Dita Botërore e HIV-AIDS, mjeku: Në 2023 janë 113 raste të reja! Mënyra më e shpeshtë e transmetimit nëpërmjet rrugëve seksuale! Qato: Mbrojtja, forma më e mirë e parandalimit

1 Dhjetor 2023, 14:59| Përditesimi: 1 Dhjetor 2023, 16:02

  • Share

Sot më 1 dhjetor, në Ditën Botërore të luftës kundër HIV/AIDS-it bëhet apel për kryerjen e kontrolleve periodike si elementë të rëndësishëm për parandalimin e infektimit nga kjo sëmundje. Janë 113 raste të reja të diagnostikuar në vitin 2023.

Roland Bani, koordinator i Programit Kombëtar për Luftën HIV/AIDS, i ftuar në emisionin ‘Përballje’ me gazetaren Besmira Pelushaj, listoi disa karakteristika të infeksionit në Shqipëri. Bani tha se Shqipëria vijon që të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit.

‘Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit të HIV AIDS. Sa i takon shifrat të 2023 nr i diagnostikimeve për këtë vit ishte 113 numri i rasteve të reja të diagnostikuar. Rritja e numri të testimeve i dedikohet edhe rritjes së numrit të testimeve për HIV-AIDS. Numri total i rasteve është 1716. Mënyra më e shpeshtë e transmetimit është rruga seksuale, 95% ë rasteve kësaj rruge, 72% rrugës heteroseksuale dhe 23% e rasteve i përkasin transmetimit të meshkujve që kryejnë seks me meshkujt. Është mashkullore, pjesa më e madhe e rasteve janë meshkuj, raporti prej vitesh është 70 me 30%. Njerëzit duke mos u testuar paraqiten vonë.  70% e atyre personave që paraqiten vonë nuk do të thotë se po rritet numri i personave që janë infektuar, por janë paraqitur tashmë në sistemin shëndetësor.’- tha Bani.

Mjeku tha se për vitin 2023 ka pasur 15 vdekje nga HIV-AIDS. Mjeku nënvizoi se rruga kryesore e transmetimit është nëpërmjet marrëdhënieve seksuale, e shtoi se përdorimi i kondomit është mënyra më efikase për ta parandaluar. Bani tha se janë shtuar me 20% testimet nga viti i kaluar dhe në total janë rreth 50 mijë. Vitin e ardhshëm synohet në program edhe vete testimi si një formë që do të diagnostikojë rastet në fazë më hershme.

‘Këta persona janë paraqitur shumë vonë në strukturat shëndetësore dhe duhet të marrin kurimin. Kemi 835 persona përfshirë dhe 12 fëmijë që marrin trajtim për HIV AIDS Rruga kryesore është ajo seksuale. Përdorimi i kondomit mënyra më efikase për ta parandaluar. Nuk përdoret shumë kondomi. Është vështirë të ndryshosh sjelljes seksuale.’- tha Bani.

Sa i përket formave të mbrojtjes, përdorimi i prezervativit mbetet masa kryesore në marrëdheniet seksuale, ndër medikamente të reja si Prep, ende nuk kanë hyrë në vendin tonë. Mjekja infeksioniste, Migena Qato foli për rëndësinë e ekzaminimit para dhe gjatë shtatzënisë, pasi nënat mbartëse të virusit mund të lindin fëmijë të shëndetshëm.

'Testimi është i rëndësishëm pasi nënat shtatzëna duhet të dinë që duhet të testohen. Janë të rëndësishme masat që kalojnë për nënat shtatzënë, pasi mbi të gjitha lindin fëmijën e pa infektuar me HIV. Një nënë e infektuar mund të sjellë fëmijë në jetë të pa infektuar me HIV. Kemi pasur shumë raste. Sa kohë ekziston mundësia ta ndjekësh në çdo hap është shumë e domosdoshme që nënat ta kenë të domosdoshme.'- tha Qato.

Në vendin tonë janë 15 qendra ku kryhet testi HIV, me një shpërndarje të mirë në të gjithë vendin. Testimi për HIV është i disponueshëm në qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar (QKTV), Klinikën Ambulatore në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës, Laboratorin e Mikrobiologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë, SUSM “Shefqet Ndroqi”, SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” dhe “Koco Gliozheni”, Spitalet Rajonale, laboratorët/klinika/spitale dhe në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP). Për dhuruesit e gjakut testimi për HIV dhe agjentë të tjerë infektiv kryhet pranë Qendrës Kombëtare të Trasfuzionit të gjakut.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?