Foto nga 21 janari

SKEDA/ 13 vite pa drejtësi! Nga 4 vrasjet e 21 janarit nga plumbat e shtetit te fshirja e serverëve të kryeministrisë, Berisha e padia në SPAK

21 Janar, 07:42| Përditesimi: 21 Janar, 10:13

  • Share

Sot shënohen 13 vite nga 21 janari i 2011, kur mbi trupat të katër protestuesve të pafajshëm u derdhën plumbat e lëshuar nga godina e kryeministrisë, aso kohe qeveria Berisha. Ende s’ka drejtësi, ndërsa familjarët kërkojnë që çështjen ta marrë SPAK, gjykata e Strasburgut e quan krim shtetëror.

Shqiptarja.com sjell kronologjinë e ngjarjeve që shënjuan dosjen prej janarit 2011.

Kronologjia 

Thirrja për protestë dhe plani i gardës: Gati për të hapur zjarr
Disa ditë përpara protestës, Partia Socialiste e Shqipërisë, atëherë partia kryesore opozitare, njoftoi që protesta do të zhvillohej përpara Kryeministrisë, e cila ndodhej në bulevardin kryesor të Tiranës.

Më 19 janar 2011, Drejtoria e Policisë Vendore e Tiranës i shkroi kryetarit të Partisë Socialiste për ta informuar që organizatori i protestës kishte detyrimin që të njoftonte policinë me shkrim, në lidhje me protestën. Në përgjigje të kësaj, Partia Socialiste njoftoi policinë po atë ditë. Të nesërmen, Drejtoria e Policisë Vendore të Tiranës kërkoi më shumë detaje për organizimin e protestës, vendet e grumbullimit të protestuesve dhe itinerarin e tyre. Partia Socialiste dha detajet e kërkuara po atë ditë.

Më 19 janar 2011, komandanti i përgjithshëm i Gardës së Republikës, atëherë Ndrea Prendi (garda e nderit për shtetin e ngarkuar me detyrën e sigurimit të mbrojtjes së personaliteteve të larta të shtetit dhe objekteve të caktuara shtetërore, përfshirë Kryeministrinë) urdhëroi njësitë e ndryshme të Gardës së Republikës që të ishin në gatishmëri, të merrnin masa specifike dhe të përgatisnin plane të detajuara për mbrojtjen e Kryeministrisë nga çdo akt dhune gjatë protestës (urdhër nr. 28s/1, lëshuar po atë ditë).

Komandantët e njësive të ndryshme të Gardës së Republikës përgatitën planet e tyre përkatëse, të cilat u miratuan më pas nga komandanti i përgjithshëm i Gardës së Republikës.

Në veçanti, komandanti i “Njësisë Speciale” përgatiti planin nr. 28s/9, të 21 janarit 2011, i cili parashikonte, aq sa është e rëndësishme, që një: “grupi i përbërë nga [gjashtë oficerë] do të jetë në gatishmëri, gati për të hapur zjarr në rast të thyerjes së kordonit të Njësisë së Dytë dhe Njësisë Speciale”.

Për sa i përket logjistikës, planet e Gardës së Republikës parashikonin që përveç pajisjeve mbrojtëse si: jelekë specialë, helmeta, maska kundër gazit, oficerët do të pajiseshin edhe me pushkë sulmi “tipi 56”, përfshirë plumba manovre dhe të vërtetë.

Po kështu, Policia e Tiranës përgatiti një “plan masash” me dyzet e katër faqe për garantimin e rendit përpara, gjatë dhe pas protestës së 21 janarit 2011. Ai plan parashikonte detajet e detyrave të ndryshme specifike që i ngarkoheshin çdo drejtorie dhe departamenti të policisë në lidhje me protestën; veçanërisht i udhëzonte ata të bënin planifikimin përpara protestës.

Vrasjet në bulevard 
Më 21 janar 2011
, protestuesit filluan të mblidhen rreth orës 11:00 paradite në sheshin kryesor të qytetit; në të njëjtën kohë, komandantët e Gardës së Republikës i dhanë oficerëve të tyre udhëzimet përfundimtare. Oficerët e Gardës së Republikës më pas zunë pozicionet e tyre rreth Kryeministrisë. Përfaqësues të shumë mediave u pozicionuan gjithashtu në anë të ndryshme të Kryeministrisë – disa prej tyre në platforma të ngritura që ishin vendosur për të mbuluar protestën.

Rreth orës 14:00 protestuesit mbërritën te Kryeministria, përpara hyrjes kryesore ku kishte dy kordonë policie.

Rreth orës 14:30 disa nga protestuesit nisën të gjuanin me sende të forta kundër kordonit të parë të policëve dhe situata u përshkallëzua. Kordoni i dytë i policisë (i cili përbëhej nga forcat speciale të policisë), hodhi gaz lotsjellës. Rrjedhimisht, protestuesit u shpërndanë përkohësisht dhe policët e kordonit të parë, të cilët nuk ishin të pajisur me maska gazi lotsjellës, u larguan nga pozicionet e tyre. Protestuesit vazhduan të gjuanin me gurë dhe sende të ndryshme të forta nga anët e godinës. Ata gjithashtu u grumbulluan përsëri përballë saj.

Autoritetet përdorën topat e ujit për t’i shpërndarë. Protestuesit dogjën disa pemë dhe makina, dhe hodhën koktejl molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë. Disa policë dhe oficerë të Gardës së Republikës u plagosën.

Në një kohë të pacaktuar (rreth orës 16:00) një numër relativisht i vogël protestuesish sulmuan portën prej hekuri të makinave në veri të ndërtesës dhe depërtuan njëzet ose tridhjetë metra në oborr (d.m.th. në zonën mes gardhit mbrojtës dhe vetë ndërtesës). Një makinë e drejtuar nga një protestues u përpoq të hynte me forcë përmes portës së makinave, por u përplas me një pengesë të ngritur për të parandaluar ndërhyrje të tilla.

Një oficer i Gardës së Republikës përdori megafonin për të paralajmëruar protestuesit duke thënë si më poshtë: “Qytetarë, po shkelni rregullat, po shkelni ligjin, keni hyrë në zonat e sigurisë; ndaj jush do të ndërmerren masa sipas ligjit.”. Më pas, një grup oficerësh të Gardës së Republikës, të pajisur me mburoja dhe shkopinj, ndërhynë dhe i shtynë protestuesit jashtë oborrit.

Në një moment të pacaktuar, disa oficerë të Gardës së Republikës filluan të përdorin armët e tyre të zjarrit, duke qëlluar me plumba manovër, por edhe të vërtetë, me justifikimin për të penguar vazhdimin e sulmit të protestuesve ndaj godinës.

Rreth orës 16:10, si pasojë e të shtënave, tre protestues, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj vdiqën në vend. Aleks Nika, i cili në ato momente ndodhej pranë trotuarit përballë Kryeministrisë dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë akt të dhunshëm, u godit nga një plumb në kokë.

Po kështu, tre viktimat e tjera ndodheshin jashtë oborrit të Kryeministrisë dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e përfshirë në akte të dhunshme. Si pasojë e konfrontimeve u plagosën rreth dyzet e pesë qytetarë, tetëdhjetë e një oficerë të Gardës së Republikës dhe njëzet e shtatë police.

Pas përfundimit të dhunës, dy mjekë në Spitalin e Traumës në Tiranë – duke iu përgjigjur pyetjeve të medias – deklaruan se rreth 30 persona kishin kërkuar ndihmë mjekësore në spital. Ata deklaruan se tre protestues kishin vdekur nga plagët që dukej se ishin shkaktuar nga armë të lehta të gjuajtura nga një distancë e afërt.

Berisha tenton të devijojë hetimin! Video demaskuese
Në një konferencë për shtyp pak orë pas protestës, Sali Berisha, kryeministri i asaj kohe, deklaroi se sipas raporteve paraprake mbi incidentin, "viktimat ishin qëlluar nga afër me armë të një lloji të ndryshëm nga ato që përdor policia dhe Garda e Republikës". Gjithashtu ai i ftoi prokurorët që të hetonin ngjarjen.

Vonë në mbrëmjen e së njëjtës ditë, 21 janar, News24 transmetoi një video që shfaqte momentin e vrasjes së njërit prej protestuesve (jo të Aleks Nikës). Në video shihet se viktima, para se të qëllohej, qëndronte në bulevard pak metra larg portës së makinave në veri të Kryeministrisë dhe shikonte se si një tjetër protestues, i cili ndodhej brenda oborrit, hodhi një objekt drejt godinës. Papritur, viktima ra në tokë dhe protestuesit e tjerë iu afruan dhe më pas e morën me vete. Në video u shfaq gjithashtu një oficer i Gardës së Republikës që qëllonte me armë nga një dritare e ndërtesës.

Aleks Nika mori kujdesin mjekësor fillestar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe më pas u transferua për kujdes të specializuar në Stamboll, ku vdiq më 4 shkurt 2011. Ai u varros në Shqipëri më 7 shkurt 2011.

HETIMI PARAPRAK
Prokuroria nis hetimet! 500 gëzhoja e 12 plumba në bulevard

Më 21 janar 2011,
Prokuroria e Tiranës filloi hetimin për ngjarjet bazuar në dyshimin se ishin kryer këto vepra: vrasje, shkatërrim prone me zjarr, shkatërrim prone, shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në tubim të paligjshëm.

Po atë mbrëmje, specialistët e hetimit kontrolluan zonën përreth Kryeministrisë dhe mblodhën rreth pesëqind gëzhoja, si edhe dymbëdhjetë plumba. Ata bënë edhe fotografi dhe përshkrime të detajuara të gjendjes së godinës së Kryeministrisë dhe pjesës së bulevardit ku ishte zhvilluar protesta. Përveç kësaj, morën në pyetje një numër protestuesish, mjekësh dhe gazetarësh; nga këta të fundit hetuesit morën edhe kopje të videoregjistrimeve që gazetarët dhe kolegët e tyre kishin bërë për ngjarjet gjatë protestës. Marrja në pyetje e personave me interes – rreth nëntëdhjetë e dy persona gjithsej – vazhdoi gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vijim.

Urdhërohet ekzaminimi i trupave të viktimave përveç Aleks Nikës
Më 22 janar 2011
, prokurorët urdhëruan Institutin e Mjekësisë Ligjore që të kryente ekzaminimin e trupave të të gjitha viktimave, përveç Aleks Nikës. Në veçanti, prokurorët i udhëzuan ekspertët që: të ekzaminonin plagët; të përcaktonin se si ishin shkaktuar; të analizonin vrimat hyrëse dhe dalëse të çdo plumbi dhe trajektoren e tyre; dhe shkakun e vdekjes së tyre. Ekspertiza të ngjashme u urdhëruan dhe u kryen me disa nga protestuesit e plagosur.

Gjithashtu, prokurorët vendosën sekuestrimin e disa armëve që ishin përdorur nga efektivët e Gardës së Republikës gjatë protestës. Në javët në vijim u sekuestruan edhe armë të tjera. Armët e sekuestruara, gëzhojat e gjetura në vendin e protestës dhe veshjet e viktimave ju nënshtruan ekspertizës.

Garda nuk jep regjistrimin audio të komunikimeve 
Gjithashtu, prokurorët urdhëruan Gardën e Republikës që t’u jepte atyre kopje të të gjitha regjistrimeve audio të komunikimeve me radio mes oficerëve të saj, dhe si përgjigje të këtij urdhri më 6 shkurt 2011, Garda e Republikës deklaroi se komunikimet nuk ishin regjistruar.

Më 24 dhe 26 janar 2011, dy raporte ekspertimi kimik, të cilat ishin urdhëruar nga prokurorët për të konstatuar nëse tre viktimat e sipërpërmendura dhe tre nga të plagosurit kishin përdorur armë zjarri gjatë protestave, konstatuan se nuk kishte mbetje armësh zjarri në rrobat e personave në fjalë.

“Refuzohet ekzekutimi i urdherarresteve për gardistët! 
Përpjekje për arrestimin e oficerëve të Gardës së Republikës për t’i marrë në pyetje
Herët në mëngjesin e datës 22 janar 2022,
prokurorët nxorën urdhërndalime për gjashtë oficerët e lartë të Gardës së Republikës. Në orën 6:20 të mëngjesit urdhrat ju dorëzuan policisë për ekzekutim.

Ngjarjet e mëvonshme të 22 janarit 2011, u përshkruan nga kryeministri i atëhershëm në një fjalim para Parlamentit, më 23 janar 2011: Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili ishte në krye të policisë, përmendi në një telefonatë drejtuar Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe se Oficerët e Gardës së Republikës do të viheshin plotësisht në dispozicion për t’u marrë në pyetje.

Megjithatë, ministri Lulzim Basha kërkoi rivlerësimin e urdhërarresteve duke pasur parasysh, ndër të tjera njoftimin e opozitës se më 28 janar 2011 do të zhvillohej një marshim i heshtur dhe nevojën e Gardës së Republikës për të pasur në dispozicion të gjithë oficerët e saj.

Prokurorja e Përgjithshme refuzoi kërkesën dhe kërkoi sërish ekzekutimin e urdhrave të arrestit nga policia. Pasdite, drejtori i përgjithshëm i Policisë njoftoi Prokuroren e Përgjithshme se për shkak të gabimeve teknike dhe administrative, urdhërarrestet nuk mund të ekzekutoheshin.

Berisha: E quan grusht shteti, sulmon Prokuroren Ina Rama
Më 24 janar 2011, Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, bëri komentet e mëposhtme për hetimin në vazhdim të ngjarjeve:

“Edhe pse grushti i shtetit po i përmbahet strategjisë së tij, ne do të vazhdojmë detyrat tona si qeveri. Unë them [ata] do të vazhdojmë, sepse Prokurorja e Përgjithshëm – e cila brenda 6 orëve, pa asnjë hetim, dje urdhëroi arrestimin e të gjithë zinxhirit [të komandës] së Gardës së Republikës – sot nuk ka urdhëruar masën e arrestit me burg ndaj njërit prej krye-terroristëve dhe krye-banditëve që u filmua dhe u fotografua nga mediat shqiptare dhe të huaja me revolver në brez në derën e Kryeministrisë.

 ... Dëshiroj t’i them zonjës Prokurore të Përgjithshme se Garda e Republikës, të cilës ju dëshironi t’i prisni kokat për qëllimet tuaja[,] ju mbron juve gjithashtu – ajo ka për detyrë t’ju mbrojë juve; ju ka mbrojtur dhe do t’ju mbrojë përsëri, për këtë të jeni e sigurt, për aq kohë sa mbani postin [tuaj].

 ... Zonja që liron personin e armatosur me armë që sulmoi oficerët që e mbrojnë atë, duhet ta dijë se ajo ka hyrë në territor shumë të gabuar dhe se ky nuk është zbatim i ligjit. Ky nuk është organi ligjzbatues për të cilin kanë votuar qytetarët shqiptarë. Të kërkosh arrestimin e komandantit të përgjithshëm të Gardës dhe të atyre që kanë mbrojtur institucionet [shtetërore] dhe të lirosh banditin që i vuri flakën [atyre] institucioneve, të nxjerr shumë keq para shqiptarëve dhe botës.”.

Më 27 janar 2011, gjatë një takimi me familjarët e oficerëve të policisë dhe të Gardës, Kryeministri kritikoi sërish – këtë herë me fjalë ofenduese – Prokuroren e Përgjithshme, atëherë Ina Rama personalisht për mënyrën se si po hetoheshin ngjarjet e 21 janarit 2011.

Krijohet komision hetimor parlamentar per Ina Ramen 

Më 2 shkurt 2011, në përgjigje të thirrjes nga një komision parlamentar për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011, i krijuar në ditët në vijim, Prokurorja e Përgjithshme doli përpara komisionit. Ajo deklaroi se ngjarjet po hetoheshin dhe se për momentin nuk mund t’u përgjigjej pyetjeve të komisionit. Në ato rrethana ajo u largua nga seanca, pas së cilës anëtarët e komisionit bënë komente kritike – veçanërisht, që Prokurorja e Përgjithshme kishte treguar arrogancë, nuk ishte duke përmbushur detyrën e saj dhe nuk kishte respektuar komisionin.

Më 7 shkurt 2011, hetuesit e policisë këqyrën përsëri vendin e protestës dhe vunë re se gardhi metalik i ndërtesës ishte dëmtuar nga forca e atyre që dukej se ishin predha. Ata bënë fotografi të gardhit.

Zhdukja e pamjeve nga serverat e kryeministrise
Përpjekje për marrjen e videoregjistrimeve të bëra nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë
Më 23 janar 2011,
gjatë mbledhjes së kabinetit, Kryeministri deklaroi se zyra e tij ishte e pajisur me një sistem kamerash sigurie që kishte regjistruar ngjarjet gjatë protestës. Ai shtoi se i kishte kërkuar sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë që regjistrimet t’i vendoste në dispozicion të prokurorëve.

Më 26 janar 2011, prokurorët i kërkuan Zyrës së Kryeministrit që të jepte një kopje të pamjeve të regjistruara nga kamerat e sigurisë të vendosura përreth ndërtesës. Në përgjigje të kësaj, Kryeministria dha regjistrimet e bëra nga një kamerë që ndodhej në çatinë e godinës.

Më 15 shkurt 2011 prokurorët përsëritën kërkesën e tyre, në përgjigje të së cilës Kryeministria u përgjigj se kamerat e tjera ishin jashtë funksionit që nga viti 2009. 35.

Më 4 mars 2011, prokurorët sekuestruan hard diskun (regjistruesin digjital të diskut) e sistemit të kamerave të Kryeministrisë. Në të njëjtën datë, Zyra e Kryeministrit njoftoi prokurorët se një kamerë tjetër sigurie kishte regjistruar më 21 janar 2011 dhe u dërgoi atyre një videoregjistrim. Kamera e dytë ishte orientuar drejt portës së hekurt në veri të ndërtesës – një zonë me interes për hetimin. Megjithatë, pamjet e kamerës zgjasnin vetëm pak minuta dhe mbulonin periudhën pas përfundimit të protestës.

Masa hetimore vijuese

Merret në pyetje Gardistët
Më 7 shkurt 2011, prokurorët morën në pyetje disa oficerë të Gardës së Republikës, përfshirë Agim LLupon i cili mbante postin e zëvendëskomandantit të “Njësisë Speciale” të Gardës dhe kishte qenë në detyrë gjatë ngjarjeve të 21 janarit 2011. Prokurorët bënë pyetje specifike, në lidhje me planifikimin e Gardës përpara protestave – veçanërisht drejtuar oficerëve që kishin hartuar dhe miratuar ato plane. Oficerët u pyetën gjithashtu nëse ata ishin informuar para protestës për përdorimin e armëve të zjarrit (përfshirë momentin kur dhe në çfarë rrethanash ata mund t’i përdornin ato). Gjithashtu, prokurorët hetuan për mënyrën se si ishte zhvilluar komunikimi mes oficerëve gjatë protestave, nëse ata oficerë kishin qëlluar me armë dhe detaje të tjera lidhur me sigurinë gjatë protestës.

Në përgjithësi, oficerët e Gardës së Republikës deklaruan se përpara ngjarjes ishin informuar nga eprorët e tyre për përdorimin e armëve të zjarrit dhe për aspekte të tjera të detyrave të tyre. Në datën e ngjarjes në fjalë urdhrat ishin dhënë gojarisht, pasi urgjenca e situatës nuk kishte lejuar një mjet alternativ komunikimi. Njësitë e ndryshme i kishin bashkërenduar veprimet e tyre me anë të komunikimit me radio dhe, në disa momente në proces, nëpërmjet telefonave celularë. Urdhrat ishin dhënë nga komandantët e njësive përkatëse, të cilët u kishin thënë oficerëve se ku duhet të vendoseshin dhe cilat veprime duhej të kryenin. Ata më tej deklaruan se nuk kishin marrë ndonjë urdhër specifik për të përdorur armët e tyre në ndonjë moment të caktuar dhe se kishin qëlluar në ajër kur kishin ndjerë se situata kishte dalë jashtë kontrollit – veçanërisht kur protestuesit kishin hyrë në oborrin e ndërtesës. Agim Llupo, në veçanti, deklaroi se të shtënat paralajmëruese me plumba manovër nuk kishin qenë të efektshme për frenimin e protestuesve, të cilët e kishin kuptuar se oficerët po përdornin plumba manovre. Oficerët deklaruan gjithashtu se nuk mund të shpjegonin shenjat e lëna nga predha në lartësinë e njeriut në gardhin metalik të ndërtesës. Oficerë të tjerë të Gardës u morën në pyetje gjatë ditëve dhe javëve në vijim.

Dorëzimi i Gardistëve 18 ditë më vonë! Merret në pyetje Ndrea Prendi
Më 8 shkurt 2011, oficerët e lartë të Gardës së Republikës, për të cilët ishin lëshuar urdhraarresti u dorëzuan në Prokurorinë e Tiranës. Ata u morën në pyetje nga prokurorët po atë ditë.

Në përgjigje të pyetjeve të prokurorëve, Ndrea Prendi, komandant i përgjithshëm i Gardës së Republikës, i cili kishte mbikëqyrur drejtpërdrejt operacionet në terren ditën e protestës, deklaroi se nuk ishte dhënë asnjë urdhër për oficerët e Gardës Kombëtare, të pranishëm në ngjarjet në fjalë, të hapnin zjarr; megjithatë, ai vuri në dukje se të gjithë oficerët e Gardës ishin të lirë të hapnin zjarr me iniciativën e tyre për të garantuar sigurinë e objekteve që ata ruanin. Ai më tej vuri në dukje se shumë oficerë ishin lënduar dhe kishin marrë trajtim në klinikën mjekësore të Gardës së Republikës. Një oficer ishte dërguar në spital. Vetë komandanti i Gardës, pavarësisht mjeteve mbrojtëse që mbante, kishte marrë goditje nga një gur në vetull dhe kishte kërkuar ndihmë mjekësore për të ndaluar gjakderdhjen. Kur ishte kthyer, oficerët e tjerë e kishin “informuar” se ata kishin qëlluar vetëm në ajër. Në përgjigje të pyetjes nëse mund të jepte ndonjë shpjegim për shenjat e lëna nga predha në gardhin metalik të ndërtesës (të cilat ishin në lartësinë e njeriut), Ndrea Prendi u përgjigj se nuk mund t’i shpjegonte shenjat.

Më 9 shkurt 2011, Prokuroria e Tiranës shqyrtoi regjistrin e marrjes në dorëzim të shërbimit të qendrës operacionale të Gardës, ku regjistrohen të dhënat kryesore ditore, urdhrat, detyrat dhe veprimtaritë e Gardës së Republikës. Në veçanti, autoritetet morën një kopje të faqeve të regjistrit, në lidhje me aktivitetet e 21 janarit 2011.

Regjistri nuk përmbante asnjë shënim për ndonjë urdhër për përdorimin e armëve të zjarrit. U vu në dukje se Ndrea Prendi kishte urdhëruar oficerët të përdornin shkopinj shumë herë dhe se në një moment ai i kishte paralajmëruar ata që “të mos hapnin ...zjarr [në asnjë mënyrë] në kundërshtim me ligjin”.
Në orën 16:10 ai i kishte urdhëruar që të shtynin me shkopinj gome protestuesit që kishin hyrë në oborrin verior. Në orën 16:13 një oficer kishte kërkuar municion me urgjencë.

Prokuroria e Tiranës shqyrtoi gjithashtu një sërë të dhënash të tjera të brendshme të Gardës, në lidhje me armët që u ishin shpërndarë oficerëve të saj më 21 janar 2011 dhe organizimin, dhe planifikimin e përgjithshëm të oficerëve të Gardës përpara se të zhvillohej demonstrata.

Autoritetet turke nxjerrin plumbin nga koka e Aleks Nikës
Pas vdekjes së Aleks Nikës më 5 shkurt 2011 autoritetet turke nxorën një plumb nga koka e tij.

Më 17 shkurt 2011, autoritetet shqiptare i dërguan një letërporosi autoriteteve turke. Në përgjigje të saj, plumbi iu përcoll autoriteteve shqiptare, të cilat e morën në fillim të majit 2011.

Akt ekspertimi i plumbit të Aleks Nikës
Më 24 maj 2011
, Drejtoria e Policisë Shkencore e Policisë së Shtetit nxori raportin e ekspertimit për plumbin që ishte gjetur në kokën e Nikës. Sipas tij, plumbi kishte humbur formën e tij origjinale dhe karakteristikat identifikuese për shkak të dëmtimit; prandaj nuk ishte e mundur të përcaktohej arma nga e cila kishte dalë.

Letërporosia drejt SHBA: Të dhënat e hard diskut të kryeministrisë ishin fshirë manualisht 
Më 6 qershor dhe 21 korrik 2011, autoritetet shqiptare i dërguan letërporosi Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aq sa ishte e nevojshme, autoriteteve amerikane ju kërkua të përmirësonin cilësinë e videove dhe fotografive të protestës së 21 janarit 2011 dhe të kryenin ekzaminimin e objekteve të ndryshme që ishin me interes për hetimin – përfshirë hard diskun e kamerave të sigurisë të vendosura në ndërtesën e Kryeministrisë dhe plumbat dhe predhat që ishin pjesë e përmbajtjes së dosjes penale.

Më 13 gusht 2011, autoritetet amerikane dhanë një raport ekspertimi ku thuhej se hard disku i Kryeministrisë ishte riformatuar manualisht (domethënë të dhënat e indeksit kryesor ishin fshirë manualisht) më 22 janar 2011, në orën 00:51 dhe më 28 janar 2011, në orën 12:10.

Në raport, gjithashtu, thuhej se të dhënat në hard disk ishin kopjuar në një disk të jashtëm në mbrëmjen e 21 janarit 2011 dhe më 28 janar 2011.

Në fund, raporti zbuloi se përmbajtja e hard drive përfshinte të dhëna që tregonin se njëmbëdhjetë kamera sigurie ishin konfiguruar në mënyrë që ato të mund të regjistronin.

Përgjigjja e SHBA-se per plumbat 
Më 5 janar 2012
, autoritetet amerikane dorëzuan një tjetër raport ekspertimi, ku thuhej, për aq sa ishte e rëndësishme, se “për shkak të mungesës së shenjave të mjaftueshme mikroskopike përkatëse me vlerë” nuk ishte e mundur të përputhej plumbi i gjetur në trupin e anëtarit të familjes së kërkueseve me ndonjë nga armët e paraqitura për ekzaminim.

Dy raporte të tjera ekspertimi dolën në përfundimin se plumbat që u gjetën te dy viktimat e tjera ishin qëlluar nga një pistoletë Beretta dhe një armë automatik MP-5, përkatësisht.

Tyta e armës së Ndrea Prendit ishte zëvendësuar
Më 21 janar 2011, këto armë ishin përdorur përkatësisht nga Ndrea Prendi, komandant i përgjithshëm i Gardës dhe A zëvendëskomandant i “Njësisë Speciale të Gardës”. Në raporte thuhet gjithashtu se pas ngjarjeve të 21 janarit 2011 tyta e pistoletës së Ndrea Prendit ishte zëvendësuar me tytën e armës së një oficeri tjetër.

Më 18 prill 2012, prokurorët akuzuan dy oficerë të Gardës Agim Llupo dhe Ndrea Prendi, për vdekjen e tre protestuesve (pa përfshirë Aleks Nikën). Një oficer i tretë i Gardës, M. K, u akuzua për pengim të drejtësisë. Në të njëjtën datë, prokurorët e veçuan çështjen e Aleks Nikës nga pjesa tjetër e hetimit, me arsyetimin se nevojiteshin veprime të mëtejshme hetimore në lidhje me rastin e tij

GJYQI I NËPUNËSIT TË TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT TË KRYEMINISTRISË
Fshirja e serverave

Bazuar në gjetjen e aktekspertimit të lartpërmendur se hard disku i sistemit të kamerave të sigurisë ishte kopjuar dhe se përmbajtja e tij më pas ishte fshirë prokurorët akuzuan nëpunësin e teknologjisë së informacionit (IT) të Kryeministrisë për pengim të drejtësisë. Sipas aktakuzës, menjëherë pas protestës së 21 janarit 2011, prokurorët kishin nxjerrë një urdhër me gojë drejtuar stafit administrativ të Kryeministrisë që të ruanin të paprekura videoregjistrimet e kamerave të sigurisë së ndërtesës. Pavarësisht atij urdhri, përmbajtja e hard drive të kamerave ishte kopjuar; më pas, hard disku ishte riformatuar. Gjithashtu, në përgjigje të kërkesës së prokurorit, stafi administrativ i Kryeministrisë kishte dhënë fillimisht regjistrimet e bëra vetëm nga njëra kamerë, e cila ishte vendosur në çatinë e godinës, duke deklaruar se kamerat e tjera nuk punonin ditën e ngjarjeve në fjalë. Megjithatë, kur prokurorët sekuestruan hard diskun e kamerave të tjera, stafi administrativ u përcolli atyre regjistrimet e bëra nga një kamerë tjetër

Prokurorët shtuan se, sipas raportit të ekspertimit të autoriteteve amerikane, në datën e ngjarjes në fjalë kanë qenë në punë më shumë se dy kamera; në fakt, njëmbëdhjetë kamera ishin konfiguruar për regjistrim

Në mbrojtje të tij, nëpunësi i IT-së i Kryeministrisë deklaroi se kishte parë dy videoregjistrime në hard disk dhe më pas i kishte kopjuar në dy DVD, me kërkesë të një oficeri të Gardës. Ai ia kishte dorëzuar një nga DVD-të një oficeri të Gardës; DVD-në tjetër e kishte ruajtur në zyrën e tij. Ai kishte harruar për DVD-në e dytë dhe ishte kujtuar vetëm më vonë. Ai mohoi se kishte riformatuar hard diskun dhe deklaroi se pas orës 22:00 kishte qenë në shtëpi; prandaj, nuk kishte se si të riformatonte hard drive-in natën e 21–22 janarit.

Oficerët e Gardës dëshmuan se i kishin kërkuar nëpunësit të IT-së që t’u jepte atyre një kopje të regjistrimeve të bëra nga kamerat e Kryeministrisë. Ata dëshmuan gjithashtu se “dhoma e serverit” kishte qenë nën mbikëqyrjen e tyre natën e 21–22 janarit dhe se askush nuk e kishte përdorur pajisjen.

Më 26 korrik 2012, Gjykata e Rrethit Tiranë e shpalli të pafajshëm të pandehurin, duke vënë në dukje se nuk ishte provuar, përtej dyshimit të arsyeshëm, se ishte i pandehuri ai që kishte kryer veprimet e dyshuara nga prokurorët.

Më 20 shkurt 2013, ky vendim u la në fuqi në apel; më 19 mars 2015, Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin për çështje të ligjit të paraqitur nga prokuroria.

Gjykatat e brendshme arritën në përfundimin se hard disku ishte riformatuar por vunë re se nuk kishte asnjë provë që këtë veprim e kishte kryer i pandehuri. Madje, ato vunë në dukje se deklaratat e oficerëve të Gardës, të cilët kishin dëshmuar se kishin mbikëqyrur dhomën e serverit gjatë të gjithë natës në fjalë, binin në kundërshtim me versionin e ngjarjeve të paraqitur nga prokuroria. Gjykatat gjithashtu pranuan se mosdhënia nga ana e të pandehurit e videoregjistrimit të dytë në kohën e duhur tregonte sjellje të pakujdesshme dhe jo qëllim kriminal.

GJYQI I OFICERËVE TË GARDËS SË REPUBLIKËS
Komandati i Gardes Ndrea Prendi shpallet i pafajshem


Sipas aktakuzës, më 21 janar 2011, mes orës 16:00 dhe 16:10, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. kishte qëlluar njëkohësisht me plumba të vërtetë drejt protestuesve. Ndryshe nga deklarata e tij fillestare, ku ai nuk kishte përmendur gjuajtjen me armë në ditën e protestës, Ndrea Prendi dyshohet se ka qëlluar njëmbëdhjetë plumba në drejtim të një grupi protestuesish, duke vrarë njërin prej tyre. Aleks Nika dyshohet se ka qëndruar pranë atij protestuesi. Pas përfundimit të protestës, dyshohet se Ndrea Prendi ka ndërruar tytën e pistoletës së tij me atë të M. K. koleg i Gardës dhe i bashkëakuzuar në proces – për të fshehur faktin që Ndrea Prendi kishte qëlluar me armën e tij. Mbështetur në ekzaminimin e rrobave të viktimave, nga të cilat nuk u zbuluan mbetje baruti, prokurorët konfirmuan se viktimat nuk kishin përdorur armë zjarri.

Për sa i përket Agim Llupos, ai dyshohet se ka qëlluar me breshëri katër ose pesë të shtëna në ajër përpara se të ulte objektivin dhe të qëllonte drejtpërdrejt një grup protestuesish, njëri prej të cilëve vdiq dhe të tjerët u plagosën.

Më 7 shkurt 2013, Gjykata e Rrethit Tiranë shpalli të pafajshëm Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Në lidhje me Ndrea Prendi, gjykata pranoi se plumbi i dalë nga pistoleta e tij kishte vrarë një nga protestuesit, i cili kishte vdekur në vend; megjithatë, prokurorët nuk kishin arritur të vërtetonin rrethanat e sakta të këtij veprimi – në veçanti, nëse viktima kishte qenë brenda fushëpamjes së Ndrea Prendi dhe nëse i akuzuari kishte vepruar me qëllimin e destinuar për të vrarë viktimën. Rrjedhimisht, Ndrea Prendi nuk kishte kryer veprën penale të “vrasjes me dashje e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, sipas nenit 79  (ë) të Kodit Penal. Po kështu, gjykata konstatoi se provat para saj vërtetonin se protestuesi i dytë kishte vdekur si pasojë e një plumbi rikoshet që ishte qëlluar nga Agim LLupo megjithatë, nuk ishte vërtetuar se i akuzuari kishte vepruar me qëllim të destinuar për të vrarë viktimën.

Për sa i përket viktimës së tretë dhe personave që ishin plagosur, gjykata konstatoi se nuk kishte prova që implikonin Agim Llupo. Rrjedhimisht, ajo arriti në përfundimin se Agim Llupo nuk ishte fajtor për veprën penale të “vrasjes me dashje të dy ose më shumë personave”, sipas nenit 79 § (dh) të Kodit Penal. Në fund, gjykata vuri në dukje se prokurorët kishin tërhequr akuzën për pengimin e drejtësisë ndaj M. K, i cili fillimisht ishte akuzuar se ishte përfshirë në ndërrimin e tytës së armës së Ndrea Prendi pas ngjarjes së 21 janarit 2011 për qëllim të fshehjes së fakteve në lidhje me ngjarjen Gjykata e shpalli M. K. të pafajshëm për atë vepër.

Apeli i shpalli fajtor per vrasje nga pakujdesia
Më 18 shtator 2013, Gjykata e Apelit Tiranë, me dy vota pro dhe një kundër, shpalli Ndrea Prendi dhe Agim LLupon fajtor për vrasje nga pakujdesia, sipas nenit 85 të Kodit Penal dhe i dënoi përkatësisht me një dhe tre vjet burg.

Gjykata la në fuqi pjesën e mbetur të vendimit të shkallës së parë. Gjykata e apelit, në përgjithësi, ra dakord me gjetjet faktike të bëra nga gjykata e shkallës së parë. Ajo vuri në dukje, në mënyrë të veçantë, se në fillim protesta kishte qenë paqësore, por që më pas ishte bërë e dhunshme dhe protestuesit kishin hedhur sende dhe kishin fyer oficerët e Gardës. Gjithashtu, u shpreh se oficerët e Gardës, pasi kishin paralajmëruar protestuesit, kishin përdorur plumba të vërtetë rreth orës 16:00, kur “rreth 100 protestues kishin hapur me forcë njërën nga portat” e Kryeministrisë. Për më tepër, gjykata u shpreh se oficerët e Gardës, përfshirë Ndrea Prendi  dhe Agim Llupo, kishin përdorur armët e tyre të zjarrit pothuajse në të njëjtën kohë për të qëlluar në ajër, duke përdorur plumba të vërtetë, për të penguar turmën e dhunshme. Megjithatë, nuk u vërtetua se ata kishin qëlluar drejtpërdrejt në drejtim të dy viktimave, në trupat e të cilëve ekspertët kishin gjetur plumba të qëlluar nga armët e Ndrea Prendi dhe Agim Llupos. Sipas shumicës së anëtarëve të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Tiranë, nuk ishte provuar se i akuzuari kishte për qëllim të vriste këta persona në fjalë; ky fakt përjashtoi akuzën e vrasjes. Sipas mendimit të Gjykatës së Apelit, edhe nëse do të ishte e vërtetë që pas protestave Ndrea Prendi kishte ndërruar tytën e armës së tij me atë të një arme tjetër, ky fakt nuk mund të ndryshonte në mënyrë retroaktive cilësimin juridik të veprimeve të tij më 21 janar 2011.

Megjithatë, gjykata arriti në përfundimin se forca vdekjeprurëse e përdorur nga dy të pandehurit kishte qenë joproporcionale, pasi dy viktimat nuk kishin kryer asnjë akt dhune në momentin në fjalë. Gjykata vazhdoi të konstatonte se të pandehurit duhet të kishin parashikuar pasojat e mundshme të vendimit të tyre për të qëlluar në ajër duke përdorur plumba të vërtetë. Prandaj, të pandehurit u shpallën fajtorë për vrasje nga pakujdesia sipas nenit 85 të Kodit Penal.

Një gjyqtare pati mendim pakice. Ajo u shpreh se, sipas saj kishte prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Ndrea Prendi dhe Agim Llupo kishin pasur objektiv të drejtpërdrejtë turmën e protestuesve dhe jo të qëllonin në ajër. Ajo shtoi se, sipas saj të pandehurit nuk kishin një objektiv të veçantë, por megjithatë kishin qenë në gjendje të parashikonin pasojat e mundshme të veprimeve të tyre dhe për këtë arsye kishin vepruar me qëllim indirekt (dolus eventualis) dhe jo me pakujdesi. Ajo konkludoi se ata duhej të shpalleshin fajtorë për vrasje.

Më 25 prill 2016, Gjykata e Lartë rrëzoi ankimet për çështje të ligjit të paraqitura nga prokurorët, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo. Gjykata u shpreh se ankimet për çështjet e ligjit nuk duhet të jenë thjesht një përsëritje e shkaqeve për ankimim në gjykatën e shkallës së dytë dhe në vend të kësaj ato duhet të shprehin qartë argumentet ligjore që janë paraqitur për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Më tej, ajo konstatoi se nuk dallonte asnjë mospërputhje në atë pjesë të arsyetimit të Gjykatës së Apelit që trajtonte argumentet e palëve. Duke vënë në dukje se pyetjet e ngritura në ankim për çështjet e ligjit kanë të bëjnë me vlerësimin e provave dhe jo me argumentet ligjore, i ka refuzuar ato si të papranueshme.

Familjet e tre prej viktimave paraqitën kërkesa në Gjykatë, të cilat u zgjidhën me marrëveshje miqësore (shihni Veizi dhe Ded kundër Shqipërisë, (çregjistrim) [Komiteti] nr. 16191/13, 28 mars 2017 dhe Myrtaj kundër Shqipërisë (çregjistrim) [Komiteti] nr. 62907/16, 5 mars 2019)

MASA TË MËTEJSHME HETIMORE NË LIDHJE ME VDEKJEN E ALEKS NIKES
2014 hetimet per Aleks Nikes

Më 29 janar 2014, prokurorët intervistuan sërish dy persona, I. P. dhe I. Q., të cilët kishin qëndruar pranë Aleks Nikës dhe gjithashtu ishin plagosur me armë zjarri gjatë protestës së 21 janarit 2011. Në të njëjtën datë, bazuar në deklarimet e tyre, Prokuroria e Tiranës bëri një rindërtim të pjesshëm të rrethanave që kishin sjellë plagosjen e tyre.

Më 5 shkurt 2014, prokurorët intervistuan përsëri kërkuesen e parë dhe disa anëtarë të familjes së Aleks Nikes

Më 2 prill 2014, prokurorët ekzaminuan përsëri regjistrin e veprimeve të qendrës së operacioneve të Gardës së Republikës. 

Nga shkurti deri në prill 2015, autoritetet morën përsëri në pyetje disa anëtarë të Gardës së Republikës, të cilët kishin marrë pjesë në përpjekjen e lartpërmendur më 21 janar 2011, për të shtyrë protestuesit duke përdorur shkopinj gome. Oficerët deklaruan se në datën në fjalë kishin marrë urdhra via radios dhe celularëve të tyre personalë dhe personalisht. Ata nuk kujtonin të kishin marrë urdhër për të qëlluar në ajër me plumba të vërtetë.

Më 5 maj 2014, Instituti i Mjekësisë Ligjore përpiloi një raport ekspertimi për plagët e Aleks Nikës. Në raport thuhej se ekzaminimi ishte urdhëruar nga prokurorët në datën 21 janar 2011. Ekspertët cituan kartelat mjekësore të përgatitura kur ai ishte shtruar në Spitalin e Traumës së Tiranës. Ata cituan gjithashtu një raport ekspertize të datës 3 mars 2011, të prodhuar nga autoritetet turke sipas të cilit në kokën e Aleks Nika ishte gjetur një plumb. Referuar këtyre të dhënave, raporti i vitit 2014 konkludoi se Aleks Nika ishte plagosur në anën e majtë të ballit. Plaga ishte shkaktuar nga një e shtënë e vetme me armë zjarri; gjuajtja kishte thyer kockën dhe nuk kishte vrimë daljeje. Drejtimi i plumbit ishte nga përpara mbrapa dhe nga e majta në të djathtë.

Prokuroria kerkon ekspertim balistik te plumbit ne trupin e Aleks Nikes
Në datën 3 shkurt 2015, Prokuroria e Tiranës vendosi të urdhëronte një tjetër ekspertim balistik për plumbin që ishte gjetur në trupin e Aleks Nikes. dhe ia kaloi plumbin Drejtorisë së Policisë Shkencore. Më 20 mars 2015, kjo e fundit e ka kthyer paketën në Prokurorinë e Tiranës, duke nënvizuar që Prokuroria kishte dërguar plumbin e gabuar. Pas një kërkese tjetër për një raport ekspertimi balistik, më 11 shtator 2015, dy ekspertë riekzaminuan plumbin. Ata vunë në dukje se ai kishte gjashtë vjaska; megjithatë, dolën në përfundimin se për shkak se plumbi ishte dëmtuar, ishte e pamundur të përputhej me armën nga e cila ishte shkrepur.

Më 22 qershor 2016, një familjar i Aleks Nika i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Tiranës që ta informonte për ecurinë e hetimeve dhe t’i përcillte një kopje të dosjes hetimore.

Më 25 korrik 2016, kërkuesja e parë i kërkoi gjithashtu Prokurorisë së Përgjithshme një kopje të dosjes hetimore.

Pezullohen hetimet per Aleks Niken
Më 28 shkurt 2020
, prokurorët arritën në përfundimin se ishin kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore për të zbardhur vrasjen e Aleks Nika më 21 janar 2011 dhe plagosjen e gjashtë personave të tjerë. Duke vënë në dukje se autorët e veprës në fjalë nuk mund të identifikoheshin, ata pezulluan hetimin dhe e dërguan rastin në polici për veprime të mëtejshme.

10 vite pas vrasjes se Aleks Nikes rihapen hetimet

Më 20 janar 2021, Drejtoria e Policisë së Tiranës dërgoi një raport në Prokurorinë e Tiranës ku sugjeronte rihapjen e hetimeve. Raporti sugjeronte që të përgatiteshin raporte të tjera ekspertimi për viktimat që humbën jetën dhe për ata që ishin plagosur, si edhe për plumbin e gjetur në trupin e Aleks Nika. Në veçanti, ajo sugjeroi që të bëheshin hetime nëse kishte pasur ndonjë progres në teknologjinë kriminalistike, që mund të ishte në gjendje të identifikonte armën nga e cila kishte dalë plumbi i gjetur në trupin e Aleks Nika. Ajo sugjeroi gjithashtu që të gjitha videoregjistrimet e protestës të ekzaminoheshin përsëri dhe të gjithë personat e përfshirë të merreshin sërish në pyetje.

Më 2 prill 2021 prokurorët rihapën hetimet.

Më 28 maj 2021, prokurori komunikoi me Drejtorinë e Policisë Shkencore për ta pyetur nëse, që nga 11 shtatori 2015, kishte pasur ndonjë progres teknologjik – qoftë brenda vendit, qoftë në Bashkimin Evropian apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – që do të mundësonte identifikimin e armës nga e cila kishte dalë plumbi i gjetur në trupin e Aleks Nika. Në mungesë të përgjigjes, kërkesa u përsërit më 22 shtator 2021. 

Më 8 korrik 2021, kërkuesja e parë i konfirmoi Prokurorisë së Tiranës se ajo ishte informuar për veprimet që prokurorët kishin ndërmarrë deri më 28 shkurt 2020 dhe kërkoi çdo përditësim në lidhje me veprimet e tyre që nga ajo datë. Më 15 korrik 2021, prokurorët u përgjigjën se kërkuesja e parë do të informohej për çdo gjetje në fund të hetimit.

Më 4 tetor 2021, Drejtoria e Policisë Shkencore iu përgjigj prokurorëve duke i informuar se nuk kishte pasur progres teknologjik që mund të mundësonte dhënien e një rezultati të ndryshëm nga ai i marrë deri në atë datë, në lidhje me plumbin që vrau Aleks Nika. Ajo gjithashtu deklaroi se nuk kishte informacion të detajuar nëse ndonjë progres i tillë teknologjik kishte ndodhur diku tjetër dhe sugjeroi që prokurorët të bënin një kërkesë pranë Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës Balistike të Mbretërisë së Bashkuar dhe laboratorit të Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së.

Leterporosia ne Itali per ekspertimin e plumbit
Më 21 janar 2022, me anë të një letërporosie, autoritetet shqiptare i kërkuan autoriteteve italiane të kryenin ekspertimin e plumbit që ishte gjetur në trupin e Aleks Nikës. Asnjë informacion tjetër nuk është dhënë në lidhje me këtë.

Ministria e Drejtësisë kallëzon në SPAK dosjen e 21 janarin 
Më 23 janar 2023
, siç raportohet në mediat lokale, ministri i Drejtësisë ka depozituar kallëzimin në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“Prokuroria e Posaçme”), në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011 kundër Ndrea Prendi, Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, të cilët kishin qenë në detyrë në kohën e ngjarjeve në fjalë. Kërkesa thuhet se bazohej në raportet e medias që sipas një regjistrimi audio të komunikimeve radiofonike Ndrea Prendi, komandanti i përgjithshëm i atëhershëm i Gardës së Republikës, kishte urdhëruar oficerët e Gardës të hapnin zjarr. Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka përcjellë kallëzimin e ministrit të Drejtësisë në Prokurorinë e Tiranës për shkaqe juridiksioni.

Më 16 shkurt 2023, sipas raportimeve të medias vendase, disa anëtarë të familjeve të viktimave të 21 janarit 2011 (përfshirë edhe Aleks Nika.) kanë depozituar një kallëzim të ri penal në Prokurorinë e Posaçme. Në kallëzimin e tyre ata kanë deklaruar se kishin një provë të re – domethënë regjistrimin audio të përmendur më lart (shihni paragrafin 81 më lart) – dhe se do t’ia dorëzonin atë vetëm Prokurorisë së Posaçme sepse nuk kishin besim te Prokuroria e Tiranës, e cila e kishte zvarritur çështjen për dymbëdhjetë vjet.

PROCEDURAT E DËMSHPËRBLIMIT TË FILLUARA NGA KËRKUESET

Më 19 shtator 2016, disa anëtarë të familjes së Aleks Nika, përfshirë kërkueset, depozituan një padi civile për dëmshpërblim kundër Gardës dhe Ministrisë së Brendshme në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Padia bazohej në disa dispozita procedurale, përfshirë nenet 2, 3 dhe 8 të Konventës, nenet e Kodit Civil që rregullojnë përgjegjësinë për dëmin në rast të vdekjes së një personi dhe ligjin për përgjegjësinë jashtëkontraktore të shtetit (ligji nr. 8510, datë 15 korrik 1999, “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të autoriteteve administrative shtetërore”, i ndryshuar). Paditësit parashtruan se më 21 janar 2011 të paditurit kishin vepruar në mënyrë të paligjshme dhe kishin shkaktuar vdekjen e Aleks Nika, duke u shkaktuar atyre dëm pasuror dhe jopasuror.

Në parashtrimet e saj, Garda i kërkoi gjykatës “të zgjidhte çështjen në përputhje me ligjin”.

Më 30 janar 2017, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë la në fuqi padinë dhe caktoi dëmshpërblimin prej 12,834,097 lekë për çdo kërkues (afërsisht 103,524 euro).

Gjykata iu referua vendimeve të përshkruara në paragrafët 58–64 më lart dhe vuri në dukje se më 31 korrik 2014, Kryeministria kishte krijuar një grup pune për të “vlerësuar dëmin e pësuar nga viktimat e ngjarjeve të 21 janarit 2011”.

Gjykata vlerësoi se kjo e fundit reflektoi faktin që autoritetet kishin pranuar se vdekja e protestuesve më 21 janar 2011 kishte ndodhur si rezultat i veprimeve ose mosveprimeve të paligjshme nga ana e punonjësve të shtetit.

Gjykata, më tej, konstatoi se më 21 janar 2011 oficerët e Gardës kishin përdorur armët e tyre në kundërshtim me Ligjin për Armët e Zjarrit. Ajo iu referua jurisprudencës së Gjykatës, në lidhje me detyrimet negative dhe pozitive të shteteve, sipas nenit 2 të Konventës dhe arriti në përfundimin si më poshtë: “Në këtë çështje, gjykata, përveç [legjislacionit shqiptar], i referohet Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si edhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. ... Bazuar në këtë interpretim të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjykata doli në përfundimin se Republika e Shqipërisë, e përfaqësuar nga të paditurit në këtë gjykim, është përgjegjëse për humbjen e jetës së të ndjerit A[.] N[.], më 21 janar 2011 – jo vetëm bazuar në legjislacionin shqiptar, por edhe në zbatim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, sepse nuk ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur humbjen e jetës së të ndjerit. Në çështjen në gjykim, u takonte autoriteteve shtetërore (të paditurve) që të [provonin] se ata kishin ndërmarrë të gjitha masat e mundshme [kundër rrezikut për jetën], pavarësisht nëse ata kishin apo jo dijeni për [këtë rrezik] për parandalimin e dëmit.”

Në mungesë të ankimit, vendimi i lartpërmendur mori formë të prerë dhe, sipas parashtrimeve të Qeverisë para Gjykatës, dëmshpërblimet janë paguar plotësisht.

Gjykata e Strasburgut: Krim shtetëror
Më 14 nëntor 2023 Gjykata e Strasburgut Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut shprehet me vendim se në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit 2011 janë vërejtur mangësi të shumta të cilat ngritën dyshime se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin padrejtësisht. Vendimi u mor unamin nga 7 gjyqtarë ku u vlerësoi se ka dy shkelje të Nenit 2 (e drejta për jetën dhe për hetim) të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në rastin e Aleks Nikës, një prej protestuesve të vrarë.

Trupa gjykuese vendosi se sipas nenit 46 (forca detyruese dhe ekzekutimi i vendimeve) autoritetet duhet të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e vdekjes së Nikës si dhe të identifikojnë e ndëshkojnë përgjegjësit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?