Basha, Rama, Berisha, Meta

Sondazh: 43% e shqiptarëve s’duan kryeministër as Ramën, as Berishën, as Bashën e as Metën! Vetëm çereku shpresojnë tek opozita e bashkuar

16 Shkurt, 19:48| Përditesimi: 16 Shkurt, 21:03

  • Share

Eksponentë të opozitës po shfaqin optimizëm për një fitore më 2025. Shtysë për këtë optimizëm të tyre është bërë krijimi i një konfederate të Rithemelimit me fraksione e parti të vogla opozitare, si dhe sondazhet më të fundit amerikane, që tregojnë se Trump ka aktualisht epërsi ndaj Biden në garën presidenciale.

Po ç’mendojnë shqiptarët e thjeshtë për gjasat e fitores së opozitës më 2025?

Në një sondazh elektronik për shqiptarja.com, që e zhvillova sot me 2000 SMS krejt të rastësishme (të dërguara në gjithë territorin e vendit), bëra këto tri pyetje: “1-A mendoni se Konfederata e Rithemelimit me partitë e vogla opozitare do të ndikojë për një fitore të opozitës më 2025?”, “2-A mendoni se një fitore e Trump-it në SHBA do të ndikonte për një fitore të opozitës më 2025?”, dhe “3-Kë doni të jetë kryeministër më 2025?”. Sondazhin e mbylla kur u plotësua një kampion kombëtar prej 1100 të anketuarish, përfaqësues të banorëve të rritur të vendit, gjeografikisht, demografikisht e politikisht.

Më poshtë vijojnë përgjigjet e të anketuarve.

Vetëm çereku i të anketuarve anojnë nga mendimi se Konfederata e Rithemelimit me partitë e vogla opozitare do të ndikojë për një fitore të opozitës më 2025 (konkretisht, 18.2% janë përgjigjur “Po”, dhe 6.3% “Anoj nga po”). Nga një ekstrapolim i përafërt statistikor, rezulton se rreth 500 mijë banorë të rritur janë tek “po-ja” ose anojnë nga “po-ja”. Nga ana tjetër, rezulton se përafërsisht 1 milion e 550 mijë banorë të rritur nuk janë të mendimit se Konfederata e Rithemelimit me partitë e vogla opozitare do t’i rrisë gjasat për një fitore të opozitës më 2025. (Shënim: Vjet më 14 maj, rreth 500 mijë zgjedhës votuan për kryebashkiakë të Bashkimit për Fitore, ndërsa rreth 800 mijë votuan për kryebashkiakë socialistë.)

Ndër të anketuarit, 30% anojnë nga mendimi se një fitore e Trump-it në SHBA do të ndikonte për një fitore të opozitës më 2025 (konkretisht, 21.4% janë përgjigjur “Po”, dhe 8.6% “Anoj nga po”). Nga një ekstrapolim i përafërt statistikor, rezulton se rreth 615 mijë banorë të rritur janë tek “po-ja” ose anojnë nga “po-ja”. Nga ana tjetër, rezulton se përafërsisht 1 milion e 435 mijë banorë të rritur nuk janë të mendimit se një fitore e Trump-it në SHBA do t’i rriste gjasat për një fitore të opozitës në Shqipëri. (Shënim: Vjet më 14 maj, rreth 500 mijë zgjedhës votuan për kryebashkiakë të Bashkimit për Fitore, ndërsa rreth 800 mijë votuan për kryebashkiakë socialistë.)

Plot 43% e të anketuarve (përfaqësojnë statistikisht rreth 882 mijë banorë të rritur) duan që kryeministër të jetë dikush që s’e ka emrin as Edi Rama, as Sali Berisha, as Lulzim Basha, e as Ilir Meta. Më pas, lista e preferencave vazhdon si më poshtë:

Ramën e duan kryeministër 37.1% e të anketuarve (përfaqësojnë statistikisht rreth 761 mijë banorë të rritur); Berishën 15.1% e të anketuarve (përfaqësojnë statistikisht rreth 310 mijë banorë të rritur); Bashën 3% e të anketuarve (përfaqësojnë statistikisht rreth 62 mijë banorë të rritur); dhe Metën 1.8% e të anketuarve (përfaqësojnë statistikisht rreth 37 mijë banorë të rritur).

B.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Statika: 17/02/2024 08:52

    Po mër po, Trumpi do fitojë dhe do fitojnë dhe këta opozitleshat me konfederatleshin e tyre. Opozita është në mërgim. Këta bëjnë edhe pozitën dhe opozitën.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?