë, as votim”, tha Gazment Bardhi.

“Se kuptoj cila është arsyeja që Rama injoron parlamentin dhe nuk vjen në parlament për t’iu përgjigjur kërkesave të deputetëve të opozitës. Ne nuk e kuptojmë përse nuk vjen në parlament, injoron qytetarët shqiptarët. A mund ta dimë se cila është arsyeja. Nuk është se na ka marrë malli fort për të, por duhet ta dimë përse injoron parlamentin ky zotëri. Përse nuk vjen që t’u japë përgjigje kërkesave të opozitës. E dimë që është i zënë me problemet ndërkombëtare, ndoshta e ka harruar që është kryeministër, por mos të harrojë që është deputet”, tha Asllan Dogjani.

Ora 10:25
'Kemi kërkuar interpelancë urgjente me kryeminstrin', Çuçi replikon me Bardhin: Nuk ka urgjencë, vetë RAI e shtyu emisionin

 

Gazment Bardhi dhe Blendi Çuçi kanë replikuar në nisjen e seancës plenare këtë të enjte. Kreu i grupit të Rithemelimit kërkoi interpelancë me kryeminsitrin Rama sa i përket emisionit të RAI 3, ndërsa Çuçi iu përgjigj se nuk ka nevojë për urgjencë, pasi vetë RAI 3 e shtyu pjesën e dytë të emisionit.

Bardhi- Kryeparlamentares Nikolla: E keni kthyer shkeljen e kushtetutës në normë. Interpelancat për kryeministrin as nuk ja komunikoni seancës. Kemi kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin për një ndërhyrje skandaloze të kryeministrit tek mediat italiane. Ju e keni rrëzuar kërkesën dhe e kuptoj sepse kryeministri ju ka dhënë urdhër ta mbroni sepse ai ka frikë. Arroganca juaj nuk mund t’i mbivendoset kuvendit. Është kuvendi që do duhet të vendos, por e kuptoj se ju keni frike ta përmendni emrin e Kryeministrit.

Çuçi: Nuk është çështje për interpelancë sipas përcaktimeve të rregullores dhe aq më pak pastaj se është urgjente se vetë programi i RAI nuk ka urgjencë meqë vetë e ka shtyrë pjesën e dytë të emisionit. Pra është njoftuar në seancën e kaluar është thënë qëndrimi  konferencës së kryetarëve, është marrë vendimi në parlament që nuk ka vend për një interpelancë urgjente.

 

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?