S’ka punëtorë e financim, bujqësia tkurret në prill-qershor! Eksperti: Të zhbllokohen fondet e IPARD, humbasim shumë

3 Tetor 2023, 16:20| Përditesimi: 3 Tetor 2023, 16:39

  • Share

Largimi i banorëve nga zonat rurale, mungesa e fuqisë punëtore, financimi i ulët dhe ngecja tek makineritë e vjetra po e çojnë në krizë bujqësinë.  Edhe pse është sektori që punon rreth 45% të shqiptarëve, në tremujorin e dytë të vitit kur nis edhe shitja e produkteve të para të fermerëve, bujqësia ndikoi negativisht në ekonomi, pasi ra me 0.04%.

“Problemi i parë mjaft i rëndësishëm është reduktimi i sipërmarrjeve që punojnë në zonat rurale si rezultat i shpopullimit. Ne kemi një ulje të ndërmarrjeve, fermerëve dhe punonjësve që punojnë si rezultat i shpopullimit. Situata e mekanizimit nuk ka ndryshuar si rezultat i mos financimit të sektorit në radhë të parë, por edhe si pasojë e mjeteve mekanike në veçanti”, shprehet eksperti Agim Rrapaj.

Kryetari i Agrobiznesit Agim Rrapaj thotë se ndikim negativ në sektor tanimë do të ketë edhe pezullimi i fondeve IPARD, situatë që sipas tij duhet të zgjidhet brenda vitit, për të shmangur humbje të mëdha në sektor.

“Lajmi i fundit për bllokimin e IPARD ka ndikuar negativisht te subjektet sepse janë frenuar, por edhe nga pikëpamja e financimit sepse ndikon në mënyrë drastike edhe tek financimi i bankave. Zhbllokimi i fondeve të IPARD duhet të bëhet patjetër brenda këtij viti sepse ne humbasim shumë”, pohon Rrapaj.

Edhe pse është sektor jetik për ekonominë, bujqësia prej dekadash vuan mungesën e financimit, sidomos nga bankat për shkak se është biznes i ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, siç janë përmbytjet apo breshëri që ju dëmton prodhimin. Për këtë arsye shumë sipërmarrje janë zhytur në borxhe.

“Situata financiare dhe ekonomike që kanë shumë sipërmarrje në zonat rurale të cilat janë përballur me borxhe të mbartura prej dhjetëra  apo 20 vitesh të cilat nuk mund të rezistojnë më dhe është domosdoshmëri që ky fenomen të gjej një zgjidhje ose duke i falur ose duke i ristrukturuar që këto subjekte të futen normalisht në rrjedhën e prodhimit”, pohon Rrapaj.

Për të përmirësuar situatën në sektorin e bujqësisë Rrapaj thotë se duhet më shumë financim, duhet të ndryshojë skema e TVSH-së si dhe duhet të ketë më shumë fonde për sistemin e ujitjes.

“Nëse ne nuk financojmë në ujitje prej shumë kohësh, me një buxhet mjaft të reduktuar për dy tre vite nuk kemi pasur kjo do të reflektojë tek rënia e prodhimit. Buxheti i ministrisë në këto nivele që është kërkon edhe të paktën 90 milionë euro për të mbajtur në minimumet e mundshme mbështetjen e sektorit privat”, thotë Rrapaj.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?