Dosja K/ Rrëfimi i Meleq Cane, si i liroi sekretari amerikan i shtetit James Baker 11 të burgosurit e fundit nga burgjet e diktaturës

19 Shtator 2023, 20:40| Përditesimi: 20 Shtator 2023, 09:44

  • Share

22 Qershori i vitit 1991. Në sheshin 'Skënderbej' në Tiranë ishin mbledhur mbi 300 mijë njerëz për të pritur sekretarin amerikan të shtetit James Baker. Prej disa muajsh nga ai shesh ishte tërhequr zvarrë shtatorja e diktatorit Enver Hoxha. Ishin ditët e para të demokracisë në Shqipërinë e shumëvuajtur prej lëngimeve të diktaturës 45-vjeçare. Entuziasmi ishte i papërshkrueshëm. Çdo fjali e përshëndëtetjes së Sekretarit Amerikan të shtetit shoqërohej me ovacione. Po flitej për lirinë dhe demokracinë.

Por në kundërshtim me këtë tablo, pak metra larg këtij sheshi në ambjentet e burgut 313 në Tiranë mbaheshin ende të izoluar 11 të burgosurit e fundit të regjimti komunist. Bashkë me ta, si për ironi, në ato qeli ishin futur edhe disa rishtarë, që ishin arrestuar gjatë protestave për shembjene e shtatores së Enver Hoxhës.

Paçka se diktarura kishte rënë, Meleq Cane, ishte njëri prej 11 të burgosurve të fudnit të regjimit, që mbaheshin ende  në izolim. Ndërkohë, në publik, prej muajsh Ramiz Alia i rrihtë gjoksin perëndimit se në Shqipëri nuk kishte më të burgosur politik, se shqipëria kishte ndërruar kah dhe se në vend, po vendosej demokracia. 

Meleqi, ishte arrestuar më 6 janar të vitit 1987. Kishte kaluar një vit të vështirë hetuesi, me tortura të rënda, i akuzuar si pjesëtar i një grupi të madh armiqësor. Asnjë akuzë nuk ishte e mbështetur në prova, por Meleq Cane e kishte emrin në rreth të kuq që nga arratisja e të vëllait Engjëll Cane në vitin 1983. Prej atëherë presione pas presionesh, Meleqit i kishin shkuar ditën e 6 janarit 1987 me pranga në duar dhe e kishin arrestuar. Nuk e dinte se si do ti shkonte filli, as çfarë rrugëtimi do të bënte burgjeve të diktaturës, e aq më pak se do të ishte pikërisht ai, i fundit që do të kalonte pragun e burgut si i burgosuri i fundit i regjimit komunist.

Në këtë rrëfim për Dosja K, Meleqi i tregon me detaje gjtihë ditët e fundit të diktaturës dhe ngajrjet e para të demokracisë, ku dashje pa dashje ai e gjeti veten në një rol që as e ksihte menduar.

“Filluan lirimet, liro herë pas here. Ngelëm ne, në fund të marsit 1991, ngelëm në burgun e Gjirokastrës  11 veta.  Nuk dihet pse na mbanin dhe edhe ne ndiheshim çuditshëm. Edhe ordinerët tentuan të arratisen. Dy miqtë e mi ordinerë më thanë: hajde se do ikim, kemi çarë tunelin. Mirëpo spiunët e kishin bërë punën edhe atje. Ushtarët ruanin atje ku do dilte, e kishin lënë atë grykën e tunelit kaq, që të dilnin. Ushtari ruante atje. I thashë unë: faleminderit, ne presim që të lirohemi. Ju ordinerët mund të keni, se ordinerët në çdo sistem do përfundojnë në burg. Dhe po aty erdhi lajmi, siç thashë: do t’ju transferojmë prapë. Për herë të parë na hipën në autobus, jo në autoburg, në autobus të rregullt, 2 nga 2 të lidhur, dhe na morën po prapë nga Gjirokastra, nga Qafë Gjashta. Në mbrëmje na sollën po te 313-a ku ishte bërë hetuesia”.

1695147944_Screenshot3.jpg

Foto: Meleq Cane duke folur për "Dosja K", një emision nga Admirina Peçi që u transmetua më 19 shtator 2023, në Report Tv 

Meleqi thotë se në këtë rikthim në burgun 313, kishin gjetur edhe një kontigjent të ri të burgosurish Ishin të arrestuarit për shembjen e shtatores së Enver Hoxhës.

Paradokset i linin vendin njëri tjetrit ato ditë të trazuara, derisa një ditë siç rrëfen Meleqi, kishin tentur t'i merrnin duke i mashtruar me qëllim për t'i zhdukur.

Meleqi tregon se e gjithë pranvera e 1991, kishte kaluar me gënjeshtra e zvarritje, por nuk i kishin liruar. Një ditë i kishin njoftuar befas se duhet të bëheshin gati se do transferoheshin në burgun e Burrelit. Kishin nuhatur në atë moment se një kurth po ju ngrihej, pasi Burgu i Burrelit prej disa javësh ishte kthyer në muze.

“Kishin arrestuar edhe ca të tjerë, ata që rrëzuan bustet e Enver Hoxhës. Korça i arrestoi, ca rrethe i arrestuan.. Po vinte afërsisht mesi i qershorit. S’kishim afërsisht as 3 javë që ishim kthyer, që na sollën në Tiranë. Lajmërojnë prapë: të paraqiteni, dhe policët vinin të merrnin, të shoqëronin, filani, filani, filani. Ishin të gjithë ata të grupit tonë që kishin ngelur, 11 veta. Thanë: do t’ju çojmë në Burrel. Ne u thamë: Burreli është muze, se i kishim marrë vesh ato punë, se filluan të na vinin familjet në Tiranë.  – Por ju keni rraqe, - tha, - çojini atje brenda, se i burgosuri kishte plaçka, çanta për ekzistencë, për të jetuar, për klimën, për ushqimet, për veshmbathjen, të gjitha. Ne u futëm brenda të linim plaçkat, ordinerët vunë një zinxhir te porta dhe i vunë kyçin dhe na mbajtën brenda neve. – Nga do t’i çoni maskarenj, - u thanë, - do t’i çoni nga Mali me Gropa t’i vrisnit siç keni vrarë të tjerët? Burreli s’ekziston më, - i thanë, - hajdeni merrini po jua mbajti. Mirëpo shumica e atyre të burgosurve kishin lidhje edhe me familjet komuniste, që s’kishin arritur t’i mbronin dot se kishin bërë krime të mëdha, por neve na shpëtuan jetën. Dhe ata ishin me revole në burg, me thika të mëdha, me shkopinj hekuri. Nuk hynte njeri në burgun 313 në atë kohë, vetëm nga jashtë që e ruanin”.

Meleqi thotë se shpëtuan paq nga një ekzekutim i fshehtë që ishte planifikur. Por a do të mund të rezistonin deri në fund?

“Po na mbanin aty prapë. Ordinerët na respektonin, na nderonin. Kaluan javë a ditë, diçka e tillë, jo më shumë se dy javë, morëm vesh ne që vjen Xhejms Bejker në Shqipëri. Me anën e gruas sime dhe të një tjetri që kishte lidhje me këta demokratët, dhe me përkthyesen e Xhejms Bejkerit, arritëm të dërgojmë një letër dhe ajo letër i ra në dorë Xhejms Bejkerit”.

Edhe pse kanë kaluar 32 vite, Meleqi  përpiqet ta kujtojë tekstin që shkruajtën në atë letër. Pa pretenduar hollësi në vija të përgjithshme teksti ishte ky:

Z.JAMES BAKER, SEKRETARI I SHTETEVE TE BASHKUARA TE AMERIKES!

Ne që po ju shkruajmë këtë letër, jemi 11 të burgosur politikë që mbahemi akoma të burgosur, në një kohë që  Ramiz Alia, ka deklaruar para 4 muajve që Shqiperia (Albania) nuk ka më të burgosur politikë, burgjet politike janë mbyllur. Por fatkeqësisht ne jemi 11 të burgosur politikë, që mbahemi akoma në burg të akuzuar dhe dënuar si të burgosur  politikë. Para 10 ditësh tentuan të na vrisni me pretekstin se do na transferonin në Burgun e Burelit, i cili është mbyllur dhe është kthyer në muze. Ju lutemi Z. Baker, ndërhyni në qeverinë shqiptare për lirimin tonë nga burgu komunist. Me respekt, 11 te bugosurit që mbahemi akoma në burg...

“Kur z. Baker,  i kërkoi Ramizit llogari për zhvillimet demokratike, ai iu qa, iu ankua dhe i thotë: mbi të gjitha ke 11 njerëz fatkeq që janë akoma në burg, pse i mban? – i tha, - filani, filani, filani, - kishte listën. – Ata janë agjentë të agjenturave të huaja, - i tha Ramizi. – Mirë, t’u bëjmë një gjyq ndërkombëtar dhe t’i dënojmë, por me sa e di unë, ata janë krejtësisht të pafajshëm. Pse i mban? – i tha. – Mos i hidh më baltë fytyrës, liroji një orë e më parë. Të nesërmen e kësaj, se na e tregonte ajo përkthyesja që e kishte miku i tij më vonë, na liruan neve, nga 313-a në orën 4 e gjysmë të mëngjesit, që mos të shikonte populli i Tiranës që ka akoma të burgosur politikë dhe na liruan neve.  Kur kaluam atë ditë nga burgu, që dilnim, që na dhanë fletën e lirimit, gjithsekush mundohej të ikte si djalli nga temjani. Mua më qëlloi që dola i fundit dhe e quaj që unë e kapërceva derën e burgjeve shqiptare i fundit i burgosur në tërë Shqipërinë.

Ishte 6 korrik 1991. ♪Gjashta  ka qenë koinçidencë për mua. U arrestova me 6 janar, dhe u lirova sërish me 6 korrik”,  përfundon rrëfimin e tij Meleq Cane.

'Dosja K" është një cikël dokumentarësh, kushtuar historive të persekutimit gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri përgatitur nga gazetarja Admirina Peçi dhe transmetohet çdo të martë ora 20:00 në Report Tv. Një dritare e krijuar për tu dhënë zë, historive të mijëra shqiptarëve, që jetuan nën represion, që përjetuan  survejimin, përndjekjen, burgosjen, internimin dhe dëbimin nga shtëpitë apo qyteti i tyre.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?