Foto nga përmbytjet në Fier

Situatat emergjente si Pllakat e gramafonit

12 Dhjetor 2021, 14:15| Përditesimi: 12 Dhjetor 2021, 14:19

  • Share

Për shumë vite ndryshimet klimatike kanë krijuar rregullin e ri që reshjet e shiut vijnë të përqendruara në një kohë të shkurtër. Përmes stuhive shkaktojnë përmbytje në territore të konsiderueshme. Vit për vit, e disa herë në vit, krijojnë situata emergjente. Tekat e motit do të bëjnë punën e tyre siç edhe e kanë bërë. Por duhet ta pranojmë se jemi ne që nuk bëjmë punën tonë dhe rast pas rasti ballafaqohemi me rreziqe për jetën e njerëzve e të pronës, me bllokimin e infrastrukturës rrugore dhe me rënien e rrjeteve të furnizimit me energji elektrike të zonave të ndryshme.

Në këto raste emergjence pa dyshim që të gjithë mobilizohen. Bënë aq sa dinë e aq sa mundin për të kaluar sa më shpejt nga situata emergjente në atë normale. Të bie në sy se ndërsa moti e ka ndërtuar sjelljen e vet,  Neve fatkeqësisht jo. Kur the neve dua të them strukturat shtetërore të emergjencave civile dhe strukturat administrative në nivel lokal e qendror si dhe qytetarët ku janë evidentuar ngjarjet emergjente. Vit për vit bëjmë çfarë mund të bëjmë në momentin e çfaqjes së situatës emergjente dhe pastaj presim ngjarjen e radhës. Të kuptohemi se ka disa vite që janë bërë investime për pastrimin dhe mbrojtjen e shtrateve të lumenjve, por mënyra se si strukturat shtetërore dhe qytetarët sillen ndaj fenomeneve natyrore lë shumë për të dëshiruar, aq sa herë-herë çvlerësohet edhe efekti i investimeve të kryera.

Është një periudhë e vitit kur strukturat shtetërore dhe qytetarët duhet të manifestojnë përgjegjshmëri institucionale e qytetare. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh, ecet me mendësinë të bëhet ç’të bëhet kur të vijë dita e kiametit. Me të drejtë mund të pyesni çfarë mund të bëjë grupimi “Neve”? Për të ilustruar konstatimin tim do të sjell një shembull të thjeshtë nga përmbytja e fundit në pellgun ujëmbledhës të Lumit Vjosa. Është për tu habitur se si qytetarët vazhdojnë ende të ndërtojnë struktura banimi për vete apo për gjënë e gjallë, qoftë edhe të lehta, nën izoipset e sigurisë; në kuota ku uji i mbulon viti pas viti. Këto struktura janë të pa legalizuara dhe të pa adresuara.

Shpesh dhe me të drejtë strukturat e emergjencave civile nuk dinë se në ato strukura banojnë njerëz apo se strehohet gjë e gjallë dhe fare lehtë krijohet situate emergjente; si i thonë mbyten edhe me një gotë uji!.. Ku janë strukturat kontrollit të territorit në nivele vendore që lejojnë qytetarë të pa vetëdijshëm, e mbase të pa përgjegjshëm, të organizojnë pronën e jetën në mënyrë të pa ligjshme që mbartin rrezik individual e shoqëror. Në kësi raste duhet nxjerrë përgjegjësia e punonjësve publik dhe e vetë qytetarëve; përgjegjësi penale e financiare duke u bërë shembull.

Një reporter televizioni pyet banorët: “A ju ka paralajmëruar kush?!” dhe përgjigja është: “Jo”, duke shtuar se ne nuk jemi banorë të zonës!. Naivitet gazetari por edhe keqedukim qytetar. Cila strukturë mund të dinte emrin, mbiemrin dhe celularin e një banori që është në një situatë jo ligjore, eremit; natyrisht shtyrë nga motive të ndryshme. Në këtë rast përgjegjësia duhet adresuar tek strukturat e qeverisjes vendore dhe tek qytetari sepse kjo situatë parandalohej nëse gjithkush do të ushtronte detyrimet e veta në kohën e duhur. Rasti tjetër është rënia e linjave që furnizojnë me energji elektrike zonat malore, siç edhe ndodhi këto ditë në qarkun e Korçës. Bora e madhe dhe erërat e forta pashmangësish do të sjelli ngjarje të tilla. Në këto raste të gjithë gjykojnë se përgjegjësia bie mbi OSHEE sha.

OSHEE sha ka përgjegjësinë e remonteve dhe kontrollit për linjat në këto zona por a mjafton kjo? Eksperienca ka provuar se jo. Do të ketë rënie të linjave prej fenomeneve natyrore por çështja qëndron se si përballohet kjo situatë që energjia të rikthehet shpejt dhe pa ngjarje të padëshirueshme për shëndetin apo jetën e punonjësve të OSHEE sha dhe qytetarëve banorë të zonës. Në kësi rastesh duhet që mes strukturave të OSHEE sha dhe atyre të pushtetit vendor të institucionalizohen marrëdhënie të bashkëpunimit.

Banorë të zonës nga fshatra të ndryshme duhet të inkuadrohen në skuadra nën përgjegjësinë e OSHEE sha dhe të mobilizohen në rastet e emergjencave; si ato të shpëtuesve apo zjarrfikëseve vullnetarë; fjala vullnetarë nuk do të thotë pa pagesë në kohët e kualifikimit, të stërvitjes dhe të përballimit të situatave emergjente. Ka shumë për të shkruar por më duhet të qëndroj në dy raste mjaft të ndjeshëm por edhe të kushtueshëm së grupimi “Neve” ka për të bërë shumë, mund ti bëjë dhe duhet ti bëjë. Kjo nën përgjegjësinë qytetare dhe atë ligjore. Në këtë grupim përgjegjësia e strukturave publike është parësore.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • teli: 13/12/2021 12:48

    Do vazhdojme te paguajme pa pergjegjshmerine e shtetit dhe qyetatreve qe viti per vit permbyten nga disa here. kjo situate duhet te marre fund, te paguajne nepunesit neglizhente dhe qytetaret e pa pergjegjshem. Teli

    Përgjigju
  • Aliu: 12/12/2021 18:06

    Ne e bejme si gjikalla; Kendojme ne vere dhe qajme ne dimer. Si shteti she mileti kujtohen kur vjen kiameti. Aliu

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?