Skenari për vjeshtën/ Hapja e spitaleve të reja COVID! Rekrutohen 48 infermierë të rinjtë te 'Infektivi' (VIDEO)

24 Gusht 2020, 12:54| Përditesimi: 24 Gusht 2020, 13:06

  • Share

TIRANË- Hapja e dy spitaleve të tjera COVID, ai te ish- kirurgjia dhe te ish- godina e universitetit privat, është një nga skenaret e përgatitura nga Ministria e Shëndetësisë për përballimin e situatës së pandemisë, në rast se do të ketë një shtim të rasteve në sezonin e vjeshtës. Për këtë arsye, ka nisur rekrutimi i bluzave të bardha, ku gjatë ditës së sotme personelit te spitali Infektiv iu shtuan dhe një ekip i ri prej 48 infermierësh.

“Jam shumë e kënaqur që të rinjtë i bashkohen stafeve tona mjekësore dhe janë 48 infermierë që së fundmi i janë bashkuar ekipit të QSUT-së dhe pikërisht Spitalit Infektiv. Tashmë sistemit shëndetësor po i shtohet një armatë e re infermierësh, për të mbështetur ekipet tona shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, kemi rreth 150 punonjës që i janë shtuar sistemit shëndetësor, qoftë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe gjithashtu ekipeve të monitorimit, kontrollit dhe inspektimit në terren”, tha Manastirliu.

Duke folur për përballimin e situatës në vjeshtë-dimër, Manastirliu tha se kanë nisur përgatitjet për hapjen e strukturave të tjera spitalore, tashmë të përfunduara.

 “Plani vjeshtë-dimër, jo vetëm që na ka orientuar drejt fuqizimit të kapaciteteve sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve biomjekësore, por tashmë rritja e numrit të stafeve tona infermierore i shërben cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve që vuajnë nga COVID19. Jam e kënaqur që kemi mundësinë që jo vetëm të punojmë së bashku me ekipin e ri, por edhe të kemi mundësinë që në një kohë si kjo e sotmja të trajnojmë ekipe të infermierëve, të cilët më pas do të jenë të gatshëm edhe për të përballuar situatën në vjeshtë-dimër, kur mund të kemi dhe hapje të strukturave të tjera spitalore dhe sigurisht t’i paraprijmë me ndërtimin dhe formimin e ekipeve tona të infermierëve dhe paralelisht edhe të mjekëve”, deklaroi Manastirliu.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?