Mbledhja e qeverisë në Shëngjin/ Rama shpalos projektet e 2024: Porto Romano me financim të brendshëm! Agjenci aksionere për prodhimin e automjeteve

10 Janar, 09:28| Përditesimi: 10 Janar, 21:52

  • Share

Tirane- Financim i brendshëm për Porto Romanon, një shoqëri aksionere për prodhimin e makinave të shtetit apo hapja e disa segmenteve të rëndësishme rrugore, janë vetëm disa nga objektivat që qeveria i vuri vetes në mbledhjen dy ditore të Shëngjinit (9 -10 janar 2024). 

Në përfundim të saj, para gazetarëve listoi projektet që qeveria do të ketë prioritet për 2024, duke premtuar mbylljen e shumë prej tyre brenda vitit.

Dy agjenci pritet të jenë në funksion këtë vit Agjencisë Kombëtare e Transportit dhe agjencia aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit

"Një projekt tjetër i madh, jo infrastrukture, por që lidhet me shfrytëzimin e infrastrukturës, është që më në fund finalizojmë këtë vit dhe hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit, jemi një vend që synojmë të bëhemi kampionët absolutë, tani i kam shtuar dhe fjalën “absolut” pozicionit të Shqipërisë në rajon për turizmin. Agjencia Kombëtare e Transportit do t’i shërbejë kalimit në një nivel komplet tjetër të gjithë sistemit të transportit dhe Agjencia Kombëtare e Transportit do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë të rëndësishëm të transportit të mësuesve dhe të fëmijëve. Kemi filluar punën prej kohësh, por jemi në finalizim dhe besoj do ta dëgjoni në dy tre muajt në vijim, por besoj dhe më shpejt,  krijimin e një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport"

Në funksion të të gjitha zhvillimeve ekonomike dhe atyre të inovacionit, kreu i qeverisë sqaroi se do të jetë edhe dikasteri më i ri i kabinetit qeveritar që do të drejtohet nga Blendi Gonxhe.

rijimi i ministrisë së re atë, ‘të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit’ erdhi si nevojë e kohës tha Rama duke hedhur poshtë aludimet se pas kësaj lëvizjeje ishte largimi i ministres Elva Margariti, deri para disa ditësh ministre Kulture. 

U duk besimplotë në zgjedhjen që kishte bërë duke vendosur në krye të dikasterit të ri Blendi Gonxhen

'Ministria e re nuk është krijuar për të larguar zonjën Margariti e cila ka bërë detyrën e vetë në krye të Ministrisë së Kulturës... Arsye që unë kam paraqitur shkurtimisht janë shtjelluar pak më gjatë në relacionin që i kam dërguar dhe Presidentit...Po ashtu kam shpjeguar pse kam bërë zgjedhjen e ministrit të ri, sepse është një nga drejtuesit publikë më te sprovuar dhe me një sukses të pranuar nga të gjithë

Gjatë u ndal te kundërshtarët politikë dhe ngërçin me ta në parlament, që gjithashtu ishte temë e diskutimeve brenda mbledhjes informale dyditore.
Por Rama, u mbyll opozitarëve të flakadanëve në parlament çdo derë dialogu.

Për të, beteja në parlament bëhet vetëm për një njeri, Sali Berishën që tashmë nga ballkoni i shtëpisë urdhëron përplasjet.

“Sa kohë kemi boks mundje, hedhje gjyle apo ndezje flaakadanësh do të votojmë e do të largohemi. Sepse lufta, bëhet për një problem me drejtësinë një njeriu që ka kaluar nga parlamenti në ballkon sic prisnin në Romë ata nga llozhët, e i thotë skllevërve të tyre përballuni me luanët të shohim kush do të fitojë.

Por në mungesë të dialogut, ku do t’i gjejë kryeministri Edi Rama votat për ligjet që kërkojnë edhe konsensusin e opozitës, sic është Reforma Zgjedhore?

“Nuk bëhet një komision bipartisan-pa 2 partizanë.. kemi një partizan, dhe 7 ballistë, e më pas sa t’i jepet sinjali, nga ballistë kthehen në balerinë, nga balerinë, doktorë, mundës, tigra… Nuk jemi të shtërnguar të bëjmë asgjë që i jep një goditje të re kulturës së shtetit dhe kulturës demokratike. Nëse ne do hapnim rrugë për bojkotin, do kishim bojkot non-stop. Keni dëgjuar ju të thonë që nuk do hyjmë në zgjedhje? Sepse e kuptuan që po s.hyre në zgjedhje: e ha vetëm ti.

As Lulzim Bashën nuk e ka më opsion, e kur pyetet për të, ironinë e ka gati.

Shshshshh mos më pyesni për të kur ka orarin e gjumit.

Përballë gazetarëve, Rama foli për një takim të mundshëm shpejt me kryeministrin e Kosovës në një forum të radhës në Shkup, ndërsa mohoi zërat se ka kërkuar si emër konsensual me Greqinë, atë të Vangjel Tavos për Bashkinë e Himarës duke thënë se pret vendimin e Apelit për Fredi Belerin.

-Projektet e vitit 2024
-Brenda vitit hapet aksi rrugor Thumanë-Kashar 
-Do të procedojmë përpara sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj
-Brenda vitit përfundojmë segmentin e parë hekurudhor Tiranë-Durrës
-Në vjeshtë lidhim kontratën për të filluar punë për linjën hekurudhore Vorë-Hani Hotit
-Porti i ri i Porto Romanos do të ketë me financim të brendshëm.
-Hekurudha për në Kosovë, do të kalojë nga Shkodra.
-Kemi kërkuar financim për Bypass-in e Elbasanit, puna me korridorin 8 po ecën shpejt
-Hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit
-Krijimi i një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport.
-Do të ketë dhe shoqëri aksionere për prodhim automjetesh për nevojat e shtetit dhe pse jo për eksport

 Ndiqni deklaratat më të rëndësishme në lajmet në zhvillim

Ora 18:04
Qeveria dy ditë në Lezhë, Rama: Shpenzimet i ka paguar secili nga xhepi i tij, nuk janë mbuluar nga qeveria

1704906518_1c3eb1705c2d4cb7afb267e2c6e5d3c7.jpg

Kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë gjatë konferencës për shtyp se të gjitha shpenzimet dy ditore të mbledhjes së kabinetit qeveritar, nuk janë paguar nga buxheti i shtetit por nga vetë të pranishmit.

"Kemi kaluar përpara disa ditësh një projekt, një leje zhvillimi që na erdhi si kërkesë, një projekt që erdhi si kërkesë e një sipërmarrjeje të rëndësishme në Kosovë. Ka qenë vërtete një kënaqësi, kënaqësi për projektin, kënaqësi për faktin që një sipërmarrje e rëndësishme në Kosovë investon në projekte shqiptare dhe unë dua t’i bëj thirrje sipërmarrësve të Kosovës që janë shumë të mirëpritur dhe t’ia u përsëris që “hajdeni dhe investoni në turizëm dhe sidomos në këtë zonë”. Kemi një tjetër projekt zhvillimi, - të cilin e ndjek këmba, këmbës vet Pjerini, por edhe unë jam i përfshirë, - në këtë segment që është shumë premtues. Por duke qenë se ky nuk është një projekt që ka kaluar në sitën e aprovimit, nuk dua të flas përpara se mund të duket shumë i bukur për të qenë i vërtetë. Por di të them këtë që ajo që kanë bërë sipërmarrësit, si sipërmarrësi ku jemi ne këtu që i falënderoj për mikpritjen dhe dua që ta bëj shumë të qartë që të gjitha shpenzimet individuale nuk janë paguar nga qeveria,  janë paguar nga secili prej nesh që të jemi të qartë që të mos thonë “shkojnë këta, hanë e pinë me leket tona”. Këtë e bëjmë në të gjitha rastet dhe e bëjmë këtë gjë dhe për të promovuar dhe për të ndihmuar dhe për të mbështetur", tha Rama.

Ora 16:56
‘Tymi’ i opozitës, Rama: Do i thërrasin mendjes, vazhdojmë vetëm

Nëse sjellja e opozitës në Kuvend vazhdon të jetë konfliktuale për Ramën asgjë nuk ndryshon në qasjen e mazhorancës. Rama tha se puna do të vazhdojë siç ka ndodhur deri më tani, ndërsa për reformën zgjedhore Kryeministri se mund të bëhet edhe pa opozitën në komisionin bipartizan.   

"Nuk jemi të shtrënguar të bëjmë asgjë që i jep një goditje të re kulturës së shtetit dhe kulturës demokratike, ju kujtohet juve besoj, mua më kujtohet mirë dhe juve ju kujtohet se pavarësisht se jeni shumë më të rinj, po këto nuk janë histori shumë të vjetra kur ju thoja nëse ne do të të hapim rrugë për bojkotin, për shkak të bojkotit, ne do të kemi bojkot non stop. Keni dëgjuar më njeri ju edhe ndër këta që kanë këto dilemat psiko-fizike që të thonë do të bojkotojmë. Keni dëgjuar ndonjëherë?

Pse u varros përfundimisht bojkoti si mjet? U varros sepse u kuptua që bojkoti përmes të cilit, ti do të çosh patjetër në buzë të greminës të gjithë, të çon ty në fund të greminës dhe pastaj rruga nga kthimi i fundit të greminës për të ardhur aty ku ishe, është shumë e gjatë. Keni parë më, keni dëgjuar më ju njeri dhe nga këta që kanë nga këto dilemat midis mundjes, boksit dhe politikës, të thotë nuk do të hyjmë në zgjedhje? Pse? Sepse u provua që ti mund të mos hysh në zgjedhje dhe e ha vetëm ti, ndërkohë që vite të tëra ramë të gjithë pre e një inercie që na thoshte bojkot.

Edhe unë jam këtu dëshmitar dhe dëshmitar si mini protagonist në këtë inerci. Po të kthehesha mbrapa në vitin 2009-të, nuk do e bëja bojkotin me këto mend që kam sot. Mirëpo, nga ana tjetër, po të kthehesha mbrapa me mendtë e atëhershme dhe në inercinë e atëhershme të të gjithë sistemit, do të bëja bojkotin që ishte bojkoti më i arsyeshëm mendoj unë për një shkak komplet të thjeshtë dhe që sot as diskutohet më hapja e kutive, madje me një kërkesë të thjeshtë dhe dy anëtarë të KQZ-së ti hap çdo kuti. Atëherë të thoje “të hapim kutitë të shohim çfarë kanë brenda” ishte krim që na çoi deri në grevë urie e të tjera.

Por, në të gjitha këto raste, unë mendoj që atë rezultat mund ta kishim arritur edhe pa bojkot, po jo me mendtë e mia të atëhershme, se si arrihet me mendtë që kam sot. Mirëpo, pse e them këtë?! E them këtë sepse ishte gjithmonë rruga “ti bojkoton, merr përsipër goditje, pastaj të vijnë amerikanët, të vijnë francezët, të vijnë belgët e të thonë hajde tani uluni, gjeni një zgjidhje”.

Ditën që ju tha “jo, këtu nuk ka. Stop. Këtu do të bojkotosh, do të rrish në çadër, do të luftosh ja vdekje ja liri, të këndosh himnin çdo mëngjes”, bëje deri kur të të vijë mosha për të shkuar në banesën e fundit, por rrugën ti kështu nuk e ha dot. Do të mos futesh në zgjedhje, mos u fut deri kur të të mërzitet politika dhe të ikësh të bësh një punë tjetër. Po duke mos u futur në zgjedhje, ti nuk detyron dot askënd që të bëjë atë që do ti. Edhe kjo, do të marrësh karriget ti ngresh përpjetë, ngriji. Do të ndezësh flakët në Parlament, ndizi. Do të përdorësh të gjithë arsenalin e gojës, përdore. Do të shtysh edhe të gjuash, gjuaj, por ti asgjë nga ato që kërkon nuk ke shans jo t’i marrësh, po as të dëgjohen, nëse nuk i jep të drejtën tjetrit të flasë. Kaq!

Dhe nuk e di, deri në mars, deri në prill, deri në qershor, deri në 2025, nuk e di kur, po dhe kjo do marrë fund dhe nuk do ta përdorë më njeri më vonë se do e kuptojnë që është kot. Është kot! Nuk të çon asgjëkund! Fare! Të çon poshtë ballkonit, po. Poshtë ballkonit je i lirë, rri poshtë ballkonit!

Ora 15:55
Investimet në Lezhë/ Rama: Shoh disa projekte spektakolare! Shëngjini shembull i pastërtisë, duket si segment i rivierës spanjolle

 

Lezha duket se është një prej bashkive që merr notë pozitive nga kryeministri Edi Rama. Në konferencën e sotme për shtyp ai u ndal te projektet që janë në vijim në këtë qark ndërsa vlerësoi dhe punën e bërë deri më tani nga kryetari i bashkisë Pjerin Ndreu.

Pyetje: Investime të rëndësishme po prekin dhe zonën e veriut por kjo nuk i jep zgjidhje problemit të trafikut. Është përfolur për një bypass për Shëngjinin, a do ketë investime?

Rama: Bypassi që kemi folur është në proces. Është kërkesë këmbëngulëse e kryebashkiakut të Lezhës të cilin e përshëndes se ndodhet për punë jashtë vendit, po e përshëndes se po nuk  e përshëndeta i mbetet hatri.

Duke qenë se e njeh mirë zonën ka përkushtim të veçantë etj, është e gjatë lista e arsyeve pse Pjerini është njeriu i duhur këtu. Është në proces Bypassi. Rruga është e financuar nga donatorët, pra është me financim të huaj dhe kur shfaqen probleme të natyrës legale kur del njëri dhe thotë jam pronar apo kur ndodh siç na ndodhi me bashkinë e vjetër të Shkodrës atëherë proceset vonohen ndërpriten.

Na ndodh me financime të brendshme që të ketë problematika të tilla...Shoh disa projekte spektakolare sa i përket Lezhës. Ajo që ka ndodhur me Shëngjinin si rezultat i punës së disa sipërmarrësve i punës së kryetarit të bashkisë që re ka bërë Shëngjinin shembullin e pastërtisë që është ndjekur dhe nga të tjerët, bën që Shëngjini nëse e shkëput të bën të duket si një segment i rivierës spanjolle.

Po kërkojmë investime të cilësisë së lartë, na duhet të sjellim në Lezhë konsumatorë të lartë. Të sjellësh sa më shumë njerëz që shpenzojnë këtu kjo është ekonomia. Ky është insistimi jonë, jam shumë optimist për Lezhën. Ajo që do të bëjmë është që ti orientojmë sa më shumë sa më mirë sipërmarrësit që të shikojnë nga cilësia. Ne duhet të bëjmë gjëra që janë cilësore. Kështu do ta bëjmë Shqipërinë kampione dhe në numra. Një vend që ka 2.5 milionë njerëz që jetojnë aty dhe sjell më shumë se trefish të numrit që ka turistë është një vend që ka të gjitha arsyet të buzëqeshë dhe të thotë se e ardhmja shihet me sy.

Ora 15:52
U pyet për Bashën, Rama e ironizon: Sa është ora? Shhh, në këtë orë, kurrë mos pyesni për atë

Kryeministri Edi Rama ironizoi kryedemokratin Lulzim Basha pas pyetjes së bërë nga gazetarët nëse ky i fundit mund të ndihmojë mazhorancën për të siguruar 84 vota në projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

Duke shkaktuar të qeshura, Rama tha se në këtë orë të ditës nuk duhet gazetarët nuk duhet të pyesin për Bashën duke nënkuptuar se kryedemokrati mund të jetë në gjumë.

Gazetarja: Besoni se Basha mund t’ju ndihmojë për t’i siguruar 84 vota në Kuvend?

Rama: Sa është ora?

Gazetarja: Ka kaluar ora e gjumit besoj...

Rama: Shhh, në këtë orë kurrë mos pyesni për atë...

Ora 15:49
Mandati i Arben Ahmetajt? Rama: S'u diskutua, na duhet staf i specializuar për Parlamentin

Kush do ta marrë mandatin e Arben Ahmetajt? Dallëndyshe Bici apo Plarent Ndreca?

Skandimi i mandatit të Arben Ahmetajt nuk ka qenë objekt diskutimi në takimin informal dyditor në Shëngjin që u mbyll sot.

E pranoi vetë Rama ndërsa nënvizoi nevojën për ngritjen e një stafi të specializuar në kuvend

“Nuk u diskutua as në çështjen e grupit. Parlamenti ka nevojë të rrisë cilësinë e stafit. Deputetët janë të zgjedhur por stafi, ekspertët që mbështesin parlamentin. Na duhet të bëjmë ligje që duhet të kenë cilësi shumë më të mirë në raport me pasqyrën që kemi në Bruksel. Nuk kemi luksin të humbasim kohë. Na duhen ekspertë e stafe të kualifiuara të parlamentit, ekspertë të brendshëm me paga të mira të konkurueshme. Kemi folur për monitorimin cilësor të institucioneve të pavarura.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, mandati i Ahmetajt merret nga Dallëndyshe Bici, aktualisht Drejtoreshë e Kadastrës, e në rast se për shkak të postit, Bici refuzon mandatin, ai i kalon juristit Plarent Ndreca, me 4008 vota personale.

 

Ora 15:31
‘Vangjel Tavo i propozuar për të drejtuar bashkinë e Himarës?’, Rama: Historira të dala nga media greke! Ne po presim vendimin e Apelit për Belerin

 

Kryeministri Edi Rama i pyetur për lajmet që kanë qarkulluar në mediet greke se i ka propozuar Vangjel Tavos që të marrë drejtimin e Himarës, tha se nuk kanë asnjë burim të sigurtë këto informacione. Ai ka theksuar se qeveria është duke pritur vendimin e Apelit të GJJKO që më pas të marrë veprime për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Himarë pasi kryebashkiaku i zgjedhur Fredi Beleri ndodhet në burg.   

Pyetje: Çështja Beleri, ka pasur hipoteza se për kryesimin e bashkisë Himarë keni propozuar Vangjel Tavon. A është e vërtetë?

Rama: Vendimi i GJKKO ishte pozitiv në këndvështrimin tim edhe për një hapësirë që krijon por së pari njëherë nuk është vendim i formës së prerë dhe ne do të presim të marrë formë  të prerë, s’mund të veprojmë me një vendim të shkallës së parë. Të gjitha këto të tjerat që kanë qarkulluar kanë si burim median greke as median shqiptare as qeverinë as zyrën time. Kështuqë unë nuk komentoj çfarë më vë mua në gojë apo në kurriz media greke pa më pyetur dhe mua. Janë emra, historira që unë i kam parë në median shqiptare të marra nga media greke. Është pyetje për kolegët tuaj grekë në gazeta portale televizioni ose kur tu jepet pyetja pyesni autoritetet greke. Unë di që ne presim vendimin e formës së prerë.

Ora 15:13
'Një nga drejtuesit publik më të sprovuar' Ja pse Rama zgjodhi Blendi Gonxhen në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Pse Blendi Gonxhe në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit?

"Është një nga drejtuesit publik më të sprovuar dhe një sukses të pranuar nga të gjithë. Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ishte një kjoskë banale, çerdhe korrupsioni e skenat brutale të maskaradës antishtet që trashëguam. Fakti që arritëm që të bëjë që Gjermania të pranojë njohjen e lejes së drejtimit I thotë të gjitha

Domethënë kemi krijuar, ose më saktë nën lidershipin e tij është krijuar një  institucion shqiptar që mund ta marrësh, mund ta vendosësh në gjithë hartën e institucioneve evropiane të sektorit dhe plotëson të gjitha standardet, se ndryshe nuk të njeh Gjermania patentën. Nuk të jep Gjermania ty mundësi të drejtosh makinën me një patentë të marrë te Qafa e Kërrabës me detyrimin që të votosh për partinë X dhe pa bërë test, se nuk mundet Gjermania që makinat që lëvizin në territorin e saj, të  jenë “autobomba për të vrarë’’ njerëz për shkak shoferësh që kanë një patentë, por s’kanë dijeni se si i jepet makinës.

Dhe fakti që institucionet e asaj drejtorie janë institucione model, janë si ky këtu hotel për pritjen, përcjelljen, eficiensën e shërbimit, shkurtimin e burokracisë e të gjitha përmes inovacionit flet vetë dhe plus background-i mbrapa kulturor dhe lidhja e mëhershme me kulturën e ministrit të ri, e cila bëri që Drejtoria e Transportit të behej e famshme dhe të bëhej e dashur për të gjithë njerëzit, jo vetëm për shërbimet, por edhe për gjithë segmentin e ri të Retro-s, po ashtu flasin vetë për ‘pse’' tha Rama. 

Ora 15:11
Berisha në arrest shtëpie, Rama: Nga ballkoni pret përplasjen në parlament! ‘Lufta’ në Kuvend bëhet për problemin e tij me drejtësinë

 

Kryeministri Edi Rama i pyetur nga gazetarët mbi veprimin e mazhorancës nëse presidenti do të kthente mbrapsht projektligjin për komisionet hetimore, tha se një mundësi e tillë nuk ekziston pasi ligji është bazuar në modelin gjerman. Dhe theksoi se për projektligjin nuk do të ketë negociata me opozitën.

“Ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë dhe janë në kërkim të modelit të tyre”- tha Rama.

Më tej ai foli për situatën e krijuar në Kuvend pas kaosit të shkaktuar nga deputetët e Bardhit dhe Berishës, duke theksuar se përsa kohë situata do të jetë e njëjtë qeveria do të votojë dhe do të largohet nga seanca. Kryeministri tha se problemi i Sali Berishës me drejtësinë nuk është problem i popullit shqiptar dhe se parlamenti nuk duhet të ndikohet nga ky proces.

“Lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike apo konceptuale. Bëhet për një problem që ju e dini të gjithë. Një problem njerëzor por jo i kësaj shoqërie dhe i këtij populli problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga parlamenti në ballkon dhe pret nga parlamenti përplasje. Siç prisnin ata në Romë, ata që rrinin atje në Lozhë dhe skllevërve të tyre u thonin përplasuni me luanët. Por ne nuk jemi as skllevër as luanë, jemi përfaqësues të shumicës që bëjmë punën tonë”- shtoi kryeministri.

Ora 15:07
Rama flet për hakerimin e website të Parlamentit! Sistemi dixhital i Drejtësisë më arkaiku

Sistemi dixhital i Drejtësisë më arkaiku, nuk ka transparencë, tha Rama

“Ne kemi sistemin më të prapambetur në Europë nëse flasim për dixhitalizim. Ende me defterë që janë shumë më keq të renditur sesa të periudhës otomane e diktaturës. Ka shumë gabime ortografike e formulime ekstravagante të pakuptueshme dhe nuk mundësojnë asnjë transparencë në trajtimin e cështjeve gjyqësore” tha Rama

Rama flet dhe për sulmin ndaj website të parlametit 

Nëse parlamenti do të ishte përfshirë në sistemin e AKSHI-t  dhe të mbrojtjes nga AKCESKU do e kishte shumë më të lehtë. Nuk them se mund të mos goditej por do e kishte më të lehtë. Inovacioni do të ishte problem nëse nuk i marrim të gjithë të mirat.

Ora 15:02
Pse larguat zonjën Margariti? Rama: Ministria e re nuk u krijua për ta larguar, arsyet ja kam shpjeguar presidentit

Pse keni larguar zonjën Margariti? Si do kompozohet ministria e re

Edi Rama: “Ministria e re nuk është krijuar për të larguar Margaritin, por për të krijuar një strukturë të re. Arsyet janë shtjelluar në relacionin e presidentit dhe ka të bëjë me nevojën për të ecur më shpejt duke thyer kufijtë tradicionalë në kohën kur ekonomia jonë, sektori institucional që mbulon ekonominë ka nevojë për një shtysë të re të fortë. Pasi janë një sërë sfidash që kërkojnë vëmendje dhe Inovacioni kërkon udhëheqje e orientim të drejtëpërdrejtë që nuk mund ta bëjë kush tjetër në këtë fazë vetëm një ministri Ekonomie

Ora 14:58
Rama: Ka dakordësi me Kosovën, do studiojmë mundësinë për ndryshuar linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, të kalojë edhe në Shkodër e Gjakovë

 

Kryeministri Edi Rama thotë se ka një dakordësi me qeverinë e Kosovës për të eksploruar mundësinë që të ndryshohet linja hekurudhore Durrës-Prishtinë, që të kalojë nga Shkodra, Gjakova dhe më pas në Prishtinë.

"Ka komunikime intensiv me Kosovën për ecurinë e hekurudhës Durrës-Prishtinë, ka një dakordësi nga të dyja palët për të ekspoluar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë, kjo është një zgjidhje e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës", tha Rama. 

Ora 14:57
Rama: Do të krijojmë shoqëri aksionare për prodhim makinash për nevojat e shtetit dhe pse jo për eksport

 

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat bëri me dije se qeveria do të krijojë një shoqëri aksionare prodhim automjetesh për nevojat e shtetit dhe pse jo për eksport.

‘Transporti i mësuesve dhe fëmijëve jemi në finalizim dhe besoj do ta dëgjoni në dy tre muaj në vijim pë rikrijimin e një Shoqëri aksionare për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport. Është një projekt shumë i bukur që do të na japë mundësinë të plotësojmë nevojat e MSH-së, MB dhe transportin e mësuesve. Duke u bazuar tek një vajzë shqiptare e cila krijon autoambulancat.’- tha Rama.

Ora 14:55
Rama: Ndryshim në financimin e Portit të ri në Porto Romano, do ketë financim të brendshëm

 

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se do të ketë një ndryshim në financimin e ndërtimit të Portit të Porto Romanos në Durrës. Sipas Ramës do të ketë financim të Brendshëm, pasi është përfshirë edhe NATO.

‘Hapja e garës ndërkombëtare për Porto Romanon në Durrës, do të bëjmë së shpejti një ndryshim për natyrën e financimit pasi është një projekt strategjik, pasi kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të Portit. Ndryshimi do të jetë që do të kalojë me financim të brendshëm në mënyrë që mos të zgjatemi me procedura.’- tha Rama.

Ora 14:54
Mbledhja 2-ditore në Shëngjin, Rama: Brenda vitit hapet aksi rrugor Thumanë-Kashar, me gjasë përfundon edhe segmenti i parë hekurudhor Tiranë-Durrës

 

Kryeministri Edi Rama në përfundim të mbledhjes dy ditore të qeverisë në Shëngjin ka dhënë një konferencë për mediat. Rama tha se brenda 2024 do hapet për qarkullim aksi Thumanë-Kashar, ndërsa shtoi se do procedohet para sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj.

Kreu i qeverisë thotë se është kërkuar financim për Bypass-in e Elbasanit, ndërsa sipas tij puna me korridorin 8 po ecën shpejt.

Po ashtu, Rama shtoi se brenda vitit mund të përfundojë edhe segmentin e parë hekurudhor Tiranë Durrës.

“Kemi pasur mbledhjen maratonë të qeverisë, këtë herë kemi pasur 3 sesione. Një me drejtuesit e grupit, një më drejtuesit politik dhe anëtarët e kabinetit, një sesion të një mbledhje të zgjeruar të kabinetit qeveritar, me praninë edhe të zv.ministrave. Sot një sesion të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar. Si zakonisht kjo naratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisëse, politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor, madje dhe nënsektor.

Meqë jemi në Lezhë dhe meqë në këtë zonë ka një pritshmëri të posaçme për korridorin blu, dua të them se në diskutimin për veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale, kemi një pamje të qartë të ecurisë së punës me korridorin blu, brenda këtij viti do hapim për qarkullim aksin Thumanë-Kashar. Kemi qartësi për ecurinë e aksit e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë. Do procedojmë para sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj. Po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit, Milot-Murriqan.

Jemi në kalendar për të përfunduar segmentin e parë hekurudhor Tiranë Durrës me gjasë brenda vitit, kemi financuar ndërtimin e 4 km që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës”, tha Rama.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 11/01/2024 03:40

    /LUI/,edhe mua me pelqen kjo ide,por mos harro,prodhohen apo montohen makinat,sot keto ne bote behen kryesisht nga robote,nuk jemi me ne fillim te shek.XX kur puna behej 100 % manualisht nga punetore qe rrinin rresht para conveyor belt,por besoj se do te gjendet dicka per te punesuar njerez.Ne te fundit,pas cdo roboti,pas cdo programi AI e pas cdo projekti e design inxhinjerik e prodhimi qendron nje tru e nje dore njeriu.

    Përgjigju
  • P. Hajdini: 10/01/2024 23:58

    Ndersa Sali Berisha me besniket e tij i yshti vecanerisht njerezit e lidhjeve te tyre te zaptonin e te grabisnin ("spontanisht" e me pas duke e programuar hapur si me dhendrin e djalin) tokat dhe hapesirat publike e private kryesisht ne Tirane e rrethina e kudo qe mundnin e deshironin, pra te krijonin RRUMPALLEN, Edi Eama nepermjet SKEMA ("koncesione" me 1 Euro, "investitore strategjike" te ricikluar nga bandat e trafiqe-prostitucion, poltikane grabitqare e te korruptuar e bashkeshortet e tyre, etj. etj.) e ka ngritur ne maksimum nivelin e stekes per zaptim e grabitje te cdo hapesire publike e private, e mireprogramuar nepermjet bullizmit institucional te te emeruarve te Tij (detyrohet administrata te firmose e me pas te beje edhe burg per urdhera verbale abuzive te imponuar nga ministrat e ministreshat, keshilltaret e shefat e kabineteve, e deri sekretaret e pergjithshem), pra u ka vene kollare, kemishe e kostum banditeve te anes se vet e atyre te trasheguar a te adoptuar nga Saliu e te kycur te gjithe se bashku ne shoqeri aksionere kapsula te panumerta neper offshore ku fshihen e qarkullojne miliardat e grabitura e riprogramohen perseri per grabitje te reja.

    Përgjigju
  • adi: 10/01/2024 15:31

    Nuk je i forte kurman drejtore analfabeta dhe hajduta o Edvin! Ke drejtora nga 5-6 vite me deshtime e shkelje e vjedhje!!!!! Keto shif!!!!

    Përgjigju
  • Lui: 10/01/2024 15:27

    Më vjen sh mirë që mund të prodhojmë automjete në Shqipëri. Por nëse ke parasysh për ato autoambulancat, atëherë thjeshtë montohen në Shqipëri, jo prodhohen. Të prodhosh një automjet nevojitet një zinxhir i tërë repartesh dhe sidomos burimesh njerëzore, duke nisur nga punëtori i thjeshtë e deri tek teknikët e kualifikuar e pastaj inxhinierët. Saliu prandaj i prishi shkollat profesionale. Që këtu mos të investohej kurrë në industri të qëndrueshme. Dhe normal që investimet psh të gjigandit italian FIAT, shkojnë në Serbi sepse kanë mekanikë me shkollë. Këtu nuk gjen një mekanik që të dijë psh të mpreh punto për të shpuar hekur e punto për të shpuar dru Gjithësesi nëse nuk ka eksport atëherë nuk do ketë të ardhme kjo shoqëri aksionere, nuk ka për të qenë rentabël e para dhe e dyta nëse ndërron pushteti vjen PD, me siguri do ta shkrijë kompaninë. Statistikat kështu flasin. Vjen PS ndërton, vjen PD shkatërron dhe rrumpallizon tërë Shqipërinë..:(

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?