Fredi Beleri kërkon pafajësi në Apelin e GJKKO-së: Jam arrestuar me urdhër të Ramës! SPAK kërkon lënien në fuqi të dënimit! Vendimi më 25 qershor

14 Qershor, 09:50| Përditesimi: 14 Qershor, 17:22

  • Share

Tirane-  Pas një seance që zgjati gati 4 orë Gjykata e Apelit të Posaçëm deklaroi të mbyllur sot shqyrtimin gjyqsësor dhe vendosi të shpallë vendimin për çështjen e Fredi Belerit në datë 25 qershor ora 13:00.

I denuar me dy vite burg, vendim të cilin e çoi në Apel, ku kërkon pafajësinë, ndërsa pak ditë më parë u zgjodh dhe eurodeputet nga radhët e Demokracisë së Re në Greqi, Beleri, ka përsëritur edhe një herë pretendimet e tij në seancë, se është arrestuar me dëshirë të kryeministrit. Pas hekurave kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, deklaroi se ndërgjegjen e ka të qetë, duke shtuar se provat janë të manipuluara.

 “Avokatja ishte shteruese, i paraqiti të gjitha pretendimet tona. Në emër të kryeministrit jam arrestuar dhe provat janë manipuluar, dhe unë e kam ndërgjegjen time të qetë. Po ashtu, edhe ju që do të merrni një vendim, uroj ta keni ndërgjegjen e qetë” tha Beleri.

Beleri foli pasi  avokatja e tij kërkoi  të rrëzohet vendimi i Shkallës së Parë dhe deklarimin e pafajshëm të klientit të saj, pasi siç u shpreh ajo,  fakti penal nuk ekziston. Por prokuror i çështjes Adnan Xholi hodhi poshtë pretendimet

 Veprimet e para të prokurorëve të vlorës janë kryer në datë 8 maj ndërsa në datën 9 janë bërë hedhjet në sistem online nga ana e sekretarisë dhe kjo jo domosdoshmërisht do të thote se janë kryer shkelje të ligji

Trupi gjykues kryesohej nga Daniela Shirka dhe anëtarë Dhimitër Lara dhe Ilirjana Olldashi. Avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari, kërkoi përjashtimin e kryesueses Daniela Shirka, me pretendimin se nuk është caktuar me short, por çështja i është caktuar manualisht. Ky fakt shkaktoi edhe debate në nisje të seancës.

 Avokatët e Belerit:  Kërkojmë përjashtimin e gjyqtares Daniale Shirka në cilësinë e kryesueses, sepse nuk jeni caktuar me short.

 Prokurori Adnand Xholi: Është një kërkesë që nuk e pezullon procesin gjyqësor dhe për ne duhet të vijojë seanca.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe gjykata duke thënë se kërkesa e avokatëve për përjashtimin e gjyqtares nuk është shkak për ndërprerje të seancës

Gjykata: Gjykimi do të vijojë procesin dhe çel seancën gjyqësore.

Nga arrestimi për vjedhje votash tek eurodeputet grek në PE

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.

Më 5 mars 2024 gjyqtarja e GJKKO-së Irena Gjoka e dënoi me 2 vite burg, Fredi Belerin  nga 2 e 6 muaj që  kishte kërkuar edhe SPAK - duke e shpallur fajtor për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje. Për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi, u vendos 1.6 vite burg, që konvertohen me 3 vite shërbim prove.

Fredi Beleri, më 10 qershor, është zgjedhur eurodeputet në Greqi, ku mori 237 mijë vota dhe ishte eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen, ndërsa po i katërti rezulton edhe në listën e 7 deputetëve të dalë nga lista e partisë së kryeministrit Mitsotakis, Demokracia e Re.

Ora 13:34
Prokurori Adnan Xholi: Provat vërtetojnë se Beleri i ka ofruar kartmonetha 5 mijë lekëshe Arsen Ramës

 

1718365122_ADNAN.jfif

 

Prokurori Adnand Xholi, deklaroi në senacë se nga provat vërtetohet që Beleri i ka ofruar para Arsen Ramës, para të cilat do ti ofroheshin më pas personave që do të gjente Arseni për ti blerë votën.  

“Nga kqyrja e telefonit të Arsen Ramës e nga dëshmitë, vërtetohet që Beleri i ka ofruar kartmonetha 5 mijë lekëshe për personat që do gjente Arseni për të blerë vota. Kërkojmë lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë”, tha ai.

Prokurori ka hedhur poshtë pretendimet se Arsen Rama nuk ndodhej në Himarë në datat 10-12 maj 2023. Sipas prokurorit, këto pretendime janë të pambështetura në prova.

“Lidhur me pretendimet se Arsen Rama nuk ndodhej në Himarë në datat 10,11,12, është pretendim i pa mbështetur në prova. Në momentin e kqyrjes së telefonit të  Arsen Ramës, kishte kartë sim Vodafone (209) numri në fund. Nga dëshmia e Arsen Ramës: Telefonatat me Pandeliun kanë qenë me telefon, ndërsa me Belerin kam komunikuar në Ëhatssup. Evidentohet fakti se Arsen Rama ka biseduar në telefon me Belerin në datat 21.04, 22.04 dhe 26.04.  Referuar të dhënave të tabulateve të Arsen Ramës, takimeve me Belerin e Kokaveshin, Arsen Rama ka qenë në territorin e Himarës, ndryshe nga çfarë pretendon mbrojtja. Në intervalin kohor 10:17-10:20 është kapur nga sinjali i antenës në Himarë. Ne intervalin 23:14 - 23:17, është kapur nga sinjali i antenës Potam”, tha ai.

Ndër të tjera, prokurori Xholi, nga seanca në Apel për Fredi Belerin u shpreh se veprimet e para të prokurorëve të Vlorës janë kryer në datë 8 maj ndërsa një ditë më vonë janë hedhur në sistem dhe për prokurorin kjo është në shkelje të ligjit.

“Pretendimi i mbrojtjes se nuk u janë dhënë për tu dëgjuar provat audio dhe video mbrojtja i ka të gjitha. Po ashtu avokati, në shkallë të parë kryesuesi i seancës i pyeti nëse keni pretendime për përmbajtjen e përgjimit avokatët thanë se janë të paligjshme, po ashtu edhe vet Beleri theksoi se përgjimi është i paligjshëm. Veprimet e para të prokurorëve të Vlorës janë kryer në datë 8 maj ndërsa në datën 9 janë bërë hedhjet në sistem online nga ana e sekretarisë dhe kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se janë kryer shkelje të ligjit”, tha ai.

Ora 12:26
Seanca në Apelin e Posaçëm, Fredi Beleri brenda kafazit të hekurt, shikoni VIDEON

Shqiptarja.com siguron videon nga brenda seancës së Apelit të GJKKO-së ku po vijon gjyqi për ish kryebashkiakun e Himarës.

Pasi u dëgjuan pretendimet e avokatëve mbrojtjës seanca u ndërpre për 15 minuta për të vijuar më pas sërish.

Ora 11:50
Seanca gjyqësore për Belerin, avokatja e tij:  Nuk ka gjurmë të pajisjes së përgjimit

1711030928_beleri.jpeg

Në seancën që po zhvillohet sot në Apel për ish-krybashkikun e Himarës, Fredi Beleri, avokatja e këtij të fundit Klodiana Gjyzari, deklaroi se nuk ka gjurmë të pajisjes së përgjimit.  

“Duam që gjykata të parashtrojë faktin si janë provat. Beleri që në momentin e arrestimit, ka thënë se është një proces i manipuluar. Shkresa e komisariatit pa burim prove, nuk mund të merret si provë nga ana e prokurorisë. Ne ende nuk e dimë ku janë këto regjistrime, nuk na janë vënë në dispozicion. Qëllimi i prokurorisë është të lë një gjysme indicie. Gjykata vijon ti referohet shkresës së komisariatit të policisë e cila është e diskutueshme. Gjykata arsyeton që në 10 maj, në orën 20.20 Beleri ka kryer një bisede me Arsen Ramën. Dhe arsyeton që janë takuar me njëri- tjetrin. Nga të dhënat rezulton se Beleri nuk e ka takuar kurrë Arsen Ramën. Nga përmbajtja e procesverbaleve, nuk është përcaktuar asnjë takim mes Belerit dhe Arsen Ramës”, tha ajo.

 Ndër të tjera, avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari ka deklaruar në senacë se mungon dokumenti origjinal, ndërsa e ka cilësuar përgjimin si të paligjshëm.  

“Nuk është detyra e të pandehurit të vërtetojë pafajësinë. Prokuroria duhet të paraqiste disqet, regjistrimi është një dokument i rrethanave që ndodhin. Disku nuk është regjistrimi origjinal, por është një kopje. Mungon dokumenti origjinal. Ne kemi kërkuar aktet e ekspertimit, por pritëm që prokuroria të paraqiste disqet, por nuk i paraqiti. Në këtë dosje ka transkriptim të bërë nga prokuroria Vlorë dhe ritranskriptim të kryer nga Prokuroria e Posaçme. Një përgjim i paligjshëm, nuk mund të prodhojë asnjë lloj provë”, tha ajo.

Ora 11:38
Avokati i Pandeli Kokaveshit në seancë: Të shpallet i pafajshëm

 

1718358201_beleri.jpg

Avokati i Pandeli Kokaveshit ka kërkuar gjatë seancës së sotme gjyqësore në Apelin e Gjykatës së Posaçme shpalljen të pafajshëm të të pandehurit, i cili është dënuar për blerje votash në zgjedhjet e 14 Majit 2023.

Përfaqësuesi ligjor i Pandeli Kokaveshit, i cili u arrestua së bashku me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri 2 ditë para votimeve, kërkoi papërdorshmëri të të gjitha provave, pasi sipas tij, në disa raste janë të falsifikuar dhe në disa raste të tjera janë marrë në kundërshtim me ligjin.

“Në përfundim ne kërkojmë prishjen e vendimit të shkallës së parë për Pandeli Kokaveshin dhe shpalljen e pafajshëm të tij”, tha avokati.

Ndërsa, Pandeli Kokaveshi u shpreh dakord me kërkesën e avokatit.

“Jam dakort me avokatin”, tha ai.  

GJKKO deklaroi fajtor Pandeli Kokaveshin për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe u dënua me 1.6 vite burg.

Togat e zeza urdhëruan pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e konvertuar në shërbim prove për një periudhë kohe prej 3 vitesh me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.

S.B//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?