Një gol në nisje të lojës nga Rashica riktheu Skënderbeu te fitoret në Superligë, duke mposhtur 1-0 Kukësin e vendit të fundit. Korçarët me këtë tre pikësh krijojnë një distancë sigurie me vendet që rrezikojnë të zbresin nga kategoria.
“Shumë e rëndësishmja fitorja. Djemtë treguan karakter sepse ishte një ndeshje ‘luftë’ për topat e dytë, goditjet standarte, karakteri dhe mund të them që jam i kënaqur me tre pikët,”-tha Ivan Gvozdenovic, trajner i Skënderbeut.
“Jam shumë i kënaqur duke marrë shkas nga problematikat që ka patur ekipi në ndeshjet e fundit. Pësimi i golave. Sot pësuam një gol por patëm ekuilibër gjatë gjithë lojës dhe gjithashtu patëm edhe mundësitë tona,”-deklaroi Emiljano Çela, trajner i Kukësit.
Suprizë këtë javë ishte barazimi i Tiranës 1-1 kundër Erzenit. Madje në Air Albania shijakasit i shkuan shumë pranë fitores, por goli i Abazajt bëri që ekipet të ndajnë pikët. Në këtë ndeshje për Erzenin debutoi trajneri i ri Skeerdi Bejzade, ndërsa barazimi i vendosi Tiranën në pikëpyetje vendin e katërt që të dërgon në ‘play-off’.
Kjo sepse Vllaznia fitoi 2-1 kundër Teutës. Shkodranët tani janë në vendin e tretë me pikë të barabarta me Partizanin e vendit të dytë. Të kuqtë u mposhtën 2-1 me përmbysje nga Dinamo që tani sheh për të siguruar një vend në ‘final-four’.
Takimi tjetër i javës së 23 të Superligës mes Egnatias dhe Laçit u mbyll pa gola. Megjithatë rrogozhinasit vijojnë të qetë në krye të renditjes.
Ne.k.//ReportTv.al