Sot 24 vite nga dita e çlirimit të Kosovës, Basha: Të ecë përpara drejt anëtarësimit në NATO

12 Qershor 2023, 11:40
  • Share

1685823160_lulzimbasha.JPG

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha ka kujtuar hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë para 24 vitesh.

Ai bën thirrje për bashkëpunim dhe koordinim të pandarë me aleatët.

"Ëndrra e lirisë, e trashëguar brez pas brezi, mori jetë 24 vjet më parë mes dhimbjesh dhe sakrificash që do të shënojnë përgjithmonë identitetin tonë kombëtar.

Liria dhe shteti i Kosovës janë kontribut i përbashkët i shqiptarëve dhe aleatëve tanë. E ardhmja e Kosovës, si një shtet i fortë dhe demokratik, si anëtare e NATO-s dhe BE-së, i ka rrënjët te ky investim i përbashkët dhe aleancë e palëkundur e shqiptarëve dhe partnerëve strategjikë të kombit, pa të cilët lira dhe pavarësia do të mbeteshin aspirata!

Në këtë ditë historike, mirënjohja më e thellë shkon për bijtë dhe bijat e Kosovës që dhanë jetën për liri, për udhëheqësinë e Presidentit Ibrahim Rugova, për luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simbolit të saj, Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Sot, më shumë se kurrë, u jemi mirënjohës aleatëve tanë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, e të gjithë partnerëve, që përmes një lufte të drejtë i dhanë fund një padrejtësie historike!

Në këtë rrugëtim plot sakrifica dhe shpresë drejt ëndrrës së çlirimit të Kosovës, shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës aleatëve tanë strategjikë, vendeve anëtare të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, vendeve mike dhe aleate të Europës dhe partnerëve të tjerë që mbështetën dhe luftuan për kauzën e drejtë të Kosovës së lirë, si dhe për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë e japin për konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës.

Tani është koha që në bashkëpunim dhe koordinim të pandarë me aleatët tanë të mëdhenj, Kosova të tejkalojë çdo sfidë dhe të ecë përpara drejt anëtarësimit në NATO dhe në institucionet ndërkombëtare, për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj dhe mbarë rajonin", shkruan Basha.


Lajmi kryesor:

24 vjet nga çlirimi i Kosovës! Begaj: Nderime UÇK-së, mirënjohje SHBA e NATO-s! Meta: Vendet mike i dhanë fund genocidit


G.MO/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?