Futbollistët e Atalantës dhe Vlahovic i Juventusit

Sonte finalja e Kupës së Italisë/ Bergamaskët e Gjimshitit për historinë, Juve për të shmangur thatësirën! Allegri mesazhe lamtumire

15 Maj, 14:08| Përditesimi: 15 Maj, 14:20

  • Share

Në Romë do dorëzohet sonte trofeu i Kupës së Italisë, pasi nga ora 21:00 luhet finalja mes Atalantës dhe Juventusit. Për bergameskët është mundësia për të bërë historinë, pasi ky mund të jetë trofeu që i jep fund një thatësire të gjatë dhe njëkohësisht mund të hapë rrugën për disa të tjerë. Atalanta në historinë e saj ka vetëm një kupë italie në vitin e largët e 1963, por pas shumë kohësh vjen si favorite. Bergameskët nuk kanë qenë kurrë më të fortë se kaq dhe jo më kot më 22 maj do luajnë edhe finalen e Europë League.

Para finales sonte në Olimpico, si Atalanta ashtu edhe Juventusi janë pritur në pallatin presidencial, për të treguar rëndësinë e trofeut por edhe mesazhet që përcillën nga ky sport. Nëse Atalanta e Gjimshitit ia del atëherë ky do jetë trofeu i parë për trajnerin Gasperini pas 8 vitesh në drejtimin e ‘hyjneshës’, në një kohë kur është etiketuar si trajneri i zero trofeve pavarësisht se është dalluar gjithmonë për lojën e bukur.

Nga ana tjetër edhe Juventus kërkon të shpëtojë sezonin pavarësisht se vjen nga një periudhë e vështirë kur në 9 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 2 fitore. Nëse ‘zonja e vjetër’ s’ia del të fitojë Kupën e Italisë ky do jetë sezoni i tretë pa trofe, ndërsa para sfidës trajneri Allegri ka deklaruar se me shumë mundësi kjo do jetë finalja e fundit. Mediat sot në Itali kanë shkruar se Juventusi ka gjetur akordin me trajnerin e Bolognas Thiago Motta për sezonin e ardhshëm.

Për fituesin e finales shkojnë 7.6 milionë euro, ndërsa finalisti tjetër do marrë 5 milionë euro.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?