Skënder Halili/ Si u arrestua
nga sigurimi pse refuzoi Dinamon

22 Korrik 2016, 07:51| Përditesimi:

  • Share
Shqiqëria në europianet e futbollit dhe një kampionat kombëtar tragjik…Sado që përfaqësueset e vendeve të tjera të Evropës zhvillonin me njera-tjetrën takime më të shumta se ato që zhvillonte përfaqësuesja jonë, gjithsesi ato ishin miqësore, në pritje të takimeve për turnetë përcilësuese të botërorëve të futbollit, por që organizoheshin një herë në 4 vjet. Pra, rrallë e për mall…

Ndaj UEFA, më 1958 me propozimin e gazetarit të njohur francez, Hanri Delone, vendosi që njëherë në 4 vjet të organizoheshin edhe kampionatet evropiane te futbollit.
Faza finale e kampionatit të parë iu besua Francës. Mirëpo habitërisht, si t’i bënin karshillëk, kësaj veprimatarie, i kthyen shpinën me indiferencë shumë vende, ndër të cilat, Anglia, atdheu i futbollit, pra i topkëmbës, që kështu kishte vepruar edhe në tre botërorët e parë dhe në të katërtin, më 1950, ishte mundur nga skuadra diletante e SHBA-së 1-0. Nuk begenisën të vinin në këtë kuvend as Italia, Gjermania… dhe, si të mos mbetej prapa, edhe Shqipëria!

Por në edcionin e dytë, të vitit 1964, pasi një vit më parë “nga lart’ kishte ardhur urdhri që vendi ynë të mos merrte pjesë në Kupën e Kampionëve të Evropës, po “nga lart” erdhi dhe urdhëri i dytë që të shkonim në… Evropë, por kuptohet vetëm në sport, sepse pas prishjes së sevdasë me rusët e Hrushovit, nuk bëhej fjalë të të shkonim në..perendim, por lindje e tutje lindjes, për t’u përqafuar dhe puthur me kinezët e Mao Ce Dunit, me të cilët pastaj do të ndaheshim, por pa lot, si me revizionostët e tjerë…
Sipas shortit Shqipëria duhej të përballej me Greqinë, me të cilën ishim ndarë, sikur të ishte në një kontinent tjetër, që më 1940… pra në Luftën Italo-Greke, të cilën qeveritatët e mëpastajmë të këtij vendi e kishinin quajtur edhe  luftë të Shqipërisë kundër pasardhësve të Homerit… Marrëzi e shkuar marrëzisë, kur edhe vetë shqiptarët kishin qenë nën thudrën e fashizmit Italian.

Kësisoj grekët u tërhoqën nga ky short tekanjoz. Edhe sot habitem se si kjo ngjarje nuk zuri vend në shtypin tonë, sikur të qenkej nxjerra në shesh ndonjë goxha sekret shtetëror. Kjo bëri që Shqipëria të ndodhej përballë Danimarkës, që aso kohe nuk ishte gjëkundi para Danimarkës së vitit 1986, që, po të mos mundej aksdentalisht nga Spanja 6-1 në Botërorin Meksikë ‘86, nuk ishte çudi të arrinte deri në finale të tij, por nuk ishte aq më shumë Danimarka e Euro 92-së, që në Euro ‘92, duke u futur në valle në vend të Jugosllavisë së Millosheviçit të dënuar nga UEFA për gjenocidin në Kosovë dhe Bosnjë, pa pritur u bë kampione e Evropës.
Në takimin e Tiranës që e kam komentuar nga mikrofonët e Radios së bashku me të paharruarin Anton Mazreku, që në minutat e para të ndeshjes, shënoi Pano… Por vetëm. Mëkat, sepse mund të kishim fituar me rezultat më të thellë. Për më keq humbëm në Kopehagen 4-0 dhe kështu u mënjanuam, që në turin e parë. Dhe, mjerisht, nuk do të ishte as hera e fundit. 
***
Të kthehemi tani te kampionatet tona të futbollit. Në sezonin 1964-‘65, u shënua ngjarja më e rrallë e historisë së këtyre kampionateve pas viti 1950. Tashmë në luftë për titullin kampion nuk ishin ”Partizani” e “Dinamo’, por edhe “17 Nëntori” i Tiranës.

Kjo skuadër, e drejtuar nga tajneri i mirënjohur Myslym Alla, edhe sot ndër më të mirat e vendit tonë, fitoi në ndeshjen e fundit 2-0 kundër skuadrës “Partizanit’, kësaj skuadre të madhe të… Byrosë Politike, siç quhej atëherë nën zë nga populli. Për herë të parë pas vitit 1947 të erës së zymtë komuniste, ajo u bë kampione e vendit. Dhe vazhdoi…

C’ kishte ndodhur? Pas vitit  1963 me një vendim të posaçëm të qeverisë, e shtrënguar natyrisht nga ankesat që vinin nga poshtë, pra nga populli, si “Partizani” ashtu dhe “Dinamo”, nuk mund të mbanin më në radhët e tyre futbollistët a sportistët e tjerë që mbaronin shërbimin ushtarak. Kështu ata ktheheshin në klubet e qyteteve ku kishin luajtur më parë. Në radhët e “Partizanit” kishin luajtur O. Mema, Frashëri, Bukoviku, Bytyci.. të ”17 Nëntorit”. Më të zhveshur rrobën ushtarake, ata u kthyen te skuadra tiranase dhe luajtën bash në këtë ndeshje kundër “Partizanit”. Kështu ndodhi dhe me futbollistë a sportistë të skuadrave të qyteteve të tjera.
“17 Nëntori” fitoi edhe kampionatin 1964-65… Duhej të fitonte edhe kampionatin 1966-67… por ndodhën ngjarje shumë tronditëse. Para se kjo skuadër të nisej për në Norvegji, per të luajtur kundër kampiones së atjeshme për Kupën e Kamponëve të Evropës, 1966-67, u burgos futbollisti i talentuar, Skënder Halili, sepse nga Sigurimi iu gjetën në shtëpi pak para në valutë.
E vërteta tragjike ishte se pasi kreu shërbimin ushtarak më 1965 në një repart të MPB, ai nuk iu bind urdhërit të Kadri Hazbiut, kreut të asaj ministrie të mallkuar që të mbetej te “Dinamo”.

Nuk mjaftoi kjo, por në qeshor të vitit 1967 gjatë ndeshjes që “17 Nëntori “ po zhvillonte kundër “Partizanit” dhe udhëhiqte 2-1, duke siguruar për të tretën herë radhazi titullin kampion, futbollistët e të dyja skudrave u grindën. Kjo grindje vazhdoi dhe pas ndeshjess. Shumë-shumë mund të ishin përjshtuar për disa javë vetëm ata. Por FSHF-ja me urdhër nga Kupola e Kuqe përjashtoi të dyja skuadrat, vendim që nuk ekzistonte dhe nuk erkziston në asnjë regullore futbolli të rruzulit tokësor. Vetëm e vetëm që tiranasit të mos shpalleshin sërishmi kampionë. Dhe kupa pa asnjë meritë i mbeti kështu në dorë ”Dinamos”, por ishte skuadër… byroiste. (Këtë ngjarje me të vërtetë shumë tragjike, figurën e Anton Mazrekut, për të cilin do të flas pak më poshtë dhe të Skënder Halilit, që u burgos prej disa vjetësh nga diktatura komuniste dhe u zhduk përfundimidht edhe nga fushat e futbollit, e kam trajtuar në romanin “Tirana dy orë para dënimit”, botuar më 1998).
Sidoqoftë, “17 Nëntori’ pronësoi kampionatin e vitit 1968 dhe 1969-70, duke shkruar me lavdi emrin në librin e historisë së futbollit tonë.

***
Vazhdojmë përsëri me  europianët e futbollit. Në edicionin e tretë të tij, më  1968 ato vende që kishin hedhur në kosh ftesat e UEFA-s për të marrë pjesë në europianët e parë, tani nxituan të pranonin me shumë kënaqësi. Dhe kështu skuadrat, meqë u shumuan, u ndanë në grupe. Shorti na degdisi në një grup shumë të fortë, ku bënte pjesë Jugosllavia e revizioniste e Titos, dhe veç kësaj edhe nënkampione evropiane e vitit 1960, si dhe RF Gjermane, nenkampione e freskët e botërorit 1966, të zhvilluar në Angli.
Që të mos e zgjas, humbëm të tëra ndeshjet, madje pa shënuar asnjë gol, dhe më 17 dhjetor 1967 na kishte mbetur ndeshja e fundit me gjermano-perendimorët në Tiranë. Dhe askush nuk kishte përfytyruar se ajo do të mbyllej baraz 0-0, pas një loje të mhnitshme të tanëve. Madje do të kishim fituar, sikur gjyqtari austriak, Marshal, të na njihte një gol, pas pas gjuajtjes së mbrojtësit tonë, Gjinali, të cilën portieri austriak e priti topin kur kishte kaluar vijën e portës.

Kështu nënkampionët e botës nuk shkuan në finale e Euo 68-ës, që u zhvilluan në Itali. Vendin e parë në grup e zunë jugosllavët, të cilët madje zunë vendin e dytë, pas Italisë kampione.

Në verë të vitit 1969, një e papritur e trishtë u përhap në Tiranë. Duke u kthyer në shtëpi, pasi kishte ndjekur një ndeshje fëmijësh, sepse edhe ato nuk i linte pa parë, nga një hemoragji cerebrale ndërroi jetë Anton Mazreku, babai i gazetarisë sportive shqiptare. E kisha njohur më 1950, në fushën e Shallvares dhe i nxitur nga shokët kisha bërë para tij një “koment” pra pikërisht në atë fushë, ku, siç kam vënë në dukje në pjesën e parë të këtyre meditimeve, ai kishte bërë komentin e parë në Radio Tirana  të një ndeshjeje futbolli. Dhe dëgjova pastaj prej tij  fjalët: ”Uroj që edhe ti një ditë të bëhesh komentator sportiv”.

Dhe kjo ndodhi më 1959, kur unë, tashmë gazetar në Radio Tirana, së bashku me Ismet Bellovën u bëra koleg i tij në mikrofonin sportiv.Për më tepër në vëllimin tim të dytë me tregime sportive, me titull “Shkallët e murrme”, i kisha kushtuar një të tillë, por që vdekja nuk e la ta lexonte. Dhe të mendosh se pas vdekjes së këtij personaliteti të madh të sportit tonë, Enver Hoxha, për 8 vjet radhazi shoku i tij i Liceut të Korçës, nuk mori mundimin t’i dërgonte familjes së tij as edhe “dy gisht telegram”, kur këtë e kishte bërë edhë për vdekjen e ndonjë xhaxhoje që kishte njohur në ndonjë fshat gjatë luftës…

Më 1972 gjatë ndeshjeve përcilësuese të Euro 72-shit një tjetër e papritur, por këtë radhë e këndshme. Kisha propozuar që ndeshjet e transmetuara nga kanalet televizive italiane dhe jugosllave të kalonin në kanalin tonë teleiziv dhe unë me kufje në veshë premtoja se isha në gjendje të bëja komentin e ndeshjeve sportive.
Todi Lubonja, drejtori i ri i RTVSH-së, që një vit më parë kishte zëvendësuar drejtorin konservator dhe dogmatik, Thanas Nano, sapo mori vesh për këtë propozim timin që ia bënë inxhinierët dhe teknikët, e miratoi pa asnjë ngurrim. Kështu më 26 prill të vitit 1972 nga një studio e TVSH-së komentova së pari ndeshjen Itali-Belgjikë që luhej në Milano, dhe pas dy orësh Angli-RF Gjermani, në Londër. Të dyja për evropinin e futbollit.

Fillimthi gjindja pandehu se njëmend komentoja nga stadiumi i këtij qyteti italian, por kur dëgjuan zërin tim në ndeshjen e dytë, e morën me mend të vërtetën. Këto trasmetime të TVSH-së u mirëpritën nga dashamirësit e futbollit, sidomos në vise të Shqipërisë, ku valët e kanalet televizive italiane dhe jugosllave nuk arrinin, por mbi të gjitha, sepse komentet bëheshin në shqipe, duke përfshirë edhe përkthimin e kuroziteteve që përcillnin komentatorët e huaj.
Nuk do të ndalem më gjatë në kampionatet tona të futbolit, në të cilat diktati i “Partizanit” dhe “Dinamos” tashmë kishin humbur shkëlqimin e dikurshëm, edhe për arsyet që shpjegova më lart.

“17 Nëntori”, veç kampionateve të fituara në vitet 1930, ’31, ‘32, ‘34, ‘36, dhe 1937-‘38,  u bë kampion në sezonet 1981-82, 1984-85, 1987-88, 1988-89, 1994-‘95, 1995-‘96, 1996-‘97, 1998-‘99, 1999-2000, 2002-‘03, 2003-‘04, 2006-‘07, 2008-‘09.

“Vllaznia” pas vitit 1946, për herë të parë fitoi përsëri kampionatin më 1973-‘74, pastaj më 1977-‘78, 1882-‘83, 1991-‘92, 1997-‘98 dhe më 2000-‘01;
“Dinamo”, pasi kishte fituar fituar kamionatet e viteve 1950, 51, ‘52, ‘53, ‘55, rilindi në vitet 1974-‘75, 1975-‘76, 1976-‘77, pastaj 1979-‘80, 1985-‘86, 1989-‘90, 2001-‘02;
“Partizani”, kupave të fituara më 1954, 1956, ‘57, ‘58, ‘59,1961, 1962-‘63, 19630-‘64 u shtoi dhe kupat e kamionateve të viteve 1978-‘79, 1980-‘81, 1986-‘87 dhe 1992-‘93;
“Labinoti” për herë të parë fitonte kamionatin e vitit 1983-‘84, dhe sërishmi  2005-‘06; “Flamurtari”, për herë të parë dhe të vetme më 1990-‘91;
“Teuta”, një herë më 1993-‘94;

Dhe ”Skënderbeu” i Korçës pas vitit 1933, kampion nga viti 2010-‘11 dhe deri sot, është kamion absolut, duke dëshmuar se është skuadra më e mirë e Shqipërisë paskomuniste.

Mjerisht, statistikat e europianëve të futbollit në vazhdim, nuk shënuan rezultate  për t’u vënë në dukje për përfaqësuesen tonë.
Por kjo nuk do të ndodhte në edicionin e fundit të Euro 2016-ës, kur për herë të parë ne arritëm të depërtonim në fazën finalë që këto ditë uli siparin në Francë. Dhe për këtë aventurë do të rrefej në numrin e ardhshëm.

(Vijon nesër…)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?