Besimtarët katolikë e protestantë kremtojnë Pashkët, ringjalljen e Krishtit, urojnë politikanët! Arqipeshkvi Dodaj nga Katedralja e Shën Palit: Mëshira e Zotit dhe mesazhi i kësaj dite me ukrainasit

17 Prill 2022, 07:48| Përditesimi: 18 Prill 2022, 07:27

  • Share

TIRANË- E sotmja është dita e Ringjalljes së Krishtit për të gjithë besimtarët katolikë dhe protestantë në të gjithë botën. Mbrëmë në të gjitha kishat katolike të vendit u mbajt mesha e shenjtë e vigjiljes të Pashkëve, me ritet përkatëse.

Duke filluar nga ora 23:00 mbrëmë nisi mesha në Katedralen e Shën Palit në kryeqytet.  Kjo është mesha e parë që zhvillohet në mesnatë pas 2 vitesh nën masat e pandemisë së COVID-19. Besimtarë të shumtë kanë mbushur Katedralen në kryeqytet për të ndjekur meshën e shenjtë.

Pashka (ose pashkët) është kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike Romake dhe të kishave të tjera të krishtera që kremtojnë Ringjalljen e Jezusit të Nazaretit ndodhur, sipas Besëlidhjes së Re, tre ditë pas vdekjes së tij në kryq.

Java para Pashkëve është quajtur Java e Shenjtë, dhe ajo përmban Tri Ditët e Pashkëve, që përfshijnë Të Enjten e Shenjtë, që përkujton Darkën e Fundit, Të Premten e Shenjtë, që përkujton kryqëzimin dhe vdekjen e Jezusit. Në krishterimin perëndimor, Sezoni i Pashkëve, fillon të dielën e Pashkëve dhe zgjat shtatë javë, duke i dhënë fund me ardhjen e ditës pesëdhjetë.

Ndërkohë që Kreu i kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkvi Metropolit Tiranë Durrës, teksa përmendi të gjitha sfidat që jemi ndeshur vitet e fundit si tërmetin, pandeminë dhe luftën, ai bëri thirrje për të dashur edhe më shumë jetën në këto kohë të vështira.

Ne meshën e zhvilluar paraditen e sotme në Katedralen e Shën Palit kanë qenë të pranishëm edhe personalitet të politikës në vend. Ndërkohë që është parë të jetë e pranishme edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi me të bijën, ish-deputeti Tom Doshi, ish-ministri I Brendshëm Sandër Lleshaj, deputetja Mimi Kodheli etj, kanë marrë pjesë gjithashtu në meshën e sotme teksa më pas kanë qenë në një koktejl të organizuar nga Kisha Katolike.

Ora 12:28
I ndan ‘non grata’ e DASH por ‘i bashkon’ besimi! Yuri Kim dhe Tom Doshi i luten Zotit në një kishë në Tiranë (FOTOLAJM)

1650191475_doshikim.jpg

Tom Doshi është një ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë që është shpallur ‘Non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye ka qenë shpresh subjekt i deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila me ngulm ka kërkuar që ai të mos ishte më pjesë aktive në politikën shqiptare.

Por ndonëse ‘non grata’ i ka ndarë, Zoti i ka bashkuar Doshin dhe Kim. Ata janë parë sot të pranishëm në Katedralen e Shën Palit në Kryeqytet teksa kanë marrë pjesë  në meshën e zhvilluar me rastin e Pashkëve, meshë e drejtuar nga kreu i Kishës Katolike në vendin tonë, Imzot Arjan Dodaj.  

Ora 11:52
Mesazhi i Imzot Arjan Dodaj për Pashkët: Mos kërko falje nga të tjerët, por dhuro paqe e dritë 

1650189224_ArjanDodaj.jpg

Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri, Imzot Arjan Dodaj ka dhënë mesazhin e tij në meshën e së dielës në Katedralen e Shën Palit me rastin e ditës së Pashkëve.  

Dodaj foli për luftën në Ukrainë që është në ditën e 53-të të saj duke thënë se Krishti është ringjallur dhe i ka dhuruar jetën të gjithë refugjatëve, të dëshpëruarve që kanë braktisur vendin e tyre për shkak të pushtimit të forcave ruse.

"Në Shtëpinë e Zotit nuk ka nga ata që thonë unë jam më i mirë dhe ky është më pak i mirë se unë. Ju thotë Jezusi jeni vëllezër të gjithë, e keni vetëm një mësues, Krishtin, e një Hyjin Qiellor.

Të zhveshur prej këtyre ndjenjave e kategorive që shpesh herë na hedhin në zemër, mendje e në shpirt rrjetet sociale e mediat e të veshur me ndjenjat e Jezusit, i cili u lan këmbët të gjithë dishepujve pa dallim, atëherë vendosemi dhe ne në mendësinë e Krishtit të ringjallur në këtë Pashkë, për të bërë Pashkë e në Pashkët e këtij viti marrim vetëdije akoma më shumë se në vitet e kaluara të distancës që është mes britmave të gëzimit që shpallin Krishti është ringjallur nga të vdekurit e të gjithëve i ka dhuruar jetën dhe lajmeve të dhimbshme të luftës, të refugjatëve, të dëshpëruarve që me miliona kanë braktisur vendin e tyre në pak javë e që tingëllojnë me një mesazh tjetër, me mesazhin e hidhur të vdekjes.

Ndjejmë nevojën e këtij lajmi që na dëshmon se në të vërtetë vdekja nuk është faza finale e ekzistencës tonë njerëzore", tha imzot Arjan Dodaj.

Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit dha mesazh paqeje duke thënë se të gjithë duhet ta nisin pajtimin e kërkimin e faljes nga vetja duke bërë që bota të shihet në një perspektivë tjetër.

"Pra Krishti është garantuesi i dinjitetit të njeriut në çdo situatë e kundër çdo dëftimi të së keqes. Shën Gregori nënvizonte, është shfaqur një brezni tjetër, një jetë tjetër, një ndryshim i vetë natyrës sonë. Ti je në këtë botë, por nuk je i kësaj bote.

Ti je kalimtar si të gjithë të tjerët, por për jetën e pasosur je për të dhënë dritë, vlera, pasuri, pajtim e paqe, të mos e pretendojmë këtë jetë, mos pretendo pajtim nga të tjerët, por ji ti pajtimi që pretendon. Mos kërko falje nga të tjerët, por jepe ti faljen që pretendon e mirëkuptimin dhe do të shohësh që bota që të rrethon është krejt një perspektivë tjetër", tha Imzot Arjan Dodaj.

Ora 11:16
Veliaj uron besimtarët e krishterë: Ju uroj Pashkë të gëzuar

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Pashkës.

“Në një ditë të bekuar si kjo, ju uroj PASHKË TË GËZUAR”, shkruan Veliaj.

Ora 10:57
Yuri Kim uron Pashkët: Sot festojmë triumfin e së mirës mbi të keqen

1650042602_websiteKim1.jpg

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka uruar mëngjesin e sotëm besimtarët për festën e Pashkëve.

 “Në Pashkë, ne festojmë triumfin e jetës mbi vdekjen, të mirës mbi të keqen, shpresës mbi dëshpërimin. Zoti na bekoftë të gjithëve. Gëzuar Pashkët”, shkruan Kim në rrjetet sociale.

Ora 09:23
Basha uron Pashkët: Do t’i kalojmë vështirësitë e shtuara në jetët e familjeve shqiptare

1649693066_Basha.jpg

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar të gjithë besimtarët që sot kremtojnë pashkët.

“Të nderuar besimtarë që kremtoni sot Ringjalljen e Krishtit, ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët! Kjo ditë e shenjtë, simbol i ringjalljes së shpresës, uroj të ndriçojë mendjet dhe forcojë shpirtrat tuaj me besimin se do të kapërcejmë sfidat dhe vështirësitë e shtuara në jetët e familjeve shqiptare, për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të begatë. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, ka shkruar Basha në Facebook.

Ora 09:22
Ministrja e Jashtme uron Pashkët: Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për shpresën tek e ardhmja

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.

“Gëzuar Pashkët katolike! Gëzuar këtë ditë, simbol të ringjalljes! Sot më shumë se kurrë, pas dy vitesh të vështira e në një botë të trazuar, kemi nevojë për shpresën tek e ardhmja që simbolizon kjo ditë e shenjtë”, shkruan Xhaçka.

Ora 08:28
Sot pashkët, Rama uron të gjithë besimtarët katolikë

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin ditën e sotme me një urim për besimtarët katolikë të cilët festojnë Pashkët.

“Mirëmëngjesi! Gëzuar Pashkët Katolike”, shkruan Rama.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • taulant: 17/04/2022 14:31

    gezuar pashket! mbizoteroft paqa, harmonia, dashuria ne familjet tuuaja!

    Përgjigju
  • titi: 17/04/2022 14:25

    gezuar te gjithe besimtareve

    Përgjigju
  • Andi: 17/04/2022 14:22

    Shendet dhe miresi paçi te gjithe besimtaret katolike

    Përgjigju
  • garfilldi: 17/04/2022 14:17

    Ju urojme dhe ne gezuar pashket te gjitheve besimtareve katolik

    Përgjigju
  • Turi: 17/04/2022 11:11

    Kush eshte e mira dhe kush eshte e jeqja ne kete mes ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?