Sot 79 vjet nga çlirimi i Tiranës nga pushtuesit nazistë! Veliaj: Nderojmë heronjtë që luftuan për lirinë e qytetit

17 Nëntor 2023, 14:40| Përditesimi: 17 Nëntor 2023, 16:51

  • Share

79 vite më parë Tirana u çlirua nga pushtuesit nazifashistë dhe sot u vesh me flamurin kuqezi.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto nga disa prej shkollave të kryeqytetit.

“79-vjetori i çlirimit të Tiranës. Foto nga shkollat e kryeqytetit sot”, shkruan Rama.

Çlirimi i Tiranës është një moment historik dhe konsiderohet si një nga operacionet më të rëndësishme dhe të suksesshme që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.

“Nderojmë dhe respektojmë heronjtë që luftuan për lirinë e qytetit! Sot, jemi krenarë për Tiranën tonë - më e bashkuar dhe më e bukur se kurrë më pare”, thotë kryetari i Bashkisë Erjon Veliaj

Çlirimi i kryeqytetit iu ngarkua Korporatës së I Sulmuese, përmes një plani operativo-strategjik të Komandës së Përgjithshme që parashikonte krijimin e frontit të brendshëm dhe të jashtëm me qëllim mbylljen dhe goditjen e garnizonit gjerman brenda Tiranës. Homazhe për këtë ditë bënë dhe këshilltarët e PL.

“Sot nderojmë sakrificën e të rinjve dhe të rejave, grave dhe burrave që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës. Lufta për çlirimin e Tiranës ka qenë një nga betejat heroike të zhvilluara nga populli ynë që pa mbështetjen e jashtëzakonshme të popullit të Tiranës, nuk do të kishte sukses. Fatkeqësisht, sot Tirana përballet me një pushtues të dytë, Tirana sot përballet nga një pushtues i cili, ka pushtuar Tiranën, ky është kryetari i Bashkisë së Tiranës me betonizimin e Tiranës, me mbeturinat e Tiranës, me korrupsionin që po zhvillon çdo ditë në Bashkinë e Tiranës. Por ajo çka është më shkatërruese për këtë qytet ka të bëjë me shkatërrimin e ekonomisë familjare të çdo qytetari të Tiranës. Sot, të rinjtë dhe të rejat e Tiranës nuk kanë asnjë mundësi për të zhvilluar jetën e tyre në këtë kryeqytet, i cili mbytet çdo ditë nga propaganda e Erion Velisë. Ndaj, sot qytetarët e Tiranë kanë nevojë për të bërë një sakrificë të dytë për t’u bërë të gjithë bashkë  me qëllim që Bashkia e Tiranës, t’i kthehet transparencës, t’i kthehet llogaridhënies dhe t’i kthehet shërbimit ndaj qytetarëve”, tha Brahimllari.

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Kjo është edhe një dittë e veçantë edhe për ithtarët e ish diktatorit Enver Hoxha megjithëse tashmë të mbetur pak në numër.  Në sheshin “Ushtari i panjohur’ ata u shfaqën me pankarta me figurën e Hoxhës apo dhe simbole të tjera të komunizmit.

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?