Politikë

Soreca: Duhet të zgjaten afatet e vetingut, ka dosje që duhet të trajtohen në mënyrë urgjente! Do kem takime me mazhorancën dhe opozitën

1 Tetor 2021, 10:12| Përditesimi: 1 Tetor 2021, 10:34

  • Share

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka kërkuar zgjatjen e afateve të vetingut, në mënyrë që procesi të shkojë deri në fund për verifikimin e figurës së të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve.  Në një deklaratë gjatë një aktiviteti të Këshillit të Larte Gjyqësor, Soreca u shpreh se Kuvendi duhet të nisë konsultimet me të gjithë aktorët. Sipas ambasadorit të BE, ka dosje që duhet të trajtohen 'në mënyrë urgjente'.

"Duhet zgjatja e afatit të organeve të vettingut, por Kuvendi duhet ta konsultojë me të gjithë aktorët. Procesi i vetingut duhet që të përfundojë sa më shpejt dhe të zgjatet mandati i anëtarëve të komisioneve të vlerësimit. Ka dosje që duhet të trajtohen në mënyrë urgjente, dosjet të shqyrtohen në afatin më të shpejtë. Konsolidimi i Reformës në Drejtësi duhet te jete kryefjale. Duhet të ruhet integriteti dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë. Një drejtësi e pavarur, kusht thelbësorë për integrimin në BE. BE ka ndihmuar Shqipërinë me 50 milion euro për Reformën në Drejtësi", tha Soreca.

Duke e cilësuar Reformën në Drejtësi si faktor kyç për integrimin e vendit në BE, Soreca theksoi se do të zhvillojë edhe takime me mazhorancën dhe opozitën për ta çuar më tej përpara këtë reformë.

" Ata që e ideuan këtë reformë e dinin që nuk do të ishte e lehtë dhe e thjeshtë. 5 vitet e fundit kanë konfirmuar se reforma ishte e domosdoshme, kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë. Reforma në Drejtësi ka sjellë tashmë frytet e saj, kemi 23 procedime të ish-magjistratëve, ku SPAK ka dërguar çështje në gjykatë të-ish gjykatave të lartë dhe kushtetuese. E rëndësishme është që tashmë kemi institucione të drejtësisë funksionale si KLP dhe KLGJ. Do të kem takim me mazhorancën e opozitën, pas takimit qe pata me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për ecurinë e reformës së drejtësisë", shtoi ambasadori.

Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt. 

Komento

Komente

  • Rrepa: 01/10/2021 09:43

    Pa 100 mije euro per koke anetari se kalon aty thone

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?