Opera 'Skënderbeu'

Skënderbeu bën bashkë artistët e Shqipërisë dhe të Kosovës, pas Tiranës vepra u shfaq edhe në Prishtinë

18 Maj 2023, 21:54| Përditesimi: 19 Maj 2023, 14:48

  • Share

Kjo vepër e madhe u shfaq disa ditë të shkuara në Tiranë. Nuk munda të shkoj e më erdhi keq. E sa mirë u ndjeva kur kompozitori më ftoi personalisht në të parën, këtu në Prishtinë. Nuk mund ta humbja.

Hija e veprës, e rëndë, solemne ndeshej e ndihej kudo para shfaqjes: në makinat që kalonin ngadalë, zonjat qe zbrisnin prej tyre, sportelet që mbylleshin kujdesshëm e pa zhurmë, në mërmërimën e përmbajtur si shushurimë të publikut në sallë, në veshjet, stolitë, në praninë e kryeministrit e një pjese të anëtarëve të kabinetit të tij.

Ashtu si dhe i thashë kompozitorit e mikut Vasil Sofokli Tole pas shfaqjes, nuk do ta besoja kurrë se në moshën time, do të kishte forcë një vepër si kjo e tij, të shkaktonte emocione si ato që unë ndjeva mbrëmë. Muzikë që më bëri të besoj se po jetoja një jetë të dytë, ndërkaq e para më vinte në formë valësh përplasëse në breg, nga forca evokuese e notave e zërave, instrumentave të orkestrës; e ashtu si vale shuhej, për ti lënë vendin pasardhëses.

Pashë Arbërinë (në të jeta ime e parë, pra) në tërë fisnikërinë e saj: princër, kontë, dukë, kështjella, veshje, manastire, kupa me verë, mesha solemne, shandanë, dasma, dëgjova latinisht, greqisht më tej në funksione fetare, ambasadorë, tymra qirinjsh e temjani që ngjiteshin drejt kubeve të sallave të pritjeve, prelatë të lartë, te derguar te Venedikut...

Introduksioni me perkusionë ishte i hatashëm në ato ritmet tona të perziera, në lojën, më pas dramaticitetin, e më tej orkestra, kori... së bashku me ndjesinë e të qenit në oborret e vjetra të fisnikëve, një mallëngjim më kaploi shpirtin, një mundësi lotësh në atë atmosferë prej requiemi mozartian, më tej ndjeva forcën të më rritej, një fuqi si e Anteut që avitet të më pushtojë krejtësisht, madhështi, ngjitje drejt qiejve si në Orff-ianen Carmina Burana.

"O Fortuna

Velut luna

Statu variabilis

Semper crescis..."

Vaso Tole pastaj ka ditur mjeshtërisht të ndërthurë në mënyrën më të ëmbël, më harmonike të mundshme, homazhet e tij: kabanë e Përmetit, një pasazh prej pak masash nga kënga patriotike "Për mëmëdhenë" e më në fund temën e luftës nga filmi "Skënderbeu" të mjeshtrit të madh Çesk Zadeja.

Ndërsa rrija e dëgjoja, mendoja se gjithë ato evokime, nuk ishin thjesht homazhe, por edhe një sens i mrekullueshëm e i ndërgjegjshëm vazhdimësie, i kompozitorit e Qytetarit Tole njëkohësisht; një pranim i rrënjëve e një përkujdesje për to, një harmonizim i së shkuarës me të sotmen, pothuaj një thirrje politike në gjuhën më intelektuale e te rafinuar të mundshme, për të mos shembur të kaluarën në cikle dhjetëvjeçarësh, si rëndom e tragjikisht kemi bërë e bëjmë.

Tej kësaj shkarjeje ideologjike, (ndjesë) dua të shpreh pak fjalë edhe për skenografinë: evokative, harmonike. Ngjyra të bukura, lëvizje si në ëndrra, diç nga Kostandini, besa, qiejt vangoghianë. Po ashtu edhe kostumografia, pak elementë e në masë. Mrekulli

Vaso Tole, me bindje e them, i ka dhuruar kombit një tjetër fidan në kopshtin e artit.

Urime maestro!

Krijimtari të mbarë, për gëzimin tonë, për shpirtrat tanë!

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?