Sot 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, si lindi dhe historiku i kësaj dite

1 Maj, 07:57| Përditesimi: 1 Maj, 22:13

  • Share

1 Maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës. Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.

Historia e 1 majit

1 Maji lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, me 1 maj 1866, ku punëtorët kërkonin të drejtat e tyre në punë. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë edhe një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1867.

Në vitin 1886, një demonstratë e madhe ndodhi në Amerikë, ku punëtorët kërkonin tetë orë punë. Megjithatë, shpejt demonstrata doli jashtë kontrollit dhe në Çikago dhe shumë njerëz u lënduan. Ky incident u bë i njohur si Çështja Haymarket dhe shënoi fillimin e Ditës Ndërkombëtare të Punës.

Mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve. Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.

Në vitin 1889, shumë parti socialiste në Evropë u mblodhën dhe vendosën të festojnë 1 majin si Ditën Ndërkombëtare të Punës.

Rëndësia e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve

Kjo ditë na ndihmon të njohim kontributin e punëtorëve dhe klasës punëtore në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit. 1 maji gjithashtu i nxit punëtorët të mësojnë për të drejtat e tyre dhe të ‘luftojnë’ për kushte pune më të mira.

Ora 10:13
1 Maji, Meta: Shqipëria me pagat me të ulëta në rajon, fuqia punëtore po largohet masivisht

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon, thotë Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se fuqia punëtore po largohet masivisht për shkak të kushteve të këqija të punës.

"Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, vit pas viti e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë, ku fuqia punëtore më e kualifikuar largohet masivisht, për shkak të kushteve të këqija të punës, mosvlerësimit të meritokracisë dhe mungesës së shpresës.

Përqendrimi i ekonomisë tek ndërtimi dhe favorizimi i oligarkisë zhvatëse ka thelluar papunësinë, mjerimin dhe përjashtimin social, ka mbyllur qindra mijëra vende pune, duke dëmtuar rëndë biznesin e ndershëm, turizmin, bujqësinë e blegtorinë dhe dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të thjeshta punëtore.

Pesë prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus jo vetëm i japin fund dramës së shpopullimit por edhe shpërblejnë punën, njerëzit e punës dhe meritokracinë, mbështetin prodhimin vendas, garantojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe një Shqipëri, fuqi eksportuese", shkruan Meta. 

Ora 09:03
Rama uron 1 majin me pamje nga Thethi: Suksese njerëzve të punës

Kryeministri Edi Rama uroi sot 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, duke ndarë pamje nga Shkodra, ku sipas tij, njerëzit e punës po rrisin hap pas hapi ekonomi të shëndetshme.

Kryeministri Edi Rama vizitoi dje Thethin, ku prezantoi “Paketën e Maleve”, një program që vjen në mbështetje të investimeve në alpe.

“MIRËMËNGJESI dhe nga Shkodra, ku njerëzit e punës po bëjnë të mundura deri edhe në majat e maleve, gjëra që deri dje dukeshin të pamundura, duke rritur hap pas hapi një ekonomi të shëndetshme për familjen e për vendin me besimin tek puna, respektin për punën e njëri-tjetrit, bashkimin e forcave për punë që s’bëhen dot vetëm, ju uroj në këtë një 1 maj vetëm të mira, shëndet e suksese të gjithë njerëzve të punës kudo ku janë”, shkruan Rama.

 

 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?