Një seancë vettingu në KPK

Sot 5 vite nga krijimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit! Bilanci, 535 vendime të marra, 200 të shkarkuar

17 Qershor 2022, 09:39| Përditesimi: 17 Qershor 2022, 09:54

  • Share

5 vite shënohen sot nga krijimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të vettingut.  Përmes një njoftimi KPK ka publikuar shifrat zyrtare në këtë përvjetor, ndërkohë që në fakt vendimi i parë është marrë 8 muaj më vonë.

KPK numëron në total 535 vendime gjithsej prej të cilave 209 konfirmime në detyrë, 200 shkarkime, 88 pushim/ndërprerje procesi, 35 përfundim procesi pa vendim përfundimtar, si dhe 3 vendime pezullim nga detyra. Në njoftim KPK bën me dije se më 8 shkurt 2018, në dhomë këshillimi është marrë vendimi i parë, teksa misioni të cilin morën përsipër 12 anëtarët e Komisionit nuk ishte vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor për të kryer procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe përgjegjësi e lartë personale e profesionale në funksion të ndërtimit të një sistemi të pavarur, të drejtë e të paanshëm”.

Deri në fund të mandatit të Komisionit, mbeten për t’u rivlerësuar edhe 270 subjekte, me qëllim përmbylljen e vettimit të listës së plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

Teksa falënderon të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë mision të KPK, komisionerët e shkallës së parë të vettingut shprehen se e kanë kryer punën me paanshmëri dhe profesionalizëm.

“Gjatë këtyre 5 viteve, anëtarët e Komisionit janë përballur me sfida të ndryshme profesionale, por edhe personale. Përgjatë këtij rrugëtimi, KPK ka pasur mbështetjen dhe ekspertizën e vazhdueshme të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilin gjen rastin edhe njëherë ta falënderoje. Po ashtu, Komisioni shpreh mirënjohje dhe falënderim për rolin e luajtur nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbështetje të procesit të rivlerësimit. Transparenca, llogaridhënia dhe informimi i publikut mbi procesin e vettingut, që nga dita e parë e punës, konsiderohen si shtylla të rëndësishme të veprimtarisë së Komisionit. Prandaj, shprehim falënderim edhe për mediat kombëtare, lokale e ndërkombëtare për angazhimin dhe vëmendjen e kushtuar. Për KPK, media mbetet një partner i rëndësishëm. Komisioni nënvizon se gjatë 5 viteve të funksionimit të tij ka kryer me paanshmëri, profesionalizëm dhe angazhim të lartë procesin e rivlerësimit. Në vijim, edhe me zgjatjen e afatit kushtetues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, secili nga anëtarët e trupës do të vijojë me përkushtim detyrën, duke i qëndruar besnik Kushtetutës dhe ligjeve, për të shpërblyer besimin e publikut”, thuhet në njoftim.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?